2 Nentor 2023

Presidenti i Amerikës, Joe Biden bëri thirrje për një “pauzë” në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit në Gaza, pasi ai u përball me një protestuese e cila i kërkoi armëpushim mes dy vendeve.

Biden po fliste në fushatë zjedhore kur gruaja bërtiti: “Bëni thirrje për një armëpushim tani”.

Biden u përgjigj: “Unë mendoj se ne kemi nevojë për një pauzë. Një pauzë do të thotë të japësh kohë për të nxjerrë të burgosurit jashtë.”

Shtëpia e Bardhë më vonë sqaroi se Biden po i referohej pengjeve të mbajtura nga Hamasi që nga sulmi i tij i 7 tetorit në Izrael, ku 1.400 njerëz u vranë dhe më shumë se 200 u morën peng.

Shtëpia e Bardhë ka thënë më parë se mbështet një “pauzë humanitare” për të lejuar dërgimin e ndihmave në Gaza dhe lirimin e pengjeve. Biden ka mbështetur Izraelin, por ai ka ndryshuar reagimin e tij javët e fundit pasi situata humanitare përkeqësohet në Gaza dhe numri i viktimave civile rritet.

Presidenti është përballur me presion në rritje nga grupet e të drejtave të njeriut, liderët e tjerë botërorë dhe madje edhe anëtarët liberalë të Partisë së tij Demokratike, të cilët thonë se bombardimi i Gazës nga Izraeli është ndëshkim kolektiv dhe se është koha për një armëpushim.

Dallimi midis armëpushimit dhe pauzës mund të duket semantik, por një pauzë përgjithësisht konsiderohet më pak formale dhe më e shkurtër se një armëpushim.

Ministria e shëndetësisë e Gazës e drejtuar nga Hamasi thotë se të paktën 8,796 palestinezë – përfshirë 3,648 fëmijë – janë vrarë nga sulmet izraelite që nga fillimi i konfliktit.

Gazeta Panorama