Screenshot

30 Maji 2026

Nga: Gazeta Sot

Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian ka hyrë në një fazë përcaktuese, ku mesazhet që vijnë nga Brukseli nuk janë më thjesht kritika, por dëshmi e faktit se dyert e integrimit do të qëndrojnë të mbyllura për aq kohë sa vendi mbetet nën kontrollin e një elite politike të korruptuar.

Për të zhbllokuar këtë rrugëtim, kërkohet një spastrim rrënjësor, një proces që tashmë ka nisur të marrë formë përmes hetimeve të thelluara të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) që pritet të tronditin themelet e sistemit. Pas largimit të Belinda Ballukut, korridoret e politikës janë në ankth për shkak të reprezaljeve të paralajmëruara që do të prekin gjirin e politikes, si të majtët ashtu edhe të djathtët.

Burime bëjnë me dije se për Ballukun, hetimet intensive kanë zbuluar surpriza të frikshme, që nga pasuritë e mëdha në emër të prestanomeve e deri te vazhdimësia e ushtrimit të pushtetit “në hije” dhe ndërhyrjet e paligjshme, pavarësisht largimit të saj zyrtar nga posti i ministres.

Një tjetër emër që ndodhet në qendër të stuhisë dhe rrezikon seriozisht lirinë është Taulant Balla. Figura e kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste qëndron si një nga pikat më të nxehta të dosjeve hetimore, pasi është konstatuar përfshirja e tij në lidhje me bandat dhe njerëzit e krimit.

Akuzat e ngritura kundër tij, të mbështetura nga procesverbalet e gjykatave dhe të prokurorisë, e kanë nxjerrë zbuluar kreun e grupit parlamentar të PS-së. Kjo përfshirje në dosjet e SPAK-ut e vendos atë në krye të listës së atyre që drejtësia po shqyrton për t’u kërkuar llogari.

“Furtuna”

Ndërkohë, vala e hetimeve nuk po kursen askënd, pasi nën lupën e drejtësisë ndodhen dhjetëra funksionarë të lartë, ministra dhe ish-ministra si Damian Gjiknuri, Arbjan Mazniku, Frida Krifca, Delina Ibrahimaj, apo Ceno Klosi, së bashku me një ushtri drejtorësh të rëndësishëm të përfshirë në afera.

Nga krahu i Partisë Demokratike, dosja e Flamur Nokës për pasuritë e dyshimta dhe aferat e Sali Berishës me bashkëpunëtorët e tij në PD po shkojnë drejt mbylljes, duke nisur nga tragjedia e 21 janarit, Gërdeci, pazaret me serbët dhe vrasjet në Tropojë. Për më tepër, goditja që pritet të tronditë themelet e pushtetit shkon deri te familja e kryeministrit Edi Rama, të cilët kanë dalë në dritë në dosjen voluminoze të AKSHI-t, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi përfshirjen e niveleve më të larta të qeverisjes në skema të dyshimta.

Në këtë arkitekturë të re të drejtësisë së pavarur, vetë kryeministri po shikohet si kurbani përfundimtar, ai që do të simbolizojë standardin e kërkuar nga Brukseli për një Shqipëri që shkëputet nga e kaluara kriminale, duke u kthyer në një shembull të ngjashëm me fatin e Sanaderit në Kroaci.

Në Kroaci, prokurorët specialë nisën hetimet për ish-kryeministrin kroat Sanader duke nisur që nga vlera e orës së dorës. Hetimet u thelluan, duke zbuluar pasuri të tjera dhe para korrupsioni jashtë vendit. Këtu SPAK e ka më të lehtë për të shkuar te fundosja e Edi Ramës pasi Belinda Balluku ishte e fundit në vlerë statistikore që po shton numrin e heronjve dardhaxhinj të Ramës, të cilët kanë rënë një e nga një në betejat e pafundme për të shtuar zerot e milionave nga vjedhjet dhe grabitjet e parave të taksapaguesve.

Stoiku kryeministër qëndron aty, në ballë të qeverisë të dardhaxhinjve, të cilët po e lënë të vetëm nga dita në ditë, pasi kanë marrë rrugën e vakancave në qelitë e burgjeve. Ka rënë Erion Veliaj, Arben Ahmetaj, Saimir Tahiri, Lefter Koka, Ilir Beqja, Jurgys Çyrbja, Alqi Bllako, Arben Ndoka, Jorgo Goro, Safet Gjici, Vangjush Dako, Lefter Alla dhe shumë të tjerë dhe sërish Rama kur arrestohen thotë se faji është i tyre.

Tani që heronjtë kanë rënë një e nga një, kryedardhaxhiut nuk i bën derman as antiplumbi që ka veshur në trup për tu mbrojtur nga dëmet që i ka shkaktuar shqiptarëve nga ngrënësit e dardhave. Po të gjithë e dimë që nuk ha kush dardha jashtë syve të Ramës.

Nuk lë njeri të këpusë kokërr dardhe nëse nuk e lejon ai, nëse nuk e bekon ai, as gjethet e as barishtet në rrugë. SPAK po heton me themel dhe Rama është në alarm pasi prokurorët specialë teksa po çojnë gjysmën e qeverisë së tij në burg mund të gjejnë prova që implikojnë dhe kryeministrin. Pra SPAK me ndihmën e ndërkombëtarëve është mundësia e fundit për mbylljen e tranzicionit shqiptar dhe shkallmimin e kësaj klase keqbërëse dhe mafioze politike, e cila ka tre dekada që vjedh, sundon dhe plaçkit Shqipërinë.

Në këto rrethana, krerët e korruptuar po bëjnë përpjekje maksimale për sabotimin e SPAK-ut, me shpresë për t’i shpëtuar lakut të drejtësisë.