Merita Halili: Kënga popullore është pasuria jonë më e çmuar, që duhet ruajtur dhe përçuar brezave të rinj

Merita Halili
8 Prill 2026
Intervistoi: Juljana Vrapi
Një nga këngëtaret më të njohura dhe të respektuara të muzikës popullore shqiptare, Merita Halili ka pasur një ndikim të madh në promovimin dhe ruajtjen e traditës sonë. Këngët e saj janë një pasuri e veçantë e muzikës popullore shqiptare, duke pasqyruar shpirtin dhe traditën e vendit tonë. Këngëtarja e mirënjohur Merita Halili ngjitet këtë herë në skenë në koncertin “Kur dy zemra dashurohen”, i cili zhvillohet për dy mbrëmje në Tiranë për të nderuar figurën e artistit të madh Muharrem Gurra. Në këtë intervistë për gazetën “SOT”, Merita Halili flet jo vetëm për krijimtarinë e këtij kompozitori të madh, por edhe për rrugëtimin e saj artistik, bashkëpunimin me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe për rëndësinë e ruajtjes së folklorit shqiptar. Merita Halili ndan dhe kujtimet nga takimi me kompozitorin Gurra, frymëzimin nga këngët tradicionale dhe mesazhin e fuqishëm për artistët e rinj, ruajtjen e këngës popullore dhe dashurinë për muzikën shqiptare. Këngëtarja gjithashtu thekson se festivalet e këngës popullore janë me rëndësi për ruajtjen e folklorit tonë, pasi ato ndihmojnë brezin e ri të njohë dhe të rritet me traditën e pasur muzikore.
– Koncerti premierë për të nderuar figurën e artistit Muharrem Gurra do të zhvillohet për dy mbrëmje me radhë në Tiranë. Si erdhi përfshirja juaj në këtë koncert kushtuar krijimtarisë së tij?
Me ftesë të familjes Gurra, konkretisht të Elvinës, e cila më ftoi që të jem pjesë e këtij koncerti. Do të jem në skenë dhe ndihem shumë mirë dhe e privilegjuar, sepse që kur kam qenë e vogël kam kënduar këngët e këtij kompozitori të madh, të kësaj legjende. Çdo këngë e tij ka qenë pjesë e fillimeve të mia dhe ndër interpretimet e mia më të bukura, duke u kthyer edhe në suksesin tim. Këngët e tij janë bërë suksesi im si këngëtare dhe unë kam pasur nderin ta takoj personalisht Muharremin. Ai më ka inspiruar shumë si kompozitor, më tregonte vazhdimisht historikun e këngëve, si i kishte krijuar ato dhe kujt ia kushtonte. Ai ia kushtonte bashkëshortes së tij, Xhemiles, të cilën e donte aq shumë. Në ato momente kam kuptuar sa i pasur është një njeri kur krijon këngë dhe ia kushton njeriut më të dashur të jetës. Më duket një dashuri dhe një frymëzim i jashtëzakonshëm, një njeri që inspirohet nga gruaja që do. Mendoj që brezi i ri duhet të marrë gjithmonë shembull nga këto lloj krijimesh, për të kuptuar fuqinë e pasionit, dashurisë dhe mënyrën e ndërtimit të tekstit, që ishte jetike. Ato ishin këngë me një dashuri të pastër, që vinin aq bukur dhe simbolizonin femrën dhe mashkullin: mashkulli si trëndafil dhe femra si lule. Kam një kujtim jashtëzakonisht të bukur me këngën “Dil të shof me sy”, kur ai tregonte: “Merita ishim në Golem dhe atë ditë Xhemilja nuk doli në plazh. Ndoshta i kishte mbetur hatri me mua, dhe unë fillova t’i këndoj me violinë…..”. Që këtu e shikon çfarë bote emocionale krijohet. Kam kënduar edhe këngët “Unë e di që ti më do” dhe “Fërfëlloj fëllonza n’ujë”, por këto nuk i kam kënduar vetëm unë, i ka interpretuar edhe e madhja Fitnete Rexha. Megjithatë, tek unë erdhën në një interpretim tjetër, me zërin dhe ndjesinë time. Këto kanë qenë burimi i frymëzimit dhe i interpretimit tim artistik.

Merita Halili
-Si e shikoni Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili po vijon një aktivitet artistik të larmishëm përmes koncerteve që zhvillon?
Në Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore kam hedhur hapat e para të mi artistikë. Edhe pse ndërrohen artistë dhe vijnë muzikantë të tjerë, sërish ruhet karakteri i ansamblit, si në valle ashtu edhe në këngë. Ndërkohë, më vjen mirë që drejtori artistik Sokol Marsi, bën një punë jashtëzakonisht të mirë për ta ruajtur këtë karakter. Ai përpiqet ta mbajë autenticitetin, duke qenë vetë muzikant, orkestrues dhe kompozitor. Unë e vlerësoj shumë, sepse nuk është prishur formati i tingëllimit dhe timbri i folklorit shqiptar.
-Çfarë e bën të veçantë këngën e Shqipërisë së mesme për ju?
Kënga e Shqipërisë së mesme për mua është arie e ndërtuar. Ajo ka tematikën, ka fabulën, ka lirizmin, ka dinamizmin e vet, por ka dhe melankolinë e vet. Kënga e Tiranës është e thellë. Të këndosh këngën e Tiranës ose këngën e Shqipërisë së Mesme është një botë e veçantë, është e brishtë, është brilante. Çdo krahinë ka veçorinë e vet, ndërkohë dhe kënga e Shqipërisë së Mesme ka veçorinë e saj.
– Sa i rëndësishëm ka qenë roli i bashkëshortit tuaj në rrugëtimin dhe suksesin tuaj artistik?
Raifi, bashkëshorti im, është një muzikant i përkryer. Ai jo vetëm më ka mbështetur, por më ka dhënë mundësinë që falë punës së tij, ne të depërtojmë edhe në shtete të tjera dhe te spektatori i huaj, duke përfaqësuar këngën shqiptare në mbarë botën. Jam shumë e lumtur, që jam bashkë me Raifin kudo që shkojmë.
– Folklori shqiptar është shumë i pasur. Si pritet ai në botë?
Folklori shqiptar pritet me shumë kuriozitet nga publiku i huaj, i cili është gjithmonë i interesuar të zbulojë diçka të re. Kur ne përfundojmë performancat tona, për ta është një përjetim i veçantë, sepse kjo muzikë nuk është diçka që e kanë dëgjuar shpesh. Për ta, ajo vjen si një burim natyror uji, e pastër, kristal dhe autentike.
-Si e shikoni gjendjen aktuale të muzikës popullore dhe, për ju, cilat janë rreziqet që i kanosen folklorit shqiptar sot?
Me rëndësi është të ruhet kënga popullore shqiptare. Mund ta sjellin në çdo lloj formash, por mos të ndryshojnë melodinë dhe tekstin. Kënga popullore duhet të ruhet e pastër. Nuk mund ta ndryshosh, sepse është krijuar nga dikush dhe është autoktone.
-Cili është mesazhi juaj për artistët e rinj, që duan t’i përkushtohen folklorit popullor?
Artistët e rinj duhet patjetër të ruajnë këngën popullore sa më pastër dhe me fanatizëm. Interpretimi është i tyre, por duhet të ruajnë gjithmonë tekstin dhe melodinë origjinale.

-Sa të rëndësishme janë festivalet e këngës popullore për ruajtjen dhe promovimin e folklorit shqiptar?
Festivalet e këngës popullore janë shumë të rëndësishme, sepse përçojnë dhe ruajnë folklorin. Ato ndihmojnë, që brezi i ri të njohë këngën popullore dhe të rritet me traditën tonë të pastër. Shqipëria është shumë e pasur me folklorin e saj, dhe festivalet janë mënyra më e mirë për ta promovuar atë.
–Ju do të ngjiteni këtë herë në skenë si e ftuar në një koncert për të cilin keni ardhur nga Amerika, ku dhe jetoni prej vitesh. Po a është në planet tuaja të organizoni një koncert-recital tuajin?
Po e mendoj, por shpresoj që ta realizoj me Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ende nuk ka diçka konkrete dhe nuk kam folur për detaje, por dëshira ime është ta organizoj këtë koncert edhe me ansamblin.
