Toka drejt 10 miliardëve njerzve, pesha e rëndë e mbipopullimit

7 Prill 2026
Në vitin 2026, popullsia globale ka arritur në rreth 8.3 miliardë banorë, një shifër katër herë më e lartë krahasuar me një shekull më parë. Ky rekord historik nuk përbën një kulm, por një etapë të ndërmjetme në një trajektore që pritet të vazhdojë përgjatë gjithë shekullit XXI, me pasoja të thella për qëndrueshmërinë e planetit.
U deshën mijëra vjet që popullsia botërore të arrinte 1 miliard banorë në fillim të shekullit XIX (1804). Më pas, ritmet u përshpejtuan ndjeshëm, 123 vjet për të arritur në 2 miliardë, vetëm 47 vjet për t’u dyfishuar në 4 miliardë në vitin 1974, dhe rreth 12 vjet për çdo miliard shtesë në dekadat pasuese.
Sot, popullsia globale është pesëfishuar krahasuar me fillimin e shekullit XX. Sipas projeksioneve të Kombeve të Bashkuara, ajo pritet të arrijë rreth 10 miliardë deri në vitin 2060, të kulmojë në 10.3 miliardë në vitin 2084 dhe më pas të shënojë një rënie të lehtë deri në fund të shekullit.
Një hartë e re demografike
Rritja e shpejtë nuk ka qenë uniforme. Përkundrazi, ajo ka ndryshuar ndjeshëm shpërndarjen gjeografike të popullsisë botërore.
Në fillim të shekullit XX, Evropa përbënte rreth 25% të popullsisë globale, ndërsa Afrika vetëm 8%. Deri në fund të shekullit XXI, parashikohet që Afrika të arrijë në 37%, ndërsa Evropa të bjerë në vetëm 6%.
Azia, e cila historikisht ka qenë epiqendra demografike me rreth 60% të popullsisë botërore, pritet të bjerë në rreth 45%. Ndërkohë, Amerika Latine dhe Karaibet, Amerika e Veriut dhe Oqeania mbeten relativisht të qëndrueshme, me përqindje njëshifrore.
Miti i “krizës së lindshmërisë”
Ndërsa popullsia globale vazhdon të rritet, debati publik shpesh dominohet nga shqetësimet për rënien e lindshmërisë në shumë vende. Mbi gjysma e shteteve kanë norma fertiliteti nën nivelin e zëvendësimit, çka çon në plakje demografike dhe në disa raste në tkurrje të popullsisë.
Megjithatë, ky fenomen shpesh paraqitet në mënyrë alarmiste.
Termat si “krizë demografike” apo “kolaps i popullsisë” përdoren për të përshkruar një realitet që, në disa aspekte, mund të sjellë edhe përfitime, si lehtësim i presionit mbi mjedisin apo përmirësim i kushteve për gratë dhe familjet punonjëse.
Një pjesë e ekonomistëve tradicionalë dhe aktorëve politikë argumentojnë se rritja e popullsisë është e domosdoshme për zhvillimin ekonomik, pasi rrit fuqinë punëtore dhe konsumin. Por kritikët theksojnë se ky këndvështrim shpesh injoron kostot reale sociale dhe mjedisore të një popullsie në rritje të pakontrolluar.
Mbipopullimi dhe kriza klimatike
Në sfondin e krizave mjedisore dhe klimatike, dimensioni demografik shpesh anashkalohet. Megjithatë, një planet me mbi 8 miliardë njerëz, dhe në rritje, ushtron presion të jashtëzakonshëm mbi burimet natyrore.
Rritja e popullsisë lidhet drejtpërdrejt me përshpejtimin e ndryshimeve klimatike, shkatërrimin e ekosistemeve, humbjen e biodiversitetit dhe rritjen e pasigurisë ushqimore. Sipas vlerësimeve të fundit ndërkombëtare, pothuajse gjysma e specieve migratore në botë janë në rënie për shkak të aktivitetit njerëzor.
Një tjetër sinjal alarmues vjen nga shkrirja e akullnajave në Antarktidë. Akullnaja Thwaites, e konsideruar si një nga më të rrezikshmet, po shkrihet me ritme shqetësuese. Kolapsi i saj i mundshëm mund të rrisë nivelin global të deteve me rreth gjysmë metri në dekadat e ardhshme, duke rrezikuar dhjetëra miliona njerëz në zonat bregdetare.
