Largohet Alda Bardhyli, Arta Marku emërohet drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit

7 Prill 2026
Gazetarja Arta Marku është emëruar Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, post të cilin më herët e ka mbajtuar Esmeralda Bardhyli.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur të martën se në krye të këtij institucioni është emëruar Arta Marku.
Nuk dihet ende nëse Esmeralda Bardhyli u shkarkua apo dha dorëheqjen nga ky post.
Gazetarja dhe kritikja letrare Arta Marku e nisi karrierën në vitin 1993 në gazetën “Koha Jonë”, për të vijuar më pas në media të rëndësishme si “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli” dhe “Panorama”, gjithmonë me fokus te libri dhe letërsia.
Ka drejtuar si kryeredaktore disa prej revistave më të njohura kulturore në vend, ndërsa prej vitit 2014 ka sjellë për publikun emisionin “Bibliotekë” në RTSH dhe “Palimpsest” në Radio Tirana. Përmes nismave si “Agora”, ajo ka afruar letërsinë me publikun në hapësira të hapura dhe interaktive.
E angazhuar vazhdimisht në promovimin e leximit, Arta Marku ka zhvilluar takime të shumta me nxënës në gjimnazet e Tiranës, si dhe ka qenë pjesë e jurive në çmime dhe konkurse të rëndësishme letrare.
Ajo është gjithashtu autore dhe përkthyese e disa veprave të rëndësishme, duke sjellë në këtë detyrë një përvojë të pasur dhe një vizion të qartë për zhvillimin e librit dhe leximit në Shqipëri.
Ministri Gonxhja ka falënderuar edhe ish drejtoreshën Esmeralda Bardhyli për punën dhe kontributin e saj të vyer ndër vite në këtë institucion.
