7 Prill 2026

Studentët shqiptarë në Shkup në protesta për të kërkuar respektimin e të drejtës së tyre themelore, arsimimin në gjuhën amtare. Akademia e Shkencave shpreh solidaritetin e saj me studentët shqiptarë të fakulteteve të Drejtësisë, në tre universitetet e Maqedonisë së Veriut, ai i Tetovës, i Europës Jug-lindore dhe universiteti i “Nënë Terezës” në Shkup. “Ditët e fundit studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut kanë zhvilluar një seri protestash në ambientet e universitetit, si edhe në hapësirat publike të qytetit të Shkupit, të mbledhur në mënyrë paqësore për të shprehur kërkesat e tyre.

Përmes këtyre tubimeve, ata kërkojnë respektimin e të drejtës së tyre themelore për arsimim në gjuhën amtare, në të gjitha nivelet, si dhe përfaqësim të drejtë dhe përmirësim të kushteve të studimit. Këto zhvillime nxjerrin në pah një çështje thelbësore për popullsinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut: garantimin e barazisë dhe të të drejtave kushtetuese e të standardeve europiane në përdorimin e gjuhës shqipe.

Në këtë përpjekje të drejtë dhe legjitime, Akademia e Shkencave e Shqipërisë shpreh mbështetjen e saj për studentët shqiptarë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe zhvillimit të identitetit përmes arsimit në gjuhën shqipe e përdorimit legjitim e pa pengesa të saj”, thuhet në një deklaratë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Në Shkup qindra studentë shqiptarë të Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut kanë dalë në një protestë masive për të kërkuar përdorimin e gjuhës amëtare në provimet e diplomimit, një e drejtë që praktikisht ekziston në letër. Me thirrjet “Gjuha shqipe e drejta jonë” , “ne flasim shqip”, studentët mbanin pankarta të ndryshme dhe flamujt kuq e zi, duke kërkuar diçka që është e garantuar.