6 Janar 2024

Në reagimin e tij, Milojko Spajić thotë se i vjen keq për ngjarjen e ndodhur ndërsa bën me dije se një nga autorët është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij.

“Më vjen shumë keq për ngjarjet e sotme që ndodhën të ftuarit tanë të dashur nga Shqipëria. Theksoj se Mali i Zi duhet dhe do të jetë një oaz paqeje dhe sigurie për të gjithë. Mendimet tona janë me të gjithë të prekurit dhe ne po punojmë për t’i ofruar të gjithëve sigurinë dhe mikpritjen që meritojnë. Një autor është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij. Së shpejti të gjitha informacionet do të bëhen të ditura për të tjerët”, shkruan ai në platformën ‘X’.

Si ndodhi ngjarja dhe kush janë tre të dhunuarit:

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00, në vendin e quajtur “Zelenika”, në afërsi të qytetit të Herceg Novit. shtetasit shqiptarë Klodjan Meaj, Azem Dervishi dhe Doris Kopaci, kanë qenë duke lëvizur  me një automjet me targa gjermane dhe befas janë sulmuar pa asnjë shkak, nga një grup prej 6 ose 7 personash, të cilët kanë goditur fillimisht automjetin dhe më pas kanë sulmuar fizikisht shtetasit shqiptarë, duke iu shkaktuar dëmtime fizike në pjesë të ndryshme të trupit.

Të tre shtetasit shqiptarë janë paraqitur në Policinë lokale, në Herceg Novi, ku fillimisht janë  trajtuar nga ana e mjekut ligjor, i cili ka konstatuar dëmtime të shkaktuara nga goditjet fizike.

Nga ana e Policisë malazeze iu është kërkuar shtetasve shqiptarë që të bënin kallëzim për ngjarjen, por fillimisht ata nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim.

Pas interesimit të Ministrit të Brendshëm dhe të drejtuesve të Policisë së Shtetit, të tre shtetasit kanë pranuar të bëjnë kallëzim vetëm në prezencë të avokatit.

Ambasada e Shqipërisë në Malin e Zi iu ka vënë në dispozicion avokat, shtetasve shqiptarë.

Homologët malazezë i kanë siguruar drejtuesit e Policisë së Shtetit, se të tre shtetasve shqiptarë iu është ofruar ndihma dhe asistenca e nevojshme dhe se Policia po kryen hetime intensive për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, për të cilën, deri tani, janë shoqëruar disa shtetas.

Tre shtetasve shqiptarë, pasi të bëjnë kallëzim, do t’u vihen në dispozicion fotografi të autorëve të dyshuar, me qëllim identifikimin e tyre dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes.

Gazeta Panorama