Katër ministritë, insitucionet vendore por edhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe donatorët do të orientohen drejt mbështetjes së programit “100 fshatrat”.
Drejtorja e kabinetit në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Sofjola Kotelli, në një intervistë për “Monitor”, nënvizon se paketa e mbështetjes është gjithëpërfshirëse, si për bizneset ekzistuese, edhe ato të reja.

 Sofjola Kotelli, Drejtor Kabineti në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rura:

Disa nga kategoritë që do të përfitojnë këtë mbështetje do të jenë bujtinat, subjektet me aktivitet agroturistik, inkubatorët dhe prodhimet tradicionale, si dhe startup-et për të rinjtë.

Sipas Kotellit, programi synon që në krye të tre viteve do të kemi një fshat model, që nënkupton një fshat të plotësuar në infrastrukturë, shërbime publike, zhvillim agroturizmi dhe prodhim të produkteve tipike, duke pasur si synim rritjen e mirëqenies në zonat rurale.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka publikuar listën me 100 fshatra që do të përfitojnë nga programi që mban të njëjtin emër. Çfarë kriteresh u morën në konsideratë dhe çfarë synohet të arrihet brenda tre viteve?

Në listën fillestare, ne patëm 188 propozime. Ishin të gjithë fshatra të propozuar nga Bashkitë dhe që ishin të njohur për diçka, qoftë për një monument të veçantë, qoftë për kulinarinë, për natyrën dhe aventurën. Nga gjithë kjo listë u morën në vlerësim disa faktorë, për të nxjerrë edhe 100 përfituesit e parë.

Kjo lidhej me numrin e banorëve, pasuritë që kishte secili si dhe potenciali për zhvillimin e tyre si bujqësor ashtu edhe jobujqësor. Një pjesë e mirë e kësaj liste përfshin, fshatra që ne i njohim që tani si destinacione për t’u vizituar, por që përmes programit do t’i jepet një dimension i ri promovimit dhe zhvillimit të tyre. Programi “100 fshatrat” pritet që të nisë së shpejti dhe të shtrihet në një periudhë prej tre vjetësh.

Është një bashkëpunim mes katër ministrive, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimi Rural, që është edhe koordinuesja, si dhe ministritë përgjegjëse për Infrastrukturën dhe Energjinë, Turizmin dhe Mjedisin, si dhe ajo e Kulturës.

Secila prej tyre do të parashikojë në fondet e veta një xhep të veçantë, që do të orientohet drejt synimit që ka ky program, që është ngritja e një modeli të suksesshëm. Me këtë model do të kuptojmë një fshat të plotësuar në infrastrukturë, shërbime publike, zhvillim agroturizmi dhe prodhim të produkteve tipike, duke pasur si synim rritjen e mirëqenies në zonat rurale.

Ju keni deklaruar paraprakisht një fond prej 2.5 milionë eurosh për këtë program si ministri. A kemi një total të vlerës që do të shkojë për këtë program, përfshirë dhe buxhetet e ministrive të tjera?

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e ka parashikuar në buxhetin e vet të 2018-s vlerën prej 2.5 milionë euro dhe të njëjtën gjë pritet të bëjnë edhe ministritë e tjera të përfshira në Program dhe në datën 31 janar do të kemi një panoramë më të qartë sesa fonde janë në dispozicion në total dhe kush do të ndihmojë me çfarë.

Në këtë program, ne do të orientojmë edhe fondet e donatorëve, për shembull nëse ka një projekt për inkubatorët apo për ujitjen dhe kullimin, apo edhe garante për bujtina. Të gjitha lehtësitë publike dhe private do të kenë fokusin, në mënyrë që në krye të tre viteve, modeli që do të kemi përmbyllur të jetë i plotësuar në çdo aspekt. Duhet të kuptojmë që këtu u jepet përparësi investimeve në 100 fshatrat e përzgjedhur. Megjithatë fshatrat e tjerë nuk do të lihen pas dore, ato do të jenë pjesë e investimeve të parashikuara në buxhet në zëra të tjerë.

Nga fondi prej 2.5 milionë euro mund të përfitojnë vetëm bizneset e reja apo edhe ato ekzistuese? A kemi një ndarje kategorish?

Kjo mbështetje vlen për të dyja grupet. Bizneset ekzistuese mund të aplikojnë për të rritur standardin e tyre, kurse ato të reja për të kërkuar një mundësi më shumë dhe për të nxitur zhvillimin e përgjithshëm në rajonin ku operojnë. Mënyrat sesi do të mbështeten bizneset në secilën nga kategoritë e specifikuara në program mbetet ende për t’u finalizuar.

Në një draft paraprak, ne kemi menduar mbështetje për ngritjen e guesthouse dhe bujtinave, për aktivitetin agroturistik, nxitjen e prodhimit tradicional e lidhur me ngritjen e punishteve të vogla, startup-et për të rinjtë dhe inkubatorët për prodhimin tradicional, si dhe dyqanet e prodhimeve shqiptare.

Të gjitha këto kanë një financim që varion sipas kategorisë nga 50%, 70% apo 80% të vlerës së investimit por me një kufi të sipërm që nuk duhet të kalohet. Dua të nënvizoj se në këtë proces merr rëndësi të madhe bashkëpunimi dhe koordinimi i të gjithë instancave, përfshi vendorët apo institucione të tjera, në mënyrë që orientimi i burimeve dhe investimeve të jetë në harmoni me programin, në mënyrë që të kemi një model suksesi.