Laboratorë ‘copy-paste’: – I njëjti mjek firmos analiza në disa pika/ Skema që ngre pikëpyetje

24 Maji 2026
Sipas Qendrës Kombëtare të Licensimit, në Shqipëri operojnë rreth 957 laboratorë klinikë, ku çdo ditë analizohen mostra biologjike të pacientëve, gjak, urinë, feçe dhe lëngje të tjera trupore, me qëllim diagnostikimin, monitorimin dhe ndjekjen e sëmundjeve.
Por kur një analizë interpretohet gabim, kostot për pacientin mund të jenë vërtetë të larta. Prandaj në secilën nga këto struktura, krahas laborantëve dhe teknikëve, është i domosdoshëm edhe një staf mjekësor i kualifikuar, i cili ka për detyrë
– validimin mjekësor të rezultateve përpara publikimit
– mbikëqyrjen e kalibrimit të aparaturave për të garantuar saktësinë
– mbikëqyrjen e kontrollit të cilësisë për të garantuar besueshmërinë
– interpretimin profesional të rezultateve
– garantimin e sigurisë së pacientit
Thënë shkurt, një mori detyrash, që e ngarkojnë me shumë përgjegjësi mjekun e laboratorit.
Për më tepër, ky rol kërkon prani reale profesionale dhe mbikëqyrje aktive gjatë një orari të plotë pune prej 40 orësh në javë për një laborator dhe pikërisht këtu nis problemi.
Sepse sipas Urdhrit të Mjekut, në të gjithë vendin rezultojnë të licensuar vetëm 106 mjekë laboratori. Pra, një mjek për afro 9 laboratorë.
Një formulë tërësisht e pamundur të funksionojë. Ndaj për të mbuluar këtë mangësi hyjnë në lojë teknikët e laboratorit të cilët në realitet kanë për detyrë të ndjekin vetëm procedurën teknike të analizave. Ndërsa, siç thamë, personat përgjegjës për nxjerrjen, interpretimin dhe firmosjen e rezultateve duhet të jenë mjekët e laboratorit. Pra, këta 106 personat e licensuar në të gjithë Shqipërinë, që vendosin firmën për një punë të bërë nga teknikët e laboratorit.
Por pse jemi kaq të sigurt që gjërat funksionojnë kështu siç po i tregojmë?
Ose më saktë NUK funksionojnë.
Për ta dokumentuar këtë, vendosëm të bëjmë një xhiro në disa laboratorë të Tiranës.
Pasi kemi kryer analizat në laboratorin e parë, përgjigjja na vjen fillimisht në WhatsApp dhe pak minuta më vonë edhe në telefon.
Meqenëse rezultatet preferojmë t’i marrim nga afër, nuk mjaftohemi me telefonatën, por vendosim ta takojmë vetë mjeken e laboratorit. Por gjërat shkojnë pikërisht ashtu siç e kishim parashikuar.
Recepsionistja flet me shumë siguri për rolin e mjekut të laboratorit por pas insistimit tonë, vendos të na çojë tek mjekja.
Të paktën kështu menduam.
Ja pra që mjeke nuk paska. Dhe ky nuk është aspak një rast i izoluar.
Në dy raste mjekët mungojnë fizikisht, duke e lënë gjithë peshën e interpretimit të analizave, tek teknikët e laboratorit të cilët thuajse gjithmonë janë të rinj e të reja, që pavarësisht kualifikimit, nuk kanë kompetencën për të interpretuar rezultatet.
Sidoqoftë, insistojmë me punën tonë në terren për të kuptuar njëherë e mirë se çfarë ndodh realisht në laboratorët e analizave për shkak të mungesës së mjekëve.
Është data 1 Maj 2026. Dhe ne vendosim të dërgojmë dy mostra biologjike në dy laboratorë të ndryshëm, në dy zona të ndryshme të Tiranës, shumë larg njëra-tjetrës dhe thuajse në të njëjtin orar.
Kjo ndodh pasi jemi informuar që në të dy laboratorët, analizat i interpreton e njëjta mjeke.
Dy orë më vonë, pasi kemi dorëzuar kampionët, përgjigjet na mbërrijnë në WhatsApp.
Dheeee… surprizë. Në të dy laboratorët, rezultatet janë firmosur nga e njëjta mjeke, e cila i bie që në të njëjtën kohë të ketë qenë prezente në dy laboratorë të ndryshëm, rreth 7 kilometra larg njëri-tjetrit, dhe brenda një kohe kaq të shkurtër të ketë parë, interpretuar dhe firmosur analizat?
Për këtë, më mirë të kërkojmë sqarim direkt në laboratorët përkatës.
Zonja përballë nesh nuk është mjeke laboratori. Ajo është teknike laboratori që jo vetëm na u hoq si mjeke, por, madje mori përsipër kompetencat e doktoreshë Nevilës.
Dhe madje duket shumë e bindur që është doktoresha në fjalë… kur në fakt emri i saj por edhe pozicioni në klinikë është krejt i ndryshëm.
Gjithsesi, le të shohim nëse e gjejmë doktoreshën në laboratorin e dytë.
Dhe këtu jemi të pafat. Nga mjekja asnjë gjurmë.
Gjithsesi përmes telefonit ajo e justifikon kështu mosprezencën.
Një mjeke laboratori e cila po bën një përdorim formal të liçensës. Sidoqoftë, doktoresha është në rregull. Për sa kohë nga Ministria e Shëndetësisë janë lejuar të hapen laboratorë në disproporcion të plotë me numrin e mjekëve, ajo dhe 105 kolegët e saj mund të jenë në 9 e më shumë vende njëkohësisht.
Ndaj pyetjet tona, jo për mjeken por për institucionet tona shëndetësore janë të thjeshta:
Si mundet një mjek të nxjerrë dhe të interpretojë rezultate analizash në një raport 1 person me 9 laboratorë? A duhet të dyshojmë që pavarësisht teknologjisë dhe kualifikimit të teknikëve të laboratorit, rezultatet të mos interpretohen si duhet?
Skandali bëhet edhe më i madh kur kupton se njerëzit që votojnë ligjet në Parlament, janë njëkohësisht edhe pronarë të këtij biznesi gjigant, që funksionon me mangësi dhe parregullsi të përsëritura, siç është rasti i deputetit Vasil Llajo, i cili është pronari i Intermedica, rrjeti më i madh laboratorik në vend, me të paktën 20 pika në të gjithë Shqipërinë.
Zoti Llajo, i cili është edhe vetë mjek, nuk jep një përgjigje konkrete për problemin, duke ia kaluar përgjegjësinë Ministrisë së Shëndetësisë por mos harrojmë që në këtë rast kemi të bëjmë jo thjesht me një pronar laboratori, por me një ligjvënës, që fare mirë mund ta ngrejë këtë shqetësim në sallën e parlamentit.
Po cili është problemi real në këtë vëzhgim që bëmë? Numri tepër i lartë i laboratorëve, apo mungesa e mjekëve laboratorikë?
Për ta kuptuar, mjafton një krahasim me Kosovën.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, atje janë të licensuar rreth 194 laboratorë mjekësorë privatë për një popullsi prej afro 1.6 milion banorësh. Pra, një laborator për rreth 8200 persona. Ndërkohë në Shqipëri kemi mbi 957 laboratorë për rreth 2.3 milion banorë.
A është vërtetë i nevojshëm një numër kaq i madh laboratorësh? Aq sa sot në çdo lagje i gjen më shpesh se furrat e bukës?
Dhe tani një tjetër krahasim interesant. Në Kosovë janë rreth 80 mjekë për 192 laboratorë.
Pra, një mjek për dy laboratorë.
Në ndryshim nga 106 mjekët e Shqipërisë që mbulojnë mbi 957 laboratorë. A mos vallë kolegët e tyre përtej kufirit janë kaq të paaftë sa të mos guxojnë të hapin e të hapin pafund laboratorë të tjerë?
Apo mos ndoshta atje nuk lejohet që firma e një mjeku të përdoret dhe të delegohet pa asnjë kriter, e gjitha kjo në kurriz të shëndetit të pacientëve. Këtu ndoshta përgjigje duhet të na japë Ministria e Shëndetësisë.
