“Zgjedhjet në PD ishin votëbesim për Berishën”. – Me emra anonimë, do të ishte varianti i Ramiz Alisë në ‘91

25 Maji 2026
Ish deputeti i Partisë Demokratike, Myslim Murrizi thotë se të shtunën e 23 majit, demokratët zhvilluan një proces votëbesimi për Sali Berishën. Sipas tij, procesi nuk ishte një referendum, siç e ka cilësuar selia blu.
I ftuar në News24, ai theksoi se kandidaturat që nuk u lejuan në garë, nuk do të mund të fitonin gjithsesi përballë Berishës sepse sipas tij, për sa kohë kandidon ai, gara nuk do të ishte e barabartë.
Sipas tij, nëse Berisha do të kishte përballë kandidatura që ai i cilësoi si anonime, do të ishte varianti i Ramiz Alisë në vitin 1991.
“Për mua ka qenë votëbesim përderisa nuk kishte kandidaturë tjetër. Kam qenë i vetmi nga këshilli kombëtar që në korrik 2025, ku po artikuloheshin gjëra për përgjegjësi, pati deklaratë se po prisnim raportin e OSBE/ODIHR duhet të kalonin në votëbesim. Sa kohë që kandidaturat të përcaktuara në bazë të statutit, nuk përmbushnin kriteret, nuk flas për Salianjin, më mirë një votëbesim sesa një garë me Berishën dhe kandidatura qesharake.
Kam qenë kundër përjashtimit nga gara të Salianjit apo çdo figure politike që plotëson kushtet e statutit dhe të qenit një politikan me zë në arenën kombëtare, apo një figure, ish deputet apo ato që janë aty.
Nuk do të shkoja në votim nëse do të ishte varianti i Ramiz Alisë në ‘91 me kandidatura anonime për kohën. Se është tallje me demokratët. Nuk besoj se asnjë kandidat nuk do ta mundte Berishën. Për sa kohë kandidon Berisha nuk ka garë. Asnjë nuk mund të jetë në kushte të barabarta.”, u shpreh Murrizi.
Më pas, një koment bëri edhe për situatën me Ervin Salianjin, teksa tha se statuti nuk lejon përjashtimin nga anëtarësia.
“Nuk është referendum, për mua është votëbesimi i Sali Berishës, janë apo nuk janë dakord meqenëse nuk ka kandidaturë. Statuti i PD, pas prillit 2022 nuk ka përjashtim nga partia. I fundit që është përjashtuar me statutin e vjetër ka qenë Myslim Murrizi në shkurt 2019, kur nuk shkova pas tufës pa djegur mandatin. Nuk kemi përjashtim nga partia, vetëpërjashtim është term i shpikur dhe nuk ekziston fare në statut. E kanë mësuar për keq Berishën. Nëse Berisha nuk do të kandidonte do të kishte një garë reale.”, tha Murrizi.
