MANASTIRI I FJETJES SË TËRËSHENJTËS,

GORANXI, GJIROKASTËR
Manastiri i Shën Marisë, Ravenjës

Manastiri ndodhet rreth 4 km mbi fshatin Goranxi të krahinës së Dropullit, në një lartësi rreth 650 m mbi nivelin e detit. Hapja e rrugës automobilistike nga fshati në manastir me gjatësi 4 km, e bën këtë monument të vizitueshëm.

Manastiri njihet më gjerësisht me emrin “Manstiri i Ravenjës” dhe kisha e tij i kushtohet “Fjetjes së Tërëshenjtës”. Nga manastiri kanë mbetur kisha dhe disa ndërtesa përreth, në gjendje të dëmtuar.

Hyrja për në manastir bëhet nga ana veriore, nëprmjet një porte të harkuar, të mbrojtur nga një portik me dy kolona. Mbrenda mureve rrethuese që mbyllin një oborr thuajse katror, janë ndërtuar qelitë, depot dhe ambiente të tjera shërbimi.

Manastiri i Goranxise Gjirokaster. Foto Pirro Tomo.

Në mes të oborrit ngrihet kisha. Sipas mbishkrimit të gdhendur në një pllakë guri mbi portën e narteksit, kisha është ndërtuar në vitin 1600 nga jeromonak Kristofori.

Përbehet nga naosi, të cilit i bashkëngjitet në anën perëndimore narteksi dhe, më tej, eksonarteksi. Naosi i përket tipit në formë kryqi me kupolë dhe me apsida anësore, ose i tipit athonik. Narteksi dhe eksonarteksi janë të mbuluara me një sistem qemeresh dhe kalotash sferike. Mbi frontonin perëndimor të narteksit ngrihet kambanorja.

Veçanti e saj, që e dallon nga kishat e tjera të së njejtës krahinë dhe periudhë, por që njëkohesisht përbën një rast unikal në arkitekturën pasbizantine, është dekoracioni i saj i jashtëm. Apsidat, tamburi i kupolës dhe dritaret e apsidave përmbajnë kolonçina prej guri tq lidhura me harqe, të cilat duke u ndërprerë ndërmjet tyre, krijojnë një harkadë me harqe të mprehtë. Në timpanet e harqeve janë vendosur relieve me motive zoomorfe dhe anthropomorfe. Ky dekoracion i ka shtyrë studiuesit të shprehen për ndikime perëndimore në këtë kishë.

E gjithë sipërfaqja e brendshme e kishës është e mbuluar me pikturë murale e një cilesie të lartë artistike, e cila ruhet në gjendje relativisht të mirë. Piktura, e cila mbetet anonime, në qoftë se e përgjithesojmë me mbishkrimin që gjendet poshtë skenës së Platiterës në konkën lindore, duhet të jetë ekzekutuar në vitin 1622.

Ruhet gjithashtu ikonostasi prej druri të gdhendur me ikonat e mëdha në brezin e poshtëm dhe ikonat e dymbëdhjetë festave në brezin e sipërm. Ikonostasi duhet të jetë vepër e shek. 18, në qoftë se nisemi nga mbishkrimi i ikonës së Fjetjes së Shën Marisë, e pikturuar nga biri i Athanasit Kapesovitit (Ιω /’Αθανασίου/ Καπεσοβίτου) dhe e dhuruar nga Zambetas Haxhi Vasiliu nga Gjirokastra. Manastiri kishte gjithashtu dhe vulën e saj që mbante datën 1622.
Credit / photo : Pirro Tomo.

Nga: Albanian Archaeology