Lulzim Basha rrugës për në Fier/ Simpatizantët i dalin para në rrethrrotullimin e Kolonjës, varg makinash dhe flamuj të PD-së

30 mars 2021

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është nisur në drejtim të Fierit, qytet ku do të zhvillojë takime në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Simpatizantë dhe qytetarë fierakë kanë dalë për ta pritur Bashën në aksin Lushnje-Fier, në rrethrrotullimin e Kolonjës.

Në një video të publikuar nga kreu i selisë blu në rrjetet sociale, Basha shfaqet duke takuar mbështetësit që brohorasin në kor: “Rama ik!”, “Edi Rama ka mbaru, ka mbaru!”.

Kreu i PD-së shoqërohet nga një vag makinash, nga ku simpatizantët shpalosin flamurin demokrat dhe atë kombëtar.

Ndërkaq një banderolë është vendosur në rrotullimin e Sharrës me mbishkrimin: “Mirë se vjen kryeministri Basha”.

Takimi i Lulzim Bashës në Fier ishte planifikuar të mbahej ditën e hënë, por u anulua në momentet e fundit për të respektuar ditën e zisë në nder të ish-kryeministrit dhe deputetit të ndjerë socialist Bashkim Fino.

Gazeta Panorama