Lëvizja e re studentore, kërcënim serioz për krimin politik dhe politikën kriminale

Nga Enida Vërça

Mjaft qytetar u zhgënjyen nga lëvizja studentore e Dhjetorit të 2-të të 2018. Ajo qe vërtet një lëvizje për nga dimensioni masive, për nga përmbajtja e rëndësishme, për nga forma aforme dhe për nga konkluzionet boshe. Megjithatë kishte dhe pasoja pozitive.

Së pari trembja e qeverisë shkoi deri në palcë kur kryeministri tha se ne hëngrëm një goditje nga kjo lëvizje, ndërroi gjysmën e qeverisë dhe propozoi një pakt për universitetin të cilin nuk e bëri me ne, por me vetveten. Nga e gjithë kjo, ajo që mbeti ishte zhgënjimi për paktin i cili nuk prodhoi asgjë, dhe rezultoi një mashtrim për të gjithë ne, mashtrim ky për të cilin vetë ne jemi përgjegjës.

Lëvizja e re studentore sot po mbështetet pikërisht nga ata të cilët refuzuan lojërat partiake dhe politikat e qeverisë. Është vërtet kënaqësi të konstatosh se një numër i rëndësishëm prej nesh kanë arritur të kuptojnë se politika dhe politikanët kanë konsumuar tej çdo limiti të gjitha realitetet sociale, ekonomike dhe filozofike, dhe kanë dhunuar pabesisht dinjitetin e të gjithë shqiptarëve duke u hequr si mbrojtës të tij.

Grupi ynë, bazuar në parullat e lëvizjes së Dhjetorit të dytë të studentëve, ka kuptuar se pa parti e pa negociata me politikanët mashtrues, mund të gjejnë rrugën që ju nevojitet së pari vetë studentëve e më pas lirisë akademike. Ne besojmë se studentët në të gjithë botën janë motori i lëvizjeve shoqërore, i ndryshimit të mendimit dhe transformimit social dhe nuk ka asnjë arsye pse ne duhet të mendojmë ndryshe. Kemi kuptuar se shoqëria jonë, shoqëria shqiptare, ndodhet në kuotat më të ulëta të besimit tek shteti, të vetëbesimit, por ky besim është tronditur edhe ndaj nesh.

Prandaj, kemi vendosur të përballohemi dhe ta ndryshojmë këtë realitet, ndryshe nga politikanët të cilët në fushën e tyre luftojnë kundër njëri tjetrit me parimin “Kap ç’të kapësh”. Objektivi ynë kryesor është të bashkohemi në nivel kombëtar me qëllime të qarta, të mbrojtjes dhe forcimit të statusit të studentit në jetën e tij akademike, të ndikojmë në rritjen e dimensionit të lirisë akademike në mënyrë që universitetet tona të marrin përgjegjësinë për dijen në vendin tonë, dhe ta vendosin atë në dispozicion të shoqërisë. Ne duam që modeli i kurajës studentore nëpërmjet lëvizjeve dhe protestave të vazhdueshme, çlirimi i dinjitetit njerëzor nga presioni standard i qeverisë ndaj pedagogëve dhe studentëve, angazhimi i kontributit akademik dhe kërkimit shkencor në zhvillimin ekonomik të vendit do sjellin patjetër progres dhe prosperitet për shoqërinë shqiptare. Ndriçimi i skutave të errëta të lojërave të pista politike, fjala e lirë, kurajë qytetare, të krijojnë një terren të ri, për lëvizje të reja politike në dobinë e të gjithë shqiptarëve.

Lëvizja jonë do të shumojë përpjekjet e partive politike për ti përdorur studentët për kauzat e tyre boshe. Ajo po bashkon studentët e të gjithë universiteteve të Shqipërisë me një platformë të qartë dhe do të jetë modeli më i mirë i një lëvizje sociale, duke marrë përgjegjësitë që i takon kësaj shtrese të re intelektuale.

Sinjali është i qartë. Lëvizja jonë po e rimerr veten, dhe do të jetë një risi për shoqërinë tonë, dhe një kërcënim serioz për krimin politik dhe politikën kriminale.

Gazeta Shekulli