Lajmi I Fundit, ora 01.41, 29 Nëntor.

50 viktima nga tërmeti! Nxirren të gjithë trupat nga rrënojat në Thumanë dhe në Durrës

Nga Gazeta Shqiptarja.com

Përfundojnë operacionet e kërkim shpëtimit. Nxirren dy trupat e fundit të pajetë në Durrës duke e çuar bilancin e viktimave në 50. 24 të vdekur në Durrës, 24 në Thumanë dhe 2 në Kurbin. Prej ditës së tërmetit të fortë e deri në vijim gazetarët e Report Televizion dhe redaksisë online të Shqiptarja.com kanë ndjekur të gjitha zhvillimet e një prej fatkeqësive natyrore më të rënda që ka kaluar vendi.

TIRANE- Një bilanc tragjik shënoi tërmeti i fuqishëm i së martës në Shqipëri, 50 jetë të këputa në mes. Fëmijë, burra, gra, të moshuar, të rinj, familje që u shuan nga tërmeti 6.4 ballë i shkallës Rihter në orën 03:54 të mëngjesit të 26 nëntorit. Pak pas mesnate, teksa hyri data 29 nëntor, ekipet italiane të shpëtimit që i erdhën në ndihmë popullit shqiptar si shumë partnerë të tjerë të huaj, nxorën nga rrënojat dy trupat e fundit të pajetë, atë të Ilir Lalës në vilën 4 katëshe në Kënetë të Durrës, aty ku tragjedia goditi më fort me vdekjen e 8 anëtarëve të një familjeje, dhe të Xhuljeta Gjonajt në pallatin tek “2 Gjelat” po në qytetin bregdetar.

Operacioni i kërkim shpëtimit në Thumanë të Fushë-Krujës, aty ku u shembën thuajse totalisht tre pallate, përfundoi një natë më parë. Si për ironi të fatit, janë shënuar 24 viktima në Durrës dhe 24 në Thumanë, ndërsa dy të rinj humbën jetën në Kurbin, njëri duke u hedhur nga ballkoni i tmerruar nga tërmeti dhe tjetri në aksident me makinë duke shkuar në spital pas dëmtimeve nga lëkundjet. Forcat e ushtrisë shqiptare, zjarrfikëset, forcat speciale, emergjencat civile dhe grupet e shpëtimit nga vendet partnere, Italia, Franca, Turqia, Serbia, Kosova, Rumania, Kroacia, Zvicra, Greqia etj, u bënë bashkë, për të nxjerrë trupat nga rrënojat. pati duartrokitje të shumta në momentet përlotëse të nxjerrjes gjallë të banorëve, por edhe heshtje të kobshme të nxjerrjes së viktimave. Heronj që nën kushte të vështira dhe aspak të favorshme të motit të keq nuk pushuan derisa e përmbyllën misionin me nxjerrjen nga rrënojat të të gjithë trupave. Ngjarja tragjike që përfshiu Shqipërinë ngjalli ndjenjën humane të shumë qytetarëve, vendas e të huaj, që dhuruan ushqime, vlera monetare por mbi të gjitha lutje, për të prekurit nga tërmeti. Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe në Durrës, ndërsa 27 nëntori, dita e parë pas tërmetit u shpall ditë zie. Dita e shpalljes së pavarësisë  u kujtua vetëm me ngritjen e flamurit ndërsa u anuluan të gjitha aktivitetet zyrtare. Mësimi në të gjitha shkollat në Shqipëri është anuluar deri me 2 dhjetor. Të mbijetuarit po strehohen në hotele, çadra, ashtu sikundër shumë të tjerë kanë zgjedhur t’i kalojnë netët në makina pranë shtëpive të tyre të dëmtuara nga frika se kjo situatë mund të shfrytëzohet nga hajdutët. Prej ditës së tërmetit të fortë e deri në vijim gazetarët e Report Televizion dhe redaksisë online të Shqiptarja.com kanë ndjekur të gjitha zhvillimet e një prej fatkeqësive natyrore më të rënda që ka kaluar vendi.