burg-albania

Kush po i liron bosët e krimit në prag të zgjedhjeve të parakohshme?

18/01/2020

Nga Mili Xhani

Opinioni po bombardohet çdo ditë me lajme se reforma në drejtësi do bëjë namin me burgosje të kriminelëve të rrezikshëm dhe politikanëve. Teksa shqiptarët presim produktin e reformës që do mbushë qelitë me emra të rëndësishëm, po shohin se burgjet po zbrazen në mënyrë të çuditshme nga të tjerë personazhe për të cilët janë dhënë vendime të rënda. Në pak muaj, vendimet e gjykatave kanë lejuar që të lënë burgun persona të dënuar përjetë apo me dënimin maksimal prej 25 vitesh. Emra të njohur të bandave të vitit 1997, si dhe personazhe që kanë pasur peshë në botën e krimit në Shqipëri pas viteve 2000, çuditërisht janë nxjerr nga qelitë dhe kanë arritur të mbyllin hesapet me drejtësinë. Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi renditi dje një listë me emra të njohur që tashmë shijojnë lirinë edhe pse të gjitha gjykatat, vite më parë, i kanë shpallur ata fajtorë dhe i kanë dënuar maksimalisht. Lirimet e tyre janë bërë me vendime gjykate, por ajo që nuk shpjegohet është sesi një vendim me burgim përjetë apo 25 vjet mund të fshihet nga drejtësia dhe personat të dalin duke kryer vetëm 10 apo 17 vjet burg. Pas kësaj skeme, Partia Demokratike thotë se qëndron qeveria “Rama” dhe lidhjet e saj direkte me personazhet e liruara dhe aktivitetin e tyre. “Lulzim Berisha, Endrit Dokle, Genc Tafili, Ilir Paja, Viktor Ymeri jo vetëm janë jashtë burgut, por kanë dalë me garanci shtetërore, duke u siguruar vende pune. Të gjithë këta kanë punuar brenda dhe jashtë burgut për të bërë vota për Partinë Socialiste, për të mbajtur në pushtet Edi Ramën”,- deklaroi dje Sekretari i PD-së, Gazmend Bardhi.

Në të gjitha rastet e lirimit, një grup i vogël gjyqtarësh kanë marrë përsipër të zërojnë vendimet me burg përjetë dhe dënimet e rënda duke sfiduar çdo logjikë juridike. Në këtë operacion ligjor nuk mungojnë, në disa raste edhe emra biznesesh dhe drejtues pushteti lokal në PS, që kanë marrë përsipër siç parashikon ligji sistemimin e të liruarve më punë. Autorë të kësaj skeme Partia Demokratike sheh qeverinë “Rama”. Sipas saj, njerëzit që po lirohen nga burgu janë ata që kryejnë manipulimin e proceseve zgjedhore në favor të Partisë Socialiste. “Të gjithë të liruarit kanë punuar brenda dhe jashtë burgut për të bërë vota për Partinë Socialiste, për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Ata kanë bashkëdrejtuar piramidën shtetërore duke paracaktuar fituesit e tenderave dhe emërime kyçe në administratë. Për këtë ata janë duke u shpërblyer prej Edi Ramës me lirim të paligjshëm nga burgu, si pjesë e marrëveshjes së tij për bashkëqeverisje me krimin e organizuar”,- deklaroi dje Gazmend Bardhi. Qeveria dhe PS u janë përgjigjur akuzave duke fajësuar vetëm gjyqtarët që kanë vendosur lirimin e tyre. Kryeministri thotë se bëhet fjalë për gjyqtarë që e dinë se nuk e kalojnë ventingun dhe po “kapin dorën e fundit të lekëve”. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj reagoi dje për herë të parë duke njoftuar kërkuar marrjen e masave për gjyqtaren që liroi të dënuarin me burgim të përjetshëm, Indrit Doklen, si dhe pezullimin e kreut të Shërbimit të Provës në Krujë. Qëndrimi i qeverisë erdhi pas reagimeve të forta në media dhe opinionin publik lidhur me lirimin e të dënuarve. Ndërkohë proceset gjyqësore, për çdo rast, kanë vijuar prej muajsh dhe institucionet kanë qenë në dijeni të asaj që po përgatitej, por nuk kanë reaguar. Fajësimi vetëm i gjyqtarëve që dihet se kanë abuzuar me ligjin është justifikim që nuk e zgjidh problemin. Pavarësisht emrave, dalja nga burgu i njerëzve që janë gjetur fajtor për disa krime të rënda është sinjali më i keq dhe tallje edhe vetë reformën në drejtësi.

Vendimet e çuditshme të gjykatave që po nxjerrin nga qelitë të dënuarit me burgim të përjetshëm krijojnë dyshime se mazhoranca po bëhet gati për zgjedhjet e parakohshme dhe i duhen bandat për të blerë votat.

Gazeta Koha e Jone