Kush ishte: – SAID KRYEZIU. –

Saidi është vëllai i vogël i Gani Kryeziut dhe ndryshe nga vëllai i madh që u vra (Hasani), është shumë i interesuar në politikë dhe mjaft aktiv prapa skene. Ai u përfshi në politikë që gjatë kohës që ishte student në Paris dhe iu bashkua një lëvizjeje që ishte kundër Mbretit Zog, pasi ai nënshkroi një marrëveshje në favor të qeverisë italiane në 1926. Ai ishte pjesë e kësaj lëvizjeje deri në pushtimin e Shqipërisë, kur Zogu u largua nga vendi. Mes mbështetësve të kësaj lëvizjeje ishte edhe Enver Hoxha, i cili duke qenë i varfër, është mbajtur financiarisht nga Saidi.

Po ashtu edhe dr. Ymer Dishnivca dhe viktima tjetër e komunistëve, Mustafa Gjinishi. Saidi ka qenë në lëvizje që herët kur iu rezistua armikut e më pas u kap dhe u burgos në kamp përqendrimi në Itali, ku më pas u arratisën dhe mbërritën në Shqipëri, në dhjetor 1943. Që atëherë pat luajtur një rol shumë aktiv në lëvizje duke qenë këshilltari politik i Ganiut, veçanërisht në njohjen e politikës ndërkombëtare. Më vonë, me kërkesën e Lt. Kolonel Mekleinit, ai punoi si përkthyes për 3 muaj pranë misionit britanik që ndodhej me Abaz Kupin.

U shpresua se Said Kryeziu do të shkonte në Bari si përfaqësues i Ganiut, Muharrem Bajraktarit dhe Abaz Kupit. Kur kjo nuk u bë e mundur, ai u kthye në lëvizjen e vëllait, duke qenë sërish shumë aktiv. U kthye vetëm 4 ditë kur erdhi Brigada e 5-të, e cila e arrestoi. Ai qëndroi si i burgosur politik, derisa u la të ikte për në Itali. Said Kryeziu është një shqiptar i jashtëzakonshëm dhe pavarësisht temperamentit nervoz, ka një inteligjencë dhe personalitet të shënuar. Është zotëri i vërtetë, plot sharm dhe i sinqertë. Eksperienca e tij e bën një bashkëbisedues shumë të mirë.