Familja Murati, në Shullaz të Kurbinit, prej 4 vitesh pret lajme për rindërtimin. Banesa e tyre u dëmtua nga lëkundjet e forta sizmike të 26-nëntorit në 2019 dhe 6 muaj më parë u shemb për t’i hapur rrugë rindërtimit, por puna ende nuk ka nisur.

Të gjendur në kushte të vështira 5 pjestarët e familjes Murati, edhe dimrin e pestë do ta presin pa strehëz. Konteineri është bërë banesa e tyre prej vitesh, por tashmë prej muajsh nuk marrin më as bonusin e qerasë.

“Akoma banorët e kurbinit jetojnë në qiell të hapur, gjysmën e shtëpisë ma ka zënë tërmeti, gjysmën ma ka shembur shteti. Shikoni ku i kam rrobat, frigoriferin, 4 vite në qiell të hapur. Bashkia thotë që nuk është dhën ende bonusi nga shteti, prej prillit nuk marrim bonusin e qerasë”,- është shprehur kryefamiljari Tahir Murati.

E zonja e shtëpisë Dëshira Murati tashmë e ka humbur shpresën për rindërtimin e shtëpisë së tyre.“Për ne ka qenë shumë e vështirë, kanë ardhur shoqatat, nuk kam shpresë që do të bëhet kjo shtëpi, po gatuaj jashtë se janë dhomat e vogla”,- ka deklaruar ajo.

Bashkia e Kurbinit ishte një ndër zonat më të prekura nga tërmetit i nëntorit të vitit 2019-të, i cili la të pastrehë rreth 2 mijë familje. Aktualisht më shumë se gjysma e tyre kanë hyrë në shtëpitë e reja, ndërsa procesi i rindërtimit vijon.

Gazeta Shqiptarja.com