Kreu i Akademisë së Firences: – Teatrin mos e shembni, e ruajtën edhe socrealistët sovjetikë. –

E quan të turpshëm fenomenin e fshirjes identitare të qyteteve. –

Vendimi i qeverisë shqiptare, mbështetur përmes një ligji edhe nga Parlamenti, për shembjen e godinës 80- vjeçare të Teatrit Kombëtar ka gjetur kundërshtime të organizatave botërore për trashëgiminë kulturore, si DOCOMOMO apo Europa Nostra, por edhe të personaliteteve të arkitekturës.

Një ndër ta është edhe Claudio Rocca, drejtor i “Accademia di Belle Arti” të Firences, i cili është informuar për atë çka po ndodh në Tiranë, përmes mediave italiane. Rocca shprehet kundër shembjes së godinës së TK për të ngritur në vend të tij një godinë të re, sado moderne dhe e bukur të jetë ajo. Ai vë theksin në vlerën historike që ka godina e Teatrit, e cila u ka rezistuar të gjitha ngjarjeve të 80-vjetëshit të fundit në Shqipëri, më së shumti, vetë diktaturës komuniste, e cila e kishte me merak të fshinte gjurmët e së shkuarës.

Ai e quan të turpshëm fenomenin e fshirjes identitare të qyteteve, duke i mbushur me ndërtesa, të cilat mund t’i vendosësh kudo, si në Tiranë, ashtu edhe në Kinë. E tillë është edhe godina e re që propozohet për Teatrin Kombëtar. “Për të zëvendësuar Teatrin e Tiranës, sot është propozuar një teatër që mund të rrijë kudo, në Tiranë si në Pekin apo në ndonjë qytet amerikan.