Gjatë tubimit të sotëm, në emër të grupit koordinues të protestës, ka dalë me një deklaratë të rëndësishme politike Dritan Goxhaj, i cili ka shpalosur kërkesat zyrtare dhe të panegociueshme të përpiluara pas propozimeve të marra nga qytetarët përgjatë më shumë se tri javëve të qëndresës.

Goxhaj u shpreh se kjo protestë mbarëpopullore dhe paqësore synon një ndryshim rrënjësor të sistemit politik dhe ligjor në Shqipëri, duke prezantuar 5 pikat kryesore të platformës:

1-Dorëheqja e panegociueshme e Kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar.

2-Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, e cila do të jetë jopartiake dhe do të ketë një mandat të qartë 12-mujor.

3-Hartimi i një Kushtetute të re që garanton barazinë e plotë të shtetasve para ligjit, e cila do të miratohet me referendum popullor. Kjo reformë kushtetuese parashikon:
Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;
Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave;
Kufizimin e mandatit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate (të plota ose të pjesshme) gjatë gjithë jetës politike të një individi.

4-Mosheqja dorë nga kërkesat fillestare ekonomike dhe mjedisore, ku kërkohet urgjentisht:
Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;
Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;
Shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;
Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”

5-Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila do të përpilohet përmes konsultimeve me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar direkt nga sheshi i protestës.