Vetmia e lartësive: A po e lëshon partia Edin para “Revolucionit të Flamingove”? Detajet e mbledhjes në Pallatin e Kongreseve

… “Vetëm Taulant Balla më ka qëndruar në krah duke mbajtur qëndrime në rrjetet sociale,” mësohet të ketë thënë kryeministri.
Ankesat publike të kryeministrit se protestuesit e “Revolucionit të Flamingove” nuk e kanë me korrupsionin dhe arrogancën, por kanë rënë “viktimë e algoritmeve”, duket se janë vetëm maja e ajsbergut.
Pas fasadës së qetësisë, fshihet një shqetësim shumë më i madh për liderin rilindas: frika se mos rritja e presionit qytetar po pasohet nga një braktisje e heshtur brenda rreshtave të vetë partisë.
Zërave kritikë të socialistëve të vjetër si Arta Dade, u janë bashkuar edhe reagime nga Arben Malaj, nga ish-ministri i jashtëm, Ditmir Bushati dhe ish-ministrja Spiropali.
Në këto kushte, mbledhja e zgjeruar e qeverisë dhe grupit parlamentar, e zhvilluar nën masa të rrepta hermetizimi në Pallatin e Brigadave, është kthyer në një arenë testimi dhe tensioni.
Sipas burimeve të brendshme, të cilat konfirmuan se të gjithë pjesëmarrësit u detyruan të dorëzonin telefonat në hyrje, Rama e ka shprehur hapur zhgënjimin me ta.
“Vetëm Taulant Balla më ka qëndruar në krah duke mbajtur qëndrime në rrjetet sociale,” mësohet të ketë thënë kryeministri. Më pas, duke u përpjekur të fshehë cenueshmërinë, ai ka shtuar: “Unë nuk kam nevojë për asnjërin se e përballoj vetëm këtë situatë, por dua të dëgjoj ju udhëheqësit e partisë se çfarë mendoni.”
Ky reagim i Ramës buron nga një realitet i dukshëm. Ata me përvojë po i shmangen përballjes me sheshin. Mbrojtja publike e qeverisë u ka mbetur në dorë figurave dytësore ose rishtarëve, si Ardit Bido, Sara Mile apo Brisida Çakërri.
Shumë eksponentë dhe opinionistë pro-qeveritarë kanë bërë një hap pas, disa nën presionin e familjarëve dhe fëmijëve që u kërkojnë të mos e humbin fare fytyrën, e të tjerë nga pamundësia për të justifikuar akuzat për korrupsion galopant.
Gjatë mbledhjes, Rama ka tentuar të “shkundë” të pranishmit duke i kërkuar fillimisht llogari Niko Peleshit për heshtjen e tij.
I vetmi që artikuloi kritikë ishte Fatmir Xhafaj, i cili vuri gishtin mbi plagë duke thënë se protesta reflekton “arrogancën e pushtetit dhe perceptimin në rritje ndaj korrupsionit, sidomos në sektorin e ndërtimit”. Përgjigja e Ramës ishte se edhe ky është “perceptim”.
Pas disa fërkimeve të tjera me Erion Braçen lidhur me menaxhimin e mbetjeve në Tiranë, pensionet dhe kadastrën, mbledhja kaloi në rreshtimin tradicional të besnikërisë:
Ulsi Manja bëri autokritikë për mungesë aktiviteti në rrjetet sociale. Eduard Shalsi pretendoi se imazhi i Shqipërisë nuk ka qenë kurrë më lart. Bledi Çuçi u shpreh se protesta po dëmtonte PD-në, një deklaratë kjo që u prit me habi edhe nga vetë kryeministri.
Teoria e konspiracionit dhe skenari i “armikut të jashtëm”
Përveç pakënaqësisë me strukturat e tij, Rama ka gjetur hapësirë të sulmojë edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. “Ai, gjoja patriotët e tij dhe shqiptarët e Maqedonisë që e përkrahin, kemi të dhëna që janë shumë aktivë,” ka deklaruar Rama, duke e pasuruar listën e tij të gjatë të armiqve të jashtëm (ku bëjnë pjesë grekët, serbët, iranianët e deri te rrethet anti-Trump apo anti-izraelite).
Pamjet e shpërndara nga vetë rrjeti i qeverisë tradhtuan fytyrat e zymta të deputetëve. Ndonëse pushteti i Ramës u ka ndryshuar statusin ekonomik mëpërmjet abuzimit me pushtetin dhe korrupsionit, shumë prej tyre, në këtë moment kritik, po rezultojnë me mbështetje të vakët.
Kryeministri e ka ndjerë këtë fije peri që e ndan nga braktisja, çka shpjegon edhe hakërrimin e tij të fundit: “Ju nuk po flisni, ndonëse unë e përballoj vetë dhe s’kam nevojë për ju.”
