7 Dhjetor 2022

“Ky rast duhet të hetohet dhe ka nevojë të hetohet në qelizë”.

Kështu deklaroi ish-presidenti Bamir Topi, teksa foli për goditjen me grusht nga Gerti Shehu ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha, që në hyrje të protestës së sotme.

Topi dënoi sulmin në emisionin “Frontline”, ndërsa deklaroi se kjo ngjarje është një “këmbanë alarmi”, pasi theksoi se duket si precedent i rrezikshëm.

“E rëndë dhe e shëmtuar akti ndaj Berishës. Fatmirësisht mbeti aty sepse në një situatë të tillë një i ri fizikisht i fortë mund të kalonte shumë keq situata. Por la një shije shumë të hidhur. Kjo tregon që në këtë shoqërinë tonë pavarësisht asaj që thuhet rreth personalitetit të njeriut që goditi Berishën, shumë gjëra në këtë shoqëri janë çoroditur e tjetërsuar.

E dënoj këtë akt dhune dhe në rastin specifik edhe më shumë, sepse bëhet fjalë për një politikan karriere, një ish president, ish kryeministër, personalitet publik, që përtej karrierës ka edhe vite mbi supe. Jemi mësuar të themi t’ja lëmë në dorë organeve ta hetojnë, por duhet një hetim i hollësishëm.

Duket si precedent i rrezikshëm, kemi kaluar situata nga më të çuditshmet, si në vitet ’90, ‘97-‘98, goditje ekstreme si vrasja e Azem Hajdarit, por një situatë e tillë që ndodh për herë të parë është një kambanë alarmi. Edhe njerëzit që e rrethonin, edhe truprojat ishin të pavëmendshëm sepse ishte një marshim paqeje”, u shpreh ish-presidenti./ B.A. – CNA.al