22 Prill 2023

Me 19 prilli, policia arrestoi  Ramazan Rrajën, nipin e deputetit socialist Rrahman Rraja, i cili ka qenë në kërkim për atenatin ndaj prokurorit Arjan Ndoj në mbikalimin e Shkozetit në vitin 2019.

Rraja dhe miku i tij Luis Konomi lëviznin me një automjet të blinduar. Pas ndërhyjes së policisë në një lokal në zonën e Urës së Gjoles, Ramazan Rraja dhe Luis Konomi tentuan të largohen nga dera e pasme e më pas me një automjet të blinduar që lëviznin. Rrethimi i zonës nga policia bëri që ata të neutralizoheshin ndërsa në momentin e ndalimit Ramazan Rraja u propozoi policive një marrveshje në këmbim të lirisë.

Sipas euronews, “Ju jap 1 milion euro, vetëm na lini të ikim ” mësohet të jetë shprehur 30 vjeçari i cili mbante në brez dhe një pistoletë gati për qitje.

Bashkë me Rrajën, në pranga përfundoi edhe Luis Konomi i njohur edhe me emrin Elton Llozhi dhe nofkën “Çupja”,  i cili ishte në kërkim për kërcënimin e një biznesmeni për t’u tërhequr nga një tender. Ramazan Rraja u la në burg të premten nga Gjykata e Posaçme megjithse ai mohoi akuzat e ngritura nga SPAK.

Gazeta Sot