5 Maji 2025

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Izraelit, Eyal Zamir, njoftoi sot një mobilizim të gjerë të rezervistëve, duke paralajmëruar përshkallëzim të operacioneve ushtarake në Rripin e Gazës.

“Gjatë kësaj jave po dërgojmë dhjetëra mijëra thirrje për rezervistët tanë me qëllim forcimin dhe zgjerimin e operacioneve në Gaza,” deklaroi Zamir gjatë një vizite në një bazë ushtarake në jug të Haifës.

Ai theksoi se ushtria izraelite synon të rrisë presionin ndaj Hamasit dhe të sigurojë kthimin e qytetarëve të rrëmbyer. “Do të veprojmë në zona të reja dhe do të shkatërrojmë tërësisht infrastrukturën e Hamasit, si mbi ashtu edhe nën tokë”, shtoi ai, sipas raportimeve të BBC.

Ndërkohë, kabineti i sigurisë i Izraelit pritet të mblidhet sonte për të shqyrtuar hapat e mëtejshëm të ofensivës. Sipas mediave izraelite, kryeministri Benjamin Netanyahu ka dhënë tashmë miratimin për planin e zgjerimit të ndërhyrjes ushtarake.