9 Korrik 2023

Mike Knoth është më shumë se i lumtur që kandidati i partisë së djathtë ekstreme ka fituar zgjedhjet në pjesën rurale në lindje të Gjermanisë për herë të parë që prej periudhës së nazizmit. Gjermani është i lodhur nga partitë e mëdha, nuk u beson mediave dhe thotë se shteti është mbushur me migrantë. Partia e së djathtës ekstreme “Alternativa për Gjermaninë”, ose AfD, shpreson ai, do të përmirësojë gjithçka që nuk ka shkuar mirë në Sooneberg, sipas tij. Ky qytet është në juglindje të shtetit gjerman Thuringia.

“Mendoj se fakti që shumë njerëz kanë votuar për Alternativën për Gjermaninë tashmë i ka dhënë legjitimitet”, thotë 50-vjeçari Knoth. Mirëpo shumë banorë të Sonnebergut nuk janë të kënaqur me retorikën nacionaliste dhe antidemokraitke të AfD-së.

Kërcënimet me vdekje

Margret Sturm, optometriste, familja e së cilës ka shitur syze për më shumë se 60-vjet në Sonneberg, ka shprehur shqetësimin e saj për fitoren e AfD-së. “U kam thënë atyre se nuk është mirë që po votojnë për AfD-në. Kushdo që ka votuar AfD-në duhet ta dijë se prapa tyre janë nazistët”, thotë Sturm.

Kërcënimet ishin aq të pamëshirshme sa bashkëshorti i Sturmit ka vendosur kamera brenda dyqanit. Mirëpo Sturm, 60-vjeçare, thotë se nuk do të lërë askënd që ta mbajnë të heshtur.

“Njerëzit këtu kanë frikë të kundërshtojnë AfD-në dhe kjo na shqetëson më shumë se çkadotjetër”, shton ajo.

Ajo thotë se banorët e tjerë që kanë kundërshtuar AfD-në më nuk shprehin kritikat e tyre hapur.

“Ky është fiks ai lloji i poshtërimit që është rezultat i makinerisë së urrejtjes dhe nxitjes që fatkeqësisht përhap. Kjo më shqetëson mua”, thotë Stephan Kramer, shef i agjencisë shtetërore të inteligjencës së brendshme të Thuringias në qytetin Erfurt.

Kramer për vite të tëra ka paralajmëruar se dega e AfD-së në Thuringia është shumë radikale dhe se ishte vendosur në mbikëqyrje zyrtare para më shumë se dy vjetësh si grup “i provuar i ekstremizmit të djathtë”.

Mirëpo Knoth nuk shqetësohet se AfD-ja është nën mbikëqyrje të agjencisë së inteligjencës për shkak të lidhjeve me ekstremistët e djathtë.

“Është zgjedhur në mënyrë demokratike, nuk shoh asgjë të keqe në këtë”, thotë ai.

Knoth pret që AfD-ja të ketë qasje “rend dhe ligj”, të ndal migrimin dhe ta bëjë Gjermaninë më të sigurt.

Përballja me migrimin ose luftimi i krimit janë tema të rënda që i përkasin administratorit lokal, por Robert Sesselmann me fushatën me këto tema doli të jetë i suksesshëm.

Zgjedhjet në Sonneberg që u mbajtën në muajin qershor e vendosën Sesselmannin përball rivalit të qendrës së djathtë, Jürgen Köpper. Sesselmann fitoi me 52.8 për qind, ndërkaq rivali përfundoi me 47.2 për qind.

Sonnebergu ka popullsi prej 56 mijë e 800 banorësh, mirëpo fitorja ishte një sukses simbolik për AfD-në.

I papunësuari, Radoslaw Schneider, 39-vjeçar, gjithashtu pret që gjërat të përmirësohen tani që Sesselmann është në krye të qytetit. Ai thotë se AfD-ja “beson se diçka duhet ndryshuar edhe për gjermanët” dhe se të huajt nuk duhet të trajtohen më mirë.

Ngritja e AfD-së

Alternativa për Gjermaninë për herë të parë hyri në Bundestag në vitin 2017 pas fushatës kundër migrantëve që e realizoi si reagim për ardhjen masive të refugjatëve në Evropë.

Partia, dhjetë vjet e vjetër, në sondazhe ka arritur në nivele rekorde mes 18 dhe 20 për qind të përkrahjes në nivelin kombëtar.

Koalicioni qeverisës i Olaf Scholzit të qendrës së majtë me ambientalistët e gjelbër dhe pro biznesit “Demokratët e Lirë”, përballet me kritika për migrimin e lartë, planin për të zëvendësuar sistemin e ngrohjes për miliona shtëpi dhe për inflacionin që mbetet i lartë.

Lideri i AfD-së në Thuringia, Björn Höcke, ka përqafuar qëndrimet revizioniste të Gjermanisë naziste. Në vitin 2018, memorialin e Holokaustit në Berlin e ka cilësuar si “monument të turpit” dhe i kishte bërë thirrje Gjermanisë që të bënte kthim prej 180 shkallësh kur bëhej fjalë për mënyrën sesi kujton të kaluarën e saj.

Bastion i nazizmit

Në fillim të viteve ’30, Thuringia ishte një prej bastioneve të para të Partisë Nacionale Socialiste të Adolf Hitlerit. Në ditët e sotme, AfD-ja u bën thirrje sidomos gjermanëve në landet ish-komuniste dhe më pak të begata lindore, si Thuringia.

Pandemia e koronavirusit, lufta ruse në Ukrainë dhe fluksi i mijëra refugjatëve nga Ukraina drejt Gjermanisë, kanë ndihmuar në suksesin e AfD-së, thotë deputetja Katharina König-Preuss nga partia “E Majtë” në Thuringia.

Kjo parti ka fajësuar problemin me migrantët dhe qeverinë kombëtare.

“Unë do të thosha se një pjesë e madhe e këtyre tregimeve raciste, të cilat nuk përputhen fare me realitetin, tani janë kapur me një pjesë më të madhe të popullsisë së Gjermanisë Lindore”, thotë König-Preuss, e cila është një nga kritiket më me zë të AfD-së dhe disa herë ka marrë këcënime me vdekje.

Kancelari Scholz është përpjekur të minimizonte rritjen e fundit të populistëve të ekstremit të djathtë.

“Gjermania ka qenë demokraci e fortë për një kohë të gjatë tani, që nga Lufta e Dytë Botërore”, ka thënë Scholz gazetarëve në Berlin javën e kaluar pasi u pyet se çfarë po bën për të parandaluar rilindjen e fashizmit 77 vjet nga rënia e Hitlerit.

Ishte sundimi nazist i Gjermanisë, i cili çoi në vrasjen e 6 milionë hebrenjve evropianë dhe të tjerëve, dhe më shumë se 60 milionë të vdekur në Luftën e Dytë Botërore, që e lanë Kramerin disa net rresht.

“Kur shikoj këtë zhvillim në Gjermani, vendi ku vrasja masive industriale u çua në përsosmëri, atëherë ky është i ndryshëm nga të gjitha vendet e tjera”, thotë ai.

Në vjeshtën e vitit 2024, do të ketë zgjedhje shtetërore në Thurnigia. AfD-ja kryeson në sondazhe me më shumë se 30 për qind të përkrahjes.

Nëse AfD-ja, e cila aktualisht është ende e shmangur nga të gjitha partitë e tjera kryesore në Gjermani, do të bëhet pjesë e qeverisë së shtetit, atëherë Kramer, i cili është hebre, do të largohet nga vendi me familjen e tij.

“Ne kemi parë më parë në histori se ku mund të çojë kjo”, thotë ai. “Dhe duhet të rrëfej sinqerisht, nuk kam dëshirë të pres që të ndodhë përsëri”.

Gazeta Dita