1 Tetor 2023

Gazetari i gjermanes FAZ, Michael Martens, ka shkaktuar debat me një postim në platformën X.

Edi Rama mund të jetë kryeministri më i mirë që ka pasur Serbia që nga koha e Nikolla Pashiçit” – shkruan ai lidhur me qasjen e kryeministrit shqiptar në raport me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

Njohës i mirë i Ballkanit dhe sidomos i zhvillimeve gjatë periudhës së luftës së Kosovës, Martens është gazetar i Frankfurter Allgemeiner Zeitung  prej vitit 2001.

Më parë, ai ka punuar si reporter nga një sërë vendesh në konflikt. Martens ka raportuar nga Azia Qendrore, Pakistani, Afganistani, shumë rajone të Ukrainës dhe disa të Rusisë.

Pasi punoi në Afganistan gjatë luftës amerikane kundër talebanëve, ai ka mbuluar Ballkanin për shtatë vjet si korrespondent nga Beogradi.

Nga viti 2009 deri në vitin 2018 ai ka qenë përgjegjës edhe për Turqinë, fillimisht nga Stambolli dhe nga vera 2015 me qendër në Athinë. Që nga viti 2019 ai raporton nga Vjena për Evropën Juglindore.

Bën përshtypje mesazhi i tij dhe krahasimi me Pashiç që në historiografinë shqiptare konsiderohet etaloni i serbomadhit dhe i politikës së destabilizimit të Shqipërisë.

Disa e kanë komentuar postimin si kompliment për sjelljen e ndryshme të Ramës nga kryeministrat e rajonit, por në shumicë postimi është marrë si konfirmim i qëndrimeve të buta të Ramës ndaj Beogradit.

Martens gjithashtu ka komentuar deklaratat e Vuçiç që pretendon se nuk ka lidhje me sulmin terrorist në veri të Kosovës.

“Kur presidenti serb Aleksandër Vuçiq tani pohon se nuk dinte asgjë për këtë, duhet të jesh shumë naiv për ta besuar. Sepse edhe nëse ai mund të mos ishte i informuar për këtë veprim konkret, strategjia e armatimit të paraushtarakëve është e tij. Ai e kujton këtë nga vitet ’90.”, ka shkruar Martens, dhe shton se Vuçiq vijon metodat e mësuesve të tij Millosheviq e Putin.

“Vuçiq zbaton metodën e mësuesve të tij Millosheviç dhe Putin: Dhuna promovohet sistematikisht, por u jepet nënkontraktorëve. Në të njëjtën kohë, në skenën evropiane njeriu vepron i shqetësuar dhe pretendon se është i gatshëm të përfshihet në bisedime dhe negociata”, ka shtuar ndër të tjera Michael Martens.

Gazeta Dita