19 Gusht 2026

3.4% është rritja vjetore e çmimeve të konsumit në korrik, sipas Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve, por pas kësaj shifre fshihet një ndryshim i rëndësishëm në mënyrën se si po formohet inflacioni.

Pesha më e madhe vijon të jetë ajo e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, të cilat përbëjnë rreth 34% të strukturës së konsumit të matur. Në korrik, ky grup u shtrenjtua 3.2% dhe dha kontributin më të madh, 1.09 pikë përqindje në inflacion.

Por presioni po zgjerohet edhe tek shërbimet. Argëtimi, sporti dhe kultura u shtrenjtuan 8.5%, ndërsa restorantet dhe akomodimi 3.6%. Ky komponent ka peshë veçanërisht interesante në Shqipëri, pasi përfshin edhe shpenzimet e turistëve brenda vendit.

Transporti është një tjetër burim presioni. Çmimet u rritën 4.6% në një grup që përbën 8.3% të shportës së harmonizuar. Kjo tregon se inflacioni i korrikut nuk është vetëm histori ushqimesh, por një kombinim i kostos së konsumit bazë me shërbimet, turizmin dhe lëvizjen.

Në krahasim, inflacioni i harmonizuar në BE ishte 3%, duke e vendosur Shqipërinë pak mbi mesataren europiane. Ndërkohë, në bazë mujore, çmimet ranë lehtë me 0.1%.

Tv Klan