Liqeni i Zyrihut arrin nivelin më të ulët në 75 vjet, thatësira e rëndë përfshin Zvicrën

19 Gusht 2026
Niveli i Liqenit të Zyrihut në Zvicër ka rënë në nivelin më të ulët të regjistruar në 75 vjet, njoftoi të mërkurën Zyra Federale për Mjedisin (OFEV), ndërsa vendi po përballet me një thatësirë të rëndë.
Sipas OFEV, Zvicra ka përjetuar thatësirë të theksuar që prej pranverës, për shkak të reshjeve dukshëm nën mesataren shumëvjeçare dhe temperaturave që shpesh kanë tejkaluar vlerat normale për këtë periudhë të vitit.
Agjencia federale tha se kjo situatë ka bërë që tokat të mbeten të thata, ndërsa nivelet e ujërave sipërfaqësore dhe nëntokësore të jenë të ulëta. Thatësira, sipas saj, është përkeqësuar gjatë javëve të fundit.
Si pasojë, nivelet e ujit në shumë liqene të Zvicrës janë nën mesataren sezonale. Liqenet e Konstancës, Walenit, Zyrihut dhe Zugut, si dhe Liqeni Maggiore dhe disa liqene më të vegjël, kanë nivele jashtëzakonisht të ulëta për këtë periudhë të vitit
Megjithatë, sipas një zëdhënësi të OFEV për AFP, vetëm Liqeni i Zyrihut ka arritur nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë.
Të mërkurën, niveli i ujit në stacionin matës të Zurichshorn ra në 404.5 metra mbi nivelin e detit, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm prej 405.46 metrash, të regjistruar në vitin 1952, një vit pasi nisën matjet në këtë stacion.
OFEV paralajmëroi se nivelet shumë të ulëta të ujit mund të ndikojnë në lundrim, objektet portuale dhe pikat e zbarkimit, si dhe në aktivitetet rekreative në ujë dhe përgjatë brigjeve të liqeneve.
Ndikimi ka nisur të ndihet edhe në transport. Kompania Ferry-lac Zurich, e cila operon linjën mes Horgenit, në bregun perëndimor dhe Meilenit, në bregun lindor të liqenit, ka njoftuar pasagjerët për kufizime në transportin e automjeteve.
Sipas kompanisë, niveli “jashtëzakonisht i ulët” i ujit e ka detyruar atë të përdorë rampa për ngarkimin dhe shkarkimin e automjeteve.

