IA po shkruan gjithnjë e më mirë. Njerëzit duhet të bëhen redaktorë më të mirë

30 Gusht 2026
Të shkruash është e vështirë. Për Franz Kafka-n, hedhja e fjalëve në letër ishte një proces “torturash të pafundme”. George Orwell thoshte se i ngjante “një periudhe të gjatë me një sëmundje të dhimbshme”.
Hunter S. Thompson, gazetar, e shihte si të kundërtën e seksit: “është mirë vetëm kur mbaron”.
Tani Inteligjenca Artificiale ka ardhur në ndihmë. Modelet e mëdha gjuhësore (LLM) prodhojnë sasi të mëdha teksti, pa dhimbje dhe pa mundim.
Bot-et mund të nxjerrin email-e shumë të mira, tekste më të gjata në mënyrë të pranueshme dhe poezi jo fort të mira. Për to, bllokimi i shkrimtarit është thjesht një pako me 500 fletë bosh: çdo përdorues i një LLM-je mund të prodhojë brenda një dite aq fjalë sa Kafka shkroi gjatë gjithë jetës së tij.
Për shkrimtarët njerëzorë, kjo është njëkohësisht bekim dhe mallkim. Nëse pretendon se je autor, por përdor IA-në, rrezikon të dukesh si mashtrues — mjete për zbulimin e teksteve të gjeneruara nga bot-et, si Pangram, janë mjaft të afta të dallojnë kur dikush ka marrë ndihmë nga IA.
Mjafton të shohësh qindra njerëzit që kanë përdorur LLM për të shkruar aplikimet për praktikat profesionale të The Economist, apo ministrat e qeverive që kanë dërguar tekste të gjeneruara nga IA për rubrikën tonë By Invitation (është tunduese, por nuk do t’ua përmendim emrat).
Hulumtimi i The Economist mbi veçoritë stilistike të chatbot-eve më të mëdhenj tregon se, me çdo përditësim, shkrimi i IA-së po i afrohet gjithnjë e më shumë atij njerëzor.
Ne krahasuam tekstet e prodhuara nga modelet e mëdha gjuhësore me prozë që e dimë me siguri se është shkruar nga njerëz: tekstet tona. U kërkuam 14 varianteve të ChatGPT, Claude, Gemini dhe Grok, të publikuara që nga viti 2024, të shkruanin versione të artikujve tanë pa përdorur internetin.
Krahasimi përfshiu 55,940 fjali dhe 1.2 milionë fjalë, ndërsa rezultatet i verifikuam edhe kundrejt teksteve nga gazeta të tjera dhe romaneve të suksesshme.
Zbuluam se disa nga shenjat që dikur e tradhtonin shkrimin e IA-së — si përdorimi i tepërt i vijave të gjata ose i zhargonit të biznesit, me fjalë si ‘leveraging’ (‘shfrytëzim’) — tani shfaqen shumë më rrallë.
Është një lajm i mirë që shkrimi i IA-së po përmirësohet. Të përballesh me masën e teksteve të dobëta që prodhohen sot të lodh mendjen dhe të merr kohë.
Një studim i fundit zbuloi se modelet e mëdha gjuhësore e kanë trefishuar numrin e librave të rinj elektronikë që publikohen çdo muaj në Amazon, në 300,000, ndërsa sipas një vlerësimi, ato hartojnë më shumë se një të tretën e faqeve të reja të internetit.
Nëse LLM-të vazhdojnë të përmirësohen, pas disa vitesh mund të shkruajnë po aq mirë sa profesionistët e fjalës. Deri atëherë, megjithatë, proza e tyre e fryrë e bën edhe më të vlefshme aftësinë për të redaktuar.
Në fund të fundit, edhe shkrimtarët më të mirë kanë nevojë për një redaktor të mirë që t’i mbajë tekstet të mprehta. Redaktimi është diçka me të cilën The Economist merret çdo ditë, ndaj ja disa këshilla tona për rishkrimin e teksteve të prodhuara nga IA.
Së pari, jepni udhëzime të mira. George R.R. Martin ka thënë dikur se detyra e redaktorëve është t’ua “presin krahët” shkrimtarëve dhe “t’u tregojnë në cilin drejtim të fluturojnë”. Kur bëhet fjalë për LLM-të, kjo do të thotë t’u jepni udhëzime të qarta për atë që kërkoni saktësisht dhe t’u kërkoni ta përmirësojnë rezultatin sa herë të jetë e nevojshme.
Nga makineritë do të merrni më pak kundërshtime sesa nga njerëzit. Zoti Martin i quante redaktorët “armikun natyror të shkrimtarit”; IA me shumë gjasë do të përgjigjej:
“Vëzhgim shumë i mirë!” dhe “Më pëlqen analogjia me armikun!”
Së dyti, kushtojini vëmendje hollësive. Shkruesit me IA do të bëjnë gabime dhe do të prodhojnë fraza që tingëllojnë mirë, por nuk thonë asgjë.
Atyre u pëlqen ta mbushin prozën me fjalë me prejardhje latine, duke folur për “rrjedhje dykahëshe” apo për mënyrën se si mund të “përshpejtohen përmirësimet e rrjetit”; kujtojuni se fjalët më të thjeshta janë shpesh më të forta dhe më të drejtpërdrejta.
Ato kanë qejf edhe metaforat klishe: “thembra e Akilit” shfaqet kudo. IA gjithashtu priret ta përdorë “rregullin e treshes” shumë më tepër se njerëzit.
Edhe The Economist e pëlqen këtë teknikë retorike. Por ndërsa ne përpiqemi të grupojmë tri këshilla që kanë kuptim, IA prodhon fjali të tepërta si: “Misteri është zgjidhur — jo pjesërisht, jo në mënyrë të paqartë, por përfundimisht”. Fjali të tilla duhen prerë — përfundimisht.
Së fundi, njihni audiencën tuaj. Redaktori është ndërmjetësi mes autorit dhe lexuesit. LLM-të priren t’i bëjnë qejfin përdoruesit dhe toni i tyre tepër servil shpesh nuk përshtatet me situatën.
Nëse po shkruani një email për t’i dhënë shefit një lajm të keq, thuajini bot-it të mos përdorë pikëçuditëse.
IA mund të tingëllojë pretencioze ose moralizuese — në fund të fundit, është trajnuar mbi shkrime njerëzore. Shumica e njerëzve kanë pak kohë, por një IA llafazane të mban peng si ai tipi i mërzitshëm në një festë që nuk të lë të largohesh.
“Shkruaj i dehur, redakto esëll”, thotë një maksimë e vjetër e shkrimtarëve. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë kur ekipi njeri-IA t’i futet punës, gjithë qejfi do t’i mbetet IA-së.
Revista Monitor
