Haradinaj ironi me Ramën: Të mësojë të bëjë zgjedhje, pastaj të flasë për Kosovën

20 Nëntor 2019

Teksa në Kosovë është kundërshtuar nga të gjitha palët Schengeni Ballkanik, kryeministri Edi Rama, homologu maqedonas Zoran Zaev dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç janë duke bërë përpjekje për të shtyrë përpara këtë ide, që sipas tyre do të sillte përfitime për rajonin.

Ndërkohë kryeministri Rama pak ditë më parë tha se: Kosova po izolohet dhe vetëpërjashtohet, duke mos pranuar të bëhet pjesë e një projekti të tillë.

Pikërisht këtyre deklaratave u ka dhënë përgjigje në mënyrë ironike kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj.

‘Kush është kryeministri Rama t’i kallëzoj Kosovës çka bëhet me Kosovën. Le të kallëzojë ai qysh i ka mbajtë zgjedhjet veç një parti, nëse koka aq i mençur e po i ditka krejt punët e rajonit e Kosovës. Ai le të kallëzojë qysh veç një parti i mbajti zgjedhjet në Shqipëri. Shihni zgjedhjet në Kosovë, të gjitha partitë kanë marrë pjesë, askush s’e ka mohu rezultatin zgjedhor’, ka thënë sot Haradinaj.

Kreu i Qeverisë kosovare, gjithashtu, i ka dhënë përgjigje Ramës edhe për zhvillimet në Samitin e Berlinit.

Kryeministri i Shqipërisë në një intervistë në Opinion kishte thënë se presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i kishte thënë Haradinajt në Berlin se nëse do ta hiqte taksën Kosova brenda 6 muajve do të merrte liberalizim të vizave.

Një gjë të tillë Haradinaj shprehet se kjo deklaratë nuk është aspak e vërtetë.

‘Nuk qëndron ajo që ka thënë ai, ato janë krejt pallavra. As kryeministri Macron as kancelarja Merkel nuk e kanë qitë në tavolinë, qe vizat, hiqe taksën. Unë i Kosovës jam, nëse i dhemb dikujt heqja e vizave nuk do ta pranoja atë. Nuk janë ata të tillë, janë shefa të shteteve, nuk punojnë ashtu, i kanë do formula, do kritere qysh bëhen këto punë’, ka potencuar Haradinaj.

Kryeministri në detyrë ka thënë se veprimeve të Edi Ramës po ua sheh sherrin edhe Kosova.

‘Nëse është kështu pse s’po ia japin negociatat z. Rama nëse qenka kaq i mençur. Dobësitë e tij po i bëjnë dëm edhe Kosovës beso’, ka shtuar kreu i AAK-së.

Në fund teksa ka folur për idenë e prekjes së kufijve, Haradinaj ka thënë se një ide e tillë ka qenë vdekjeprurëse, të cilën është detyruar ta luftojë.

‘Hapja e bisedave për territoret ka qenë vdekjeprurëse ka qenë shkatërruese për mua për qeverinë. Jam detyruar me luftu kundër asaj ideje’, ka përfunduar Haradinaj.

©Copyright Gazeta SHQIP