Hafiz Sabri Koçi, simbol i bashkëjetesës fetare!

Nga Evdal Nuri. –

Në prag të festë të Bajramit n ë këto pak rreshta desha të thosha disa fjalë për kontributin që ka dhënë Hafiz Sabri Koçi në bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Kush është Hafiz Sabri Koçi? Jeta e vështirë e kontributi që ka dhënë për harmoninë e bashkëjetesën fetare në Shqipëri e më gjerë.

Fëmijëria

Hafiz Sabri Koçilindi më 14 maj të vitit 1921 në fshatin Orenjë të Librazhdit. Pa u mbushur ende viti i ati i vdiq. Sabriu mbeti jetim. Një mik nga Shkodra, duke e parë zgjuarsinë e Sabriut të vogël 10 vjeç, ia mbushi mendjen nënës Zenjë dhe kushërinjve që ta dërgonte në Shkodër për të mësuar. Djaloshi i vogël me sjelljen e tij, me devotshmërinë e tij, me përkushtim e mençuri, fitoi shpejt respektin e të gjithëve, e posaçërisht të mësuesit të besimit. Gjatë gjithë kohës merrte mësime dhe nga dijetarët fetar më të njohurit e kohës. Pas 15 vitesh shkollë, merr diplomën e përfundimit të studimeve nga Myderizi Haxhi Muhamet Bekteshi. Fillimisht punon si imam në Drisht. Më vonë në xhami të ndryshme në Shkodrës. Me pretekstin e “rritje në detyrë”, për ta larguar nga Shkodra e transferojnë në Krujë e më vonë në Kavajë si Myfti. Me kërkesë të besimtarëve të lagjes Rus i Vogël emërohet përsëri imam në Shkodër. Predikimet e tij ishin bindëse e nuk i pëlqenin drejtuesve të Partisë në Shkodër. Lidhur me këtë Hafiz Sabriu kujton: “Sekretari i Parë i PPSH për rrethin e Shkodrës në atë kohë, me paturpësi vjen e futet në xhami brenda dhe ma nxjerr rininë përjashta”, ndërsa Kryetari i degës më bën presione nga më të ndryshmet duke më thënë: “Ti je me reaksionari i të gjithë klerikëve, pasi po na e helmon rininë, po ju jep opium, më thotë se duhet të zhvishesha nga petku fetar. Në asnjë mënyrë nuk mund të pranoja diçka të tillë dhe të tërhiqesha nga ajo rrugë që kisha nisur qysh në fëmijëri.

Burgu

Të gjitha këtyre u erdhi fundi më 4 qershor 1966, kur i vunë hekurat dhe e arrestuan. Hafiz Sabriu kujton: “Ishte e Xhuma. Pas faljes xhemati po përshëndetej me mua si asnjëherë tjetër. Të gjithë vinin e nuk po largoheshin. Kjo më bëri shumë përshtypje. U përmallova … ! E me të vërtetë, kjo qe Xhumaja e fundit për mua dhe për besimtarët.  E lidhur me pranga e futën në burg. I bënë një gjyq plotë me shpifje e akuza të paqena. Hyri 45 vjeç dhe doli i moshuar 65 vjeç. Plotë 20 vjet 4 muaj e 18 ditë burg. Nëse përvoja popullore ka provuar një gjë të tillë, jeta e Hafiz Sabriut është një provë e gjallë durimi e besimi, vullneti e përpjekje për jetë a vdekje. “Ashtu ishte shkruar prej Zotit,- shkruan Hafiz Sabriu,- të përjetoja të gjithë atë që njeriu nuk ia dëshiron kurrë njeri- tjetrit”. Djali i vogël. Qerameti, që e la 7 vjeç dhe gjeti 27 tregon: “Babai në burg mësoi zanatin e hidraulikut. U bë i nevojshëm e kudo i gjendur dhe i pa përtuar. Edhe në burg nuk hoqi dorë nga predikimet e fesë. Rrinte pa ngrënë, e mish deri nuk hante. Të gjithë e donin dhe e respektonin. Të burgosurit në Spaç punonin jashtë repartit”.

E pabesueshme, por e vërtetë! Pasi mbaroi puna e lodhshme, të burgosurit i hipën në makina dhe i prunë në repart. Oficeri i bindur se ishin të gjithë, nuk bëri apelin! Hafiz Sabri Koçi, mbaroi pumën e vajti te pika e grumbullimit. Atje s’kishte asnjeri! Ashtu s’i ishte i lodhur e i rraskapitur, nuk mori rrugën e arratisjes për të shpëtuar nga torturat, por u drejtua drejtë repartit duke bërë 5 orë këmbë. Justifikimi: “Të më falni, por më kishte zënë gjumi”. Këtë e bëri për t’u mos e pësuar oficeri dhe drejtori i burgut.

Ditët më të bukura të jetës !

Ceremonia e 16 nëntorit 1990 në Shkodër, nuk qe thjeshtë një ceremoni fetare. Krahas vlerës së vet të ringjalljes së fesë, ajo mori një karakter të hapur politik. Hafiz Sabriu ka thënë: “S’ka krim më të madh se ti mbyllësh tjetrit derën e shpirtit, derën e ndërgjegjes e të kujtesës të të madhit Zot”. Më 18.6.1991 u nisën në Mekë të Arabisë Saudite 165 besimtarë islamë nga Shqipëria për haxhillëk. Në krye të këtij grupi ishte Hafiz Sabri Koçi, si Kryetar Komitetit Mysliman Shqiptar. Që nga kjo datë, pas Haxhit, Hafiz Sabriu do të ishte Haxhi. U muarr vesh që Haxhi nga Shqipëri kishte bërë 20 vjet burg se predikonte mësimet e Zotit, që në këtë vend ishin të ndaluara. U befasuan e të gjithë donin ta takonin e t’i shtërngonin dorën, ta përqafonin për vuajtjet, por dhe për besimin e palëkundur ndaj zotit. Ishte i sëmurë nga tensioni e zemra. Vuajtjet e torturat në burg kishin bërë punën e vet. Në Mekë, kur i ofruan ndihmë mjekësore. Ai iu përgjigj: “Ndihma më e mirë për mua, është hapja e një xhamie dhe të një shkolle fetare në Shqipëri”. Haxhi Hafiz Sabri Koçi ka patur besim të thellë në fuqinë e Zotit se feja në Shqipëri do të lulëzojë krahas zhvillimit dhe përparimit të Shqipërisë demokratike. Ai ka marrë pjesë në disa Kongrese ndërkombëtare për paqe. Me forcën e fjalës,e me elokuencën e tij që të habiste, duke mbajtur gjallë, mijëra njerëz të ç’do lloj besimi, ai ndikoi në mënyrë shembullore për bashkëjetesën fetare. Ai është takuar disa herë më Papa Gjon Pali-II, e Nënë Terezën. Në këto takime ka vënë me forcë të madhe bashkëjetesën fetare në Shqipëri si shembull i shkëlqyer për Botën. Kjo bashkëjetesë u duk qartë, gjatë 13 vjetëve të drejtimit të K.M.SH. Me urtësi, arsye, tolerancë zgjidhi çdo keqkuptim që dilnin në punën e kudo. Hafiz Sabri Koçi ka bërë një punë të shkëlqyer në pajtimin e gjakmarrjes, sidomos në qarkun e Shkodër. S’ka fshat që të mos ketë shkelur këmba e këtij plaku të vuajtur e të moshuar. Kudo e gjeje me mësimet e Zotit në zgjidhjen e problemeve e hallet e popullit. Jo si një plak 70 vjeçar, por si një djalë 30 vjeçar, ai të bënte për vete jo vetëm me forcën e fjalës, por dhe me elokuencën që rrallë e dëgjon tek dikush tjetër! Kujtoj dhe respektoj jo vetëm forcën e fjalës që e kishte mësuar në shkollë e në jetë, e që i predikonte me aftësi, por dhe pasionin me të cilën ai ja transmetonte njerëzve. Kjo ishte merita e tij e pashlyeshme në ndërgjegjen tonë, të cilën e kemi parë dhe dëgjuar. Ai na mungon shumë dhe të gjithëve.