Grekët pretendime territoriale nga Gjirokastra, ngrenë flamurin e Vorio Epirit

Brikena Metaj- Gazeta Shqiptare. 16.05.18.

=Ndërsa në Athinë mbahej raundi i dytë i bisedimeve në nivel ekspertësh mes Shqipërisë dhe Greqisë për çështjen e kufirit detar është mbyllur, nga Gjirokastra grekët ngritën pretendime për kufijtë tokësorë.

Në Bularat të Gjirokastrës të martën është festuar aneksimi i jugut të Shqipërisë. Tubimi u organizua nga Lëvizja për Ringjalljen e Vorio Epirit me kryetar Mondi Kolila.

Në këtë tubim ishte shpalosur një flamur i madh i Vorio Epirit. Montis Kolilas, i cili thuhet se është kryetari i Lëvizjes për Ringjalljen e Verio Epirit shkruan ne Facebook: “Sot në Bularat në ngjarjen e përvjetorit të Protokollit të Korfuzit dhe autonominë e Epirit të Veriut. Nderojmë luftëtarët e rënë në vitin 1914”.

Në tubim kishte edhe shtetas grekë të ardhur nga Athina, Selaniku, Janina dhe Igumenica. Tubimi u organizua në qendrën e fshatit, shumë pranë shkollës së mesme dhe në atë që njihet si monumenti i edukatorëve kombëtar të komunitetit grek, që sipas të pranishmëve janë martirizuar gjatë periudhës 1944-1990.

Tubimi u organizua në 104 vjetorin e protokollit të Korfuzit. I pranishëm ka qenë edhe kryetari i bashkisë Dropull, Arqilea Deçka. Pjesëmarrësit ngritën zërin mbi ato që ata i quajnë si problematika të kohës.

Ata thanë se grekët nuk janë vetëm banorët e këtyre 99 fshatrave të njohur nga qeveria shqiptare, por elenizmi në Vorio Epir ka një histori që tejkalon kufijtë e njohur gjeografikisht që sipas tyre përfshin edhe zona si Përmeti, Himara dhe Korça.