Shkatërrimi i kullave shuan histori.-

 Nga Gjet Ndoj

 I- Historia e ndërtimit të kullave në trojet Iliro-Arbnore nga shek. XV deri në fillim të shekullit XX.

 Kullat (mini kështjellat) e kanë zanafillën që në fundin e shekullit të XIV, në kohën e Principatave Arbnore dhe sidomos kur shfaqet rreziku i kërcënimit turk (shek XV).

Sipas albanologut të shquar Milan Shuflaj: “…fortifikatat romano-bizantine, që mbetën të gjalla marrin një shtojcë të re në shek. XIV. Këto ishin kështjellat e vogla të dinasitëve ose të krahinave, të cilat Barleti i quan “opidula”. Këto janë prototipi i shtëpive me dy ose më shumë kate të Shqipërisë dhe të Malit të Zi, që quhen kulla në shqip, ose pirgje-pirgu (serbisht kula) dhe që i ndërtojnë edhe sot bajraktarët e fuqishëm të fiseve (vitet 20 të shek XX). Për kullat e feudalëve të Gjinokastrës (shek XV) mund të konstatojmë shumë mirë influencat krejt perëndimore të tyre. Djepi i këtyre kullave të Ballkanit në Shqipërinë e Jugut dhe në Epirin e Vjetër, ka qenë në Principatën e Akajës, sepse këtu u përhap kështjella e kalorësve të Perëndimit prej sundimtarëve latinë (katolikë), sikundër e dëshmojnë faktet në këto krahina.

Për përhapjen e kështjellave të kalorësve nga Veriu (në krye të herës) shërbejnë si ndërmjetës banimet e dinastëve shqiptarë të vegjël nëpër katundet e krahinave të brendshme, sidomos kur disa prej tyre (si Topiajt dhe Dukagjinët), nuk banonin më në qytetet e fortifikuara respektivisht në Durrës e në Lezhë, pasi këto të fundit kishin rënë në dorë të Venedikut. Përhapja e kullave të tilla u mbështet dhe u bë e zakonshme gjatë shkatërrimit të Mbretërisë Serbe dhe sidomos kur filloi të kërcënonte rreziku turk.

Në fund të shek. XIV njohim shumë kështjella të tilla në zotërimet e  Principatës së Topiajve të Dukagjinit, të Kastriotëve, Muzakajve etj:

Kështu në vitin 1392 konti Niketë Topia i lutet Republikës Veneciane, që ti japë leje të meremetojnë (restaurojë e rregullojë) kështjellën e vogël te Kepi i Melies,(Kaput de la Melie) afër Durrësit, diku në veri të tij. Ndërsa një degë e Familjes së Dukagjinëve në vitin 1402 banonte në Perlat (në Kthellë, aty ku ndahet sot Mirdita me Matin), ku ishte atëherë sigurisht një kështjellë e vogël.

Muzaka (1510) përmend kështjellën e Bjeshkës, një në krahinën e Çermenikës në Librazhd (afër Elbasanit) dhe tjetra në Dukagjin një “castello nomine Fleti” (sapo kalon Qafën e Malit për në Pukë është sot fshati Flet).

Marin Barleti shkruan se në Kep të Rodonit ngrihet Kështjella e Currilave, ndërtimin e së cilës e filloi Gjergj Kastrioti –Skënderbeu.

Përsëri Muzaka në vitin 1510 përmend se “te shpatulla jugore e malit të Cukalit në vitin 1459 në krahun e breg të Drinit ekzistonte akoma kështjella e Sattit, e ndërtuar që në vitin 1392”, shqip Shat, sot është një lagje poshtë Nënshat. Vendin e kësaj kështjelle sot e shënojnë gërmadhat e kishës së Shënkollit të Mesjetës. Pothuajse njëkohësisht me këto kështjella identifikohet edhe kështjella në Komunën e Pastrovicit, e cila në vitin 1542 mori emrin Forteza de Spizzi dhe gjendej nën juridiksionin e Tivarit dhe një kështjellë tjetër në kriporet e Budvës.

Milan Shuflaj, me tej, duke folur për tipologjinë e këtyre kështjellave thotë:

“Por këtu nuk mund të dallojmë, apo të jemi të sigurtë se këto fortesa I përkasin tipit verior të fortifikimit që vjen nga Bosnja ,Kroacia dhe Venediku , apo nga Shqipëria Jugore ( që sic e përmendëm më sipër, vinte nga kalorësit katolikë-Latinë të Perendimit). Të dy rrymat takohen me njëra –tjetrën te vija Kotorr-Shkodër –Prizren, e cila është shumë e komplikuar përsa i përket tipit të kështjellave. Përvec dy tipeve të përmendura më lart ,pati dhe mbetje të vjetra ilire si kështjella e Medunit apo kështjellat e tjera Ilire me ndikim Roman e Bizantin si Shkodra, Lezha e Prizreni” , që ndikuan dhe frymëzuan në arkitekturën e shtëpive të fortifikuara (kullat).

II-Rrethanat historike të mbijetesës së kullave –Banesave të fortifikuara në hapësirën shqiptare të Ballkanit Perëndimor

Sikurse mësojmë nga historia, pasi u vendos pushteti osman perandorak në trojet arbnore të Ballkanit Perëndimor, popullsia etnike arbnore, për shkak të qëndresës përballë hordhive turke, ju nënshtrua në fillim në fazën e “Okupimit të rreptë” (1479-1550) një shtypje dhe një gjenocidi të panjohur më parë. Kjo solli për pasojë dyndjen masive të popullsisë duke emigruar drejt perëndimit ose Brenda trojeve të tyre etnike nga qytetet e mëdha në fshatra e zona kryesisht malore e kodrinore, ndërkohë që në qytetet e mëdha mbetën vetëm popullsia që pranoi reformat Osmanizuese dhe islamizuese, duke i shërbyer administratës pushtuese shtetërore, pjesa tjetër u plotësua me kolonë nga Anadolli, Persia, Egjipti etj.

Në këtë kuptim, popullsia klasifikohej në dy kategori:

-Së pari, popullsia që mbështeste dhe përfitonte nga reformat dhe pushtetit Osman, e cila jetonte në qytetet dhe qendrat më të pasura të vendit;

-Së dyti, popullsia shqiptare etnike e pabindur që nuk e pranonte reformat pushtuese otomane, e cila jetonte në periferi të qyteteve të mëdha dhe në zona malore e kodrinore të vendit tonë;

Kjo ndarje e madhe, në kushtet e një jete shumë të ndryshme të popullsisë shqiptare, u reflektua në të gjithë fushat në të gjithë hapësirën e tyre etnike si në mënyrën e jetesë, ekonominë, kulturën, fenë, edukimit, stilin dhe kulturën e ndërtimit.

-Ndërsa grupi I, popullsia qytetëse dhe e rajoneve të privilegjuar, bënte një jetë të rehatshme e të begatë, e mbrojtur dhe e siguruar në të gjithë aspektet nga pushteti otoman, por me stil, fe e zakon kryesisht oriental- aziatik;

-Grupi II i popullsisë (kryesisht popullsia fshatare), jetonte në kushtet e diskriminimit të pushtetit otoman, bënte një jetë të vështirë ekonomike, e rrezikuar prej sulmeve e reprezaljeve të garnizoneve luftarake te pushtetit turk,, por ndonëse në kufijtë e mbijetesës e sakrificave të vazhdueshme kjo popullsi nuk hoqi dorë nga stili dhe zakoni arbnor i jetesës, si në kulturë, fe, letërsi, art e gjuhë etj, duke mos hequr dorë nga tradita e parapushtimit turk, që është tradita dhe kultura e vendit-njëherësh pjesë e Kulturës Europiane të jetesës.

Duke jetuar në kushte sigurie dhe jetese shume të ndryshme, ndërtesë-banesat dhe qendrat e banimit të popullsisë etnike të pabindur ndaj pushtimit e pushtetit dhe asaj që i shërbente dhe përfitonte prej këtij pushteti, ndryshonte thelbësisht.

Në qytete në kushtet e sigurisë së plotë nga ndonjë sulm apo grabitje, banesa nuk kishte nevojë të fortifikohej dhe ishte me shumë dritare, ku mbizoteronte punimi dhe zbukurimi me lëndë druri etj.

Në fshatra, në kushtet e pasigurisë totale, banesat ishin të vendosura në kodra dominuese por dhe pranë kishave e manastireve, që dhe ato filluan të bëheshin të fortifikuara. Natyrisht kullat (banesën e fortifikuar) nuk e kishin të gjithë familjet, pasi kostoja e tyre ishte e madhe, ndërsa ato i kishin familje të mëdha patriorkale dhe të fuqishme në rendin e të tjerave.

Kështu ndërtesat e fortifikuara , arkitektura e të cilave e kishte bazën nga arkitektura e fortifikatave e kullave mesjetare të shekujve XIV dhe XV, vazhduan të ndërtoheshin dhe të ishin prezente gjatë të gjithë kohës së pushtimit osman deri në fillim të shek. XX, prania e të cilave ekziston si dëshmi edhe në ditët tona. Bashkë me to shqiptarët faktojnë qëndresën dhe përpjekjet e tyre kundër pushtimit turk, për të ruajtur frymën dhe identitetin e tyre autentik, njëherësh qytetërimin e tyre europian.

III-Po ku janë të pranishme këto kulla gjatë sundimit Osman?

  Siç thamë pak më lart me pushtimin osman, popullsia qëndrestare e shtrënguar nga sfidat e sigurisë për tu mbrojtur, por dhe nevoja për të jetuar u spostua në mënyrë pothuajse masive duke u shpërndarë në hapësirat malore e kodrinore të territoreve shqiptare. Në të gjithë hapësirën jo rrallë të re në kuptimin e banimit, që në fillim të shek. XVI kemi fillimin dhe themelimin e qendrave të reja të banimit dhe fillimin e ndërtimit të kullave e shtëpive të tjera në këto hapësira. Natyrisht jo vetëm në hapësirat e reja (zonat malore), por edhe në zona të kodrinore e më gjerë, kjo popullsi qe e shtrënguar, për efekt sigurie të ndërtonte e të jetonte krahas shtëpive të thjeshta, në banesa të fortifikuara &kulla, të ndërtuara larg njëra tjetrës dhe kryesisht në majë të kodrave.

Duhet të theksojmë se tipologjia e arkitekturës ndërtimore ndryshon nga një krahinë në tjetrën, por në përgjithësi të gjithë këto minikështjella (Kulla), kanë elemente të trashëgimisë autentike të kullave mesjetare paraosmane ( I përshkruam më sipër). Ndoshta ajo që s’kishte ndryshuar tek shqiptarët etnikë ishte sfida e pasigurisë dhe e mbijetesës së tyre, që në kohët e dyndjeve barbare sllave e më vonë me pushtues të tjerë deri edhe në kohën e barbarisë Turko-Aziatike. Vështirësitë e kohës së pushtimit turk, përveç të këqijave të panumërta, i detyroi shqiptarët e vuajtur të mos heqin dorë nga “kullat, kishat dhe manastiret e tyre të fortifikuara” duke garantuar në këtë mënyrë vazhdimësinë e arkitekturës ndërtimore si pjesë të trashëgimisë autentike –europiane të shqiptarëve.

Hapësirat krahinore ku u ruajt kjo trashëgimi përfshijnë katunde që nga veriu e jugu i Shqipërisë. Kështu sipas dallimeve të vogla ne po i përshkruajmë shumë shkurt sipas krahinave:

 1-Zona Veri-Perendimore:

Janë Zonat e Malcisë (sot Mal të Zi), në Bjeshkët e Rugovës, në rrethinat e Pejës, Decan, bëjnë pjesë kullat në Vermosh, Selcë, Grudë e Tuz, Plavë e Guci, Rugovë, Hot e Shkrel, Bajze e etj.

 2-Kullat e Dukagjinit:

Përfshijnë të pranishme në të dy anët e Drinit të Bardhë,Malsinë e Gjakovës (Krasnice, Nikaj Mertur, Gash e Bytyc, në Has), në Rrethinat e Gjakovës në Dukagjin, Zadrimë, Mirditën Perendimore, Lumë, Rethinat e Prizrenit etj.

3-Kullat zonës së Arbërit (Mirditës Lindore- Matit përfshijnë) :

Kullat në zonat e Lurës , të Selitë, Perlatit, Kthellës e Bushkashit e Bazit (Rraza), të Macukullit, Gurrës, Xibrrit e Klosit, të Bulqizës, Dibrës, Kurbinit, Malësisë Tiranës, Martaneshit, Shëngjergj, Shupal e Shëmri,Prezës, Ndrocit etj.

4-Kullat e Çermenikës, të Gorës, Shpatit, Elbasanit, Dumresë.

5-Kullat e Labërisë, përfshijnë:

E Luginës së Vjosës, Gusmar-Golem-Lunxheri, Kardhiq, Lekdush e Kuq, Borsh, Kamenice (afër Delvinës), Himarë, Vurg, Markat e Konispol, Filat etj.

6- Në Kullat në zonën jo labe të Toskërisë bëjnë pjesë:

Devoll, Kolonjë, Opar, Tomorricë, Skrapar, Përmet- Këlcyrë.

IV- Bashkë me shkatërrimin e shembjen e kullave fshihet (shuhet) një histori e madhe shqiptare.

 Sikurse shihet, këto kulla dhe ndërtimi i tyre i mbijetoj edhe kohëve më të errëta të pushtimit dhe sundimit osman gjatë të gjithë kësaj periudhe deri në shekullin e XX, ndonëse njëherësh gjatë gjithë kësaj historie, ka ndodhur pandërprerë dhe shkatërrimi i tyre.

Pa pretenduar të trajtojmë në detaje dhe plotësisht këtë fenomen, në këtë përshkrim pretendohet vetëm fenomeni I shkatërrimit të kullave si një goditje e rëndë e trashëgimisë të mirëfilltë arbnore , njëherësh trashëgimi europianiste e vendit tonë.

Sigurisht gjatë të gjithë periudhës së sundimit turk ka ndodhur pandërprerë procesi shkatërrimit të kullave dhe I fortifikatave ku mbroheshin shqiptarët e pabindur e kryengritës. Ky shkatërri ka lënë gjurmë kryesisht nga shekulli XVIII e në vazhdim, ku disa momentet e fragmente domethënëse të këtij procesi barbar janë:

Shkatërrimi i Kardhiqit

Kardhiqi njihet si një qendër e vjetër dhe shumë e zhvilluar banimi, njëherësh mjaft kryengritëse antiosmane. Ndërtesat dhe banesat e fortifikuara ishin mjaft të njohura në të gjithë zonën e Gjirokastrës. Vala e shkatërrimit të Kardhiqit dhe e katundeve të tjera të jugut solli rrënoja ta jashtëzakonshme.

Në vëllimin “Historia e Arkitekturës Shqiptare”, botim I vitit 1980, fq. 592 thuhet: “Kuadrin e banesave të vjetra në këtë zonë që ndiqet nëpërmjet fshatrave të rrënuara, e plotësojnë më së miri rrënojat e fshatit Kardhiq. .. në shek. Siç e tregojnë dhe rrënojat ishte kthyer në një qendër të zhvilluar dhe të rëndësishme. Ali pashë Tepelena në përpjekjet e tij për zgjerimin e sundimit te tij në fillim të viti 1811, pushtoi dhe Kardhiqin, shkatërroi fshatin dhe masakroi një numër të madh banorësh. Më vonë Kardhiqi nuk arriti ta marrë veten dhe nivelin që kishte patur në prag të shkatërrimit. Rrënojat janë edhe sot dhe konsiderohen të paktën të shek. XVIII”.

 Shkatërrimi i Kullave në Malësinë e Gjakovës dhe të Lumës.

Siç dihet pas humbjes së Gjeneralit Turk Xhavit Pasha ( viti 1909), sipas informacioneve që kemi nga dokumente arkivore, solli djegjen e shkatërrimin e shumë shtëpive e kullave në Has, Bytyq, në Lumë (Bicaj, Nangë. Mamz, Bardhos e Zhur> akoma më shkatërrimtar qe sulmi I Shefqet Turgut Pasha e vitit 1910, I cili në shenjë hakmarrje për disfatat e v. 1909 vendosi nje shtetrrethim duke masakruar popullsinë e Rrafshit të Dukagjinit, të Malsisë Gjakovës, të Lumës e të Dibrës. Bashkë me masakrat dogji e shkatërroi me top kullat e këtyre anëve. Rasti më emblematic ishte dhe goditja me dy topa malorë të Kullës së prijësit nacionalist Baftjar Doda të Recit në Tejmallë (korrik 1910). Ishte kullë katër katëshe, me një arkitekturë të jashtëzakonshme, në mall rrëzë malit Zepës.

Pas dy vitesh radhën për shkatërrimin përfundimtar të kullave në Rrafshin e Dukagjinit , në Malësinë e Gjakovës në Lumë e në Dibër, e patën ushtria barbare Serbo- Sllave. Në vitin 1913 pothuajse e gjithë popullsia e Malësisë Gjakovës u shpërngul nga reprezaljet serbe duke u vendosur në Shkodër. Ndërsa Kullat u shkatërruan tërësisht. Kthimi i popullsisë u bë pas ndërhyrjes së austriakëve qe zëvendësuan prezencën ushtarake serbe në këto anë. Po kështu ndodhi edhe në Lumë e Dibër.

Shkatërrimi i kullave në Kosovë gjatë vitit 1999.

Barbaria serbe nuk ka fund në trojet Dardane të Kosovës. Ndërsa ndryshe nga herë të tjera në v. 1999, ushtria serbe bashke me gjenocidin dhe spastrimin etnik te popullsisë etnike shqiptare, e pati prioritet e objektiv edhe djegjen dhe shkatërrimin e kullave si pjesë të trashigimisë e të krenarisë kombëtare të shqiptarëve. Natyrisht me tepër prezente këto kulla ishin në Rrafshin e Dukagjinit.

Shkatërrim kullash në Mirditë.

Pas Luftës së Dytë me vendosjen e dhunshme të Diktaturës Komuniste në Mirditë, pati dhe djegie e shkatërrime të kullave e objekteve të tjera të kultit. Kështu u dogjën e u hodhën në erë Kullat (sarajet e Derës Princore të Mirditës në Orosh), por dhe e Abacisë dhe e Konviktit të Oroshit.

-Ishte një konfrontim i pashmangshëm mes Mirditës Arbnore dhe një pushteti Politik që mbronte interesat Pansllave dhe të sejmenëve të tyre shqipfolës.

Është për të ardhur keq se qeveritë e Shqipërisë nuk e kanë aspak preokupacion ruajtjen e kësaj trashëgimie shumë themelore të Shqiptarëve. Mjafton t’ju përmend faktin se as Kullën e “Homerit Shqiptar” poetit At’ Gjergj Fishta nuk restaurohet e ruhet prej qeverisë shqiptare.

Kam dyshim se derisa të shuhen vlerat tona të trashëgimisë tonë dhe Shqipëria të varfërohet tërësisht , degradimi e shkatërrimi barbar i saj nuk ndalet.