Rama Pacolli

27 Maji 2026

Gjykata e Lartë i dha fund ngërçit të punimeve për aeroportin e Vlorës, duke zhbllokuar të drejtat e MABCO Constructions S.A. në administrimin e shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA). Me vendimin e djeshëm, Gjykata e Lartë vendosi që të heqë çdo pengesë të krijuar për administrimin në terren të kantierit nga MABCO, në pronësi të biznesmenit Behgjet Pacolli, që ka dhe shumicën e aksioneve pasi ky i fundit kërcënoi me arbitrazh qeverinë. Vendimi i jep fund absurdit që u krijua nga vendimet skandaloze të gjykatave, që për shkak të një mosmarrëveshjeje mes dy biznesmenëve i hoqën çdo të drejtë vote MABCO-s së Behgjet Pacollit, megjithëse ky mbante peshën kryesore të investimit. Pritet që në ditët në vazhdim situata në kantierin e aeroportit të Vlorës të shkojë drejt normalizimit. Javët e fundit punimet ishin bllokuar, ndonëse projekti ndodhej në fazën përfundimtare dhe sipas palëve kërkoheshin vetëm ndërhyrje të fundit teknike për vënien në operim të terminalit.

Goditja për bandën “Balluku”

Arsyeja pse Ministria e Transporteve ka përdorur forcën publike dhe instrumentet shtetërore për të mbrojtur aksionerin minoritar prej 2% dhe për të sulmuar Pacollin fshihet pas një rrjeti interesash ku fijet të çojnë sërish te Belinda Balluku. Konflikti i brendshëm mes “Mabco” që mban 98% të aksioneve dhe shoqërisë kosovare “2A Group” që zotëron vetëm 2% shpërtheu në vjeshtën e vitit 2025 për kontrollin administrativ dhe ndarjen e kuotave të shoqërisë koncesionare VIA sh.p.k., pasi pronari i “2A Group”, Valon Ademi, pretendoi se kishte një kontratë noteriale të fshehtë të prillit 2025 ku Pacolli pranonte rritjen e pjesëmarrjes së tij në 49%, kontratë e cila nuk u regjistrua në QKB dhe iu shmang miratimit të ministrisë për të evituar kontrollin shtetëror.

Pacolli i ka hedhur poshtë këto pretendime duke e denoncuar marrëveshjen si të falsifikuar në Prokurorinë e Tiranës që në janar të vitit 2025 dhe duke akuzuar administratorët Vegim Hoxha, Bujar Ejupi dhe partnerët Valon Ademi e Valon Lluka për marrje të dhunshme të kantierit, ndonëse prokuroria ka nisur paralizuar hetimet ndaj vetë Pacollit për mashtrim me pasoja të rënda dhe falsifikim dokumentesh pas sigurimit të padisë që Gjykata e Tiranës dhe Gjykata e Apelit pranuan më 10 tetor 2025, duke pezulluar të drejtat e votës së “Mabco” dhe duke i njohur pakicës administrimin e përkohshëm për të bllokuar një kredi prej 100 milionë eurosh nga fondi “Delphos” që Pacolli po kërkonte duke përdorur projektin si kolateral.

Shkeljet

Gatimi i parregullt dhe paligjshmëria shtetërore e këtij koncesioni ka nisur që në tenderin e shpallur në fund të vitit 2020 nën drejtimin e Ballukut, ku u vërtetua një varg i gjatë shkeljesh të qëllimshme për të paracaktuar fituesin, duke filluar nga ndryshimi i kritereve në momentin e fundit ku kapaciteti i aeroportit u zbrit nga 10 milionë pasagjerë me dy kulla kontrolli në vetëm 2 milionë pasagjerë me një kullë kontrolli vetëm katër ditë para garës, si dhe skualifikimi i padrejtë i kompanisë konkurrente britanike “AL-DE Corporation LTD” ndonëse kishte kushte shumë më të favorshme për interesin publik, gjë që çoi në denoncimin e garës si të parregullt përpara nënshkrimit të kontratës më 20 prill 2021 me konsorciumin e përbërë nga “Mabco” me 58%, “YDA Group” me 40% dhe “2A Group” me 2%.

Mënyra fiktive e këtij tenderi u zbulua nga vetë rrëfimet publike të Behgjet Pacollit, i cili tregoi se ishte njoftuar në telefon nga pronari i kompanisë turke “YDA Group” se ishin udhëzuar nga presidenca turke të futeshin në garë vetëm formalisht për të plotësuar kriterin e eksperiencës teknik që konsorciumit i mungonte, dhe sapo u shpallën fitues turqit u larguan në shtator 2022 duke shitur në letra 40% të aksioneve për vlerën simbolike prej 4,450 eurosh, ndonëse Pacolli dëshmoi se ata arkëtuan realisht 3 milionë euro cash vetëm për dhënien e letrave. Kjo skemë është identike me atë të tenderit të tunelit të Llogarasë ku kompanitë turke u futën vetëm formalisht pa bërë asnjë punë dhe u larguan me miliona euro, ku te tuneli SPAK ka kapur mesazhe të kompanisë turke “Interkar ASL” që pretendonte se ishte e preferuara e presidentit, ndërsa te aeroporti Balluku kishte një marrëveshje sekrete me turqit siç dëshmoi Pacolli, i cili tregoi se gjatë një takimi në zyrën e saj ministrja nuk i drejtoi asnjë fjalë biznesmenit kosovar, foli vetëm me turkun dhe e nxori Pacollin jashtë përpara shpalljes së garës.

Ligji për Koncesionet detyronte që përpara ndryshimit të çdo aksioneri duhej marrë miratimi paraprak i Autoritetit Kontraktor dhe Ministrisë së Financave për të ndaluar largimin e partnerit teknik pa u zëvendësuar, por Ministria e Infrastrukturës jo vetëm që nuk ngriti alarm, por lejoi ndryshimin e klauzolës në negociata dhe shitja e aksioneve u miratua në dhjetor të vitit 2022 nga vetë Belinda Balluku dhe ministrja e Financave, duke vërtetuar se ishin palë në organizimin e garës fiktive.Gjatë miratimit të kontratës në prill të vitit 2021, Ministria e Infrastrukturës shpërfilli hapur vërejtjet dhe rekomandimet zyrtare të Ministrisë së Financave, të cilës iu lanë vetëm tri ditë kohë për të vlerësuar kontratën voluminoze pa i vënë në dispozicion 21 anekse thelbësore, duke injoruar kërkesën e prerë për heqjen e neneve 15.9, 15.10 dhe 15.11 të cilat ngarkonin buxhetin e shtetit me përgjegjësinë për të paguar kreditë bankare të privatit në rast të zgjidhjes së parakohshme të kontratës.

Ky injorim solli shkelje të rënda administrative ku shteti mori përsipër mbulimin e një kredie prej 56 milionë eurosh të marrë nga koncesionari pranë bankave dhe të garantuar në mënyrë të paligjshme nga buxheti publik, nga e cila 22 milionë euro janë realizuar si kredi deri në fund të vitit 2024, ndërkohë që investimi real i realizuar në periudhën 2021–2024 mbeti vetëm 42.6 milionë euro, që përbën rreth 40% të investimit të projektuar total prej 104.3 milionë eurosh, ku vetëm 10 milionë euro ishte kapital i vetëpërdorur nga “Mabco” dhe 9.7 milionë euro mbeten detyrime të papaguara ndaj nënkontraktorëve vendas. Për më tepër, shteti i garantoi koncesionarit të ardhura prej 138 milionë eurosh për 10 vitet e para të operimit, duke tejkaluar me 130% investimin total të premtuar dhe duke shkatërruar parimin e ndarjes së rrezikut, pasi shteti ka krijuar një skemë ku privati përfiton miliona euro pa mbartur asnjë rrezik komercial, duke transferuar të gjithë barrën financiare mbi taksapaguesit shqiptarë.

Nga: Gazeta Sot