27 Maji 2026

Një “tërmet” i vërtetë diplomatik ka tronditur themelet e qeverisë shqiptare, teksa dje po mbahej Konferenca e 8-të Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian në Bruksel. Dy nga shtetet më skeptike dhe me peshën kryesore në vendimmarrjen e BE-së, Gjermania dhe Holanda, kanë kushtëzuar hapur avancimin e mëtejshëm të Tiranës zyrtare drejt integrimit me një emër konkret: ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Mesazhi i koduar, por i qartë si drita e diellit, i dërguar përmes një deklarate të përbashkët nga ambasadori gjerman, Karl Bergner në Tiranë dhe ai holandez Reinout Vos në vendin tonë, ka qenë një ultimatum i prerë për kryeministrin Edi Rama: Mburoja politike ndaj zyrtarëve të lartë duhet të bjerë, përndryshe procesi i anëtarësimit bllokohet pa afat.

Ndonëse deklarata zyrtare e dy diplomatëve vlerësoi përpjekjet teknike për grupkapitullin “Themelorët”, ajo ka shërbyer si një dorezë e hekurt ndaj strategjisë së mazhorancës socialiste për të penguar drejtësinë e re. “Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jene në harmoni me rekomandimet e Komisionit të Venecias”, thuhet tekstualisht në deklaratën që ka alarmuar korridoret e Kryeministrisë.

Pse kërkohet “koka” Belinda Balluku?

Por ky qëndrim i Berlinit dhe Amsterdamit shihet si një goditje direkte ndaj mbrojtjes që Partia Socialiste po i bën ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku. Ish-zv/kryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës po hetohet në mënyrë intensive nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) për përfshirje të dyshuar në abuzime të rënda dhe tendera korruptivë në sektorin e infrastrukturës rrugore. Sipas të njëjtave burime, përpjekjet e SPAK për të ecur përpara me masat shtrënguese ndaj Ballukut janë ndeshur me një “mur” refuzimi politik nga mazhoranca, e cila ka zvarritur ose tentuar të bllokojë kërkesat për heqjen e imunitetit të saj si deputete. Mirëpo përmendja specifike e Komisionit të Venecias në deklaratën gjermano-holandeze nuk është rastësore. Ajo vjen si një përgjigje ndaj manovrave juridike të Parlamentit shqiptar, i cili kohët e fundit ka tentuar të ndryshojë rregullat e lojës për heqjen e imuniteteve, duke i vështirësuar punën SPAK-ut. Pra Berlin dhe Haga e kanë bërë të qartë: nëse SPAK kërkon autorizim për arrestimin e Ballukut, Rama nuk mund të përdorë kartonët e shumicës për ta shpëtuar atë.

Çfarë pritet të ndodhë?

Megjithatë tashmë topi është në fushën e Edi Ramës. Kryeministri gjendet përballë një zgjedhjeje jetike: Të lejojë lëshimin e njërës prej figurave më të fuqishme të kabinetit të tij tek prangat e SPAK-ut për të mbajtur gjallë ëndrrën europiane. Ose të zgjedhë mbrojtjen e strukturave të brendshme të partisë, duke marrë koston e rëndë të vetëizolimit dhe bllokimit të Shqipërisë në dyert e Brukselit. Sidoqoftë ajo që është e sigurt është se Gjermania dhe Holanda kanë ndezur dritën e kuqe: pa “kokën” e korrupsionit të nivelit të lartë, drita jeshile e integrimit nuk do të ndizet kurrë. Më poshtë po pasqyrojmë deklaratat e plota të bërë nga ambasadorët Karl Bergner dhe Reinout Vos.

Deklarata e ambasadorit Karl Bergner

“Me rastin e Konferencës Ndërqeveritare të ditës së sotme me Shqipërinë në Bruksel, Ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner, deklaroi: “Arritja e objektivave të ndërmjetme në grupkapitullin ‘Fundamentals’ përbën një hap të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Përgëzoj me këtë rast të gjithë qytetarët e Shqipërisë si dhe të gjithë ata në politikë, administratë dhe drejtësi, që kanë kontribuuar duke u angazhuar fort në këtë drejtim.  Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Ndaj Gjermania e mbështet fuqimisht anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian. Një shtet ligjor i fortë, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë thelbi i vlerave evropiane. Kësisoj hapat përpara në lëmin e ‘Fundamentals’ përcaktojnë shpejtësinë e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Ndaj arritja e objektivave të ndërmjetme përbën pikënisjen për hapa të mëtejshëm të Shqipërisë në funksion të forcimit të shtetit ligjor.

Dakordësia për IBAR-in është shprehje e pritshmërisë dhe inkurajimit tonë të qartë për vijimin e reformave, zbatimin e tyre me vendosmëri në praktikë dhe konsolidimin e institucioneve përgjegjëse. Respektimi i pavarësisë së drejtësisë dhe lufta pa pengesa e korrupsionit edhe në raste të nivelit të lartë janë kushte të panegociueshme për progresin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Këtu bën pjesë edhe fakti, që vendimmarrjet lidhur me heqjen e imunitetit duhet të jenë në harmoni me rekomandimet e komisionit të Venecias. Shtetet anëtare të BE-së i kanë ankoruar shumë qartë këto pritshmëri në Deklaratën e tyre të Përbashkët si kushte për përmbylljen e bisedimeve. Ashtu si institucionet dhe shtete të tjera anëtare të BE-së, edhe Gjermania do të ndjekë me shumë vëmendje zhvillimet në vijim si dhe do të mbështesë hapat e mëtejshëm të reformave”, shprehet ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, deklaratë e cila është shpërndarë në rrjetet sociale nga ambasada gjermane në Tiranë.

Deklarata e ambasadori Reinout Vos

“Me rastin e Konferencës Ndërqeveritare me Shqipërinë të sotme në Bruksel, Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Z. Reinout Vos, deklaron: Arritja e standardeve të ndërmjetme në Grupin “Bazat” shënon një hap të rëndësishëm në procesin e pranimit të Shqipërisë në BE. I përgëzoj të gjithë qytetarët e Shqipërisë, si dhe ata në politikë, administratë publike dhe gjyqësor që kanë kontribuar në këtë arritje me përkushtim të madh.

Shqipëria është pjesë e familjes evropiane. Kjo është arsyeja pse Holanda e mbështet fuqimisht pranimin e saj në Bashkimin Evropian. Një sundim i fortë i ligjit, mbrojtja e të drejtave themelore dhe një demokraci pluraliste janë në thelb të vlerave evropiane. Prandaj, progresi në fushën “Bazat” përcakton ritmin e rrugës së Shqipërisë drejt BE-së. Arritja e standardeve të ndërmjetme përbën kështu pikën e fillimit për hapat e mëtejshëm të Shqipërisë për të forcuar sundimin e ligjit. Miratimi i IBAR shpreh pritjen dhe inkurajimin tonë të qartë për të vazhduar reformat, për të siguruar zbatimin e tyre të qëndrueshëm në praktikë dhe për të forcuar institucionet përgjegjëse.

Respekti për pavarësinë e gjyqësorit dhe përpjekjet e pakufizuara kundër korrupsionit, përfshirë rastet e nivelit të lartë, janë parakushte të panegociueshme për përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE. Kjo gjithashtu përfshin sigurimin që vendimet për heqjen e imunitetit të merren në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Shtetet anëtare të BE-së i kanë ankoruar këto pritje shumë qartë në Qëndrimin e tyre të Përbashkët si parakushte për përfundimin e negociatave. Ashtu si institucionet e BE-së dhe shtetet e tjera anëtare të BE-së, Holanda do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimet e mëtejshme dhe të mbështesë përpjekjet për reforma”, shprehet ambasadori i Holandës në Shqipëri, Reinout Vos, deklaratë e cila është shpërndarë në rrjetet sociale nga ambasada holandeze në Tiranë.