Nga Adrian Thano

“Shqipëria u bë zogu, ne u gjendëm në mes të kësaj…” – u tha dje kryeministri deputetëve të pak orë përpara se sheshi të mbushej, duke e vizatuar veten dhe qeverisjen e tij brenda një “skene” ku po përplasen stuhitë globale.

Dha një tjetër leksion të pastër të artit të tij të vjetër, ikjes nga përgjegjësia dhe zgjodhi prapë strehën komode të viktimizimit.

Fajet këtë herë i ka një konspiracion i madh faktorësh globalë.

​“Një projekt zhvillimi në Shqipëri u bë brenda pak ditësh pjesë e një lufte ideologjie që nuk ka lindur në Shqipëri…” – janë fjalët e Edit. Dhe pak më tej: ​“Bota nuk u zgjua prej fatit të Nartës, por prej emrit të Kushnerit dhe hijes së vjehrrit të tij…”

Kjo qenka një luftë e madhe ideologjike ku Shqipëria është si biçim kolaterali. Dhe ky mobilizim i jashtëzakonshëm që paska ardhur nga ‘urrejtja’ ndaj Trumpit, ka brenda edhe grekët, iranianët, kundërizraelianët, rrjetin social, algoritmin global, mediat ndërkombëtare, injorancën e njerëzve, shkrirjen e akullnajave.

Nuk arrin kryeministri i shqiptarëve të shohë në protestën masive ndonjë shqetësim legjitim shqiptar. Si rrjedhim, i vetmi që nuk ka si të jetë shkak, është Edi, kjo viktimë e madhe rrethanash të kohëve moderne.

Çdo kritikë, vendase apo e huaj, është detyrimisht ‘e verbër’, ’emocionale’ dhe e nxitur nga mllefi. Një si xhelozi botërore, e projektuar posaçërisht ndaj Edit tonë.

​“Të ishte për botën, Narta mund të kthehej qetësisht 10 vite më parë, kur flamingot nuk shtegtonin drejt lagunës së saj, se i priste plumbi i kafshëve të dehura me dy këmbë..” – janë fjalët e tij.

Logjikë gjeniale. Medemek, meqë disa gjahtarë vrisnin flamingo para dhjetë viteve, ne sot nuk kemi më asnjë të drejtë t’i kërkojmë kryeministër Edit llogari për betonizimin e një zone të mbrojtur, për projektet që gllabërojnë natyrën, për fatin e vetë lagunës, për pronat e rrëmbyera me falsifikime, për kriminalizimin e gjithë shoqërisë nga droga dhe korrupsioni.

Në vend të llogaridhënies, që e ka detyrim ligjor, ‘i pagabueshmi’ bën sociologun dhe psikiatrin. Sulmon gjendjen emocionale të protestuesve, i fyen për turpin e vet, pastaj përdor të shkuarën si kontrast për të na treguar se kush është i miri në këtë histori. Edi, kush tjetër.

Ata që mendojnë ndryshe janë “analfabetë që udhëhiqen nga histeria e rrjeteve sociale”, “romantikë naivë”,  “bullistë online”, “fashistë hajvanë”.

Në fund, bën edhe bashkimin e madh të “armiqve” të brendshëm e të jashtëm:

Bulevardi përputhi atë arenë të frikshme me krejt armatën e urrejtësve shqiptarë… I gënjeu mendja se çadra globale e kësaj proteste do të bënte mrekullinë që nuk e bëri dot çadra lokale e protestës së Lulit tim…”

Nuk e ka me Lulzim Bashën. Po i tregon popullit protestues organin gjenital.

​Përgjigjen e mori të prerë mbrëmjen e kësaj të shtune. Pjesëmarrja e pashoqe në bulevard është përplasja më e ashpër e realitetit me përrallat e tij për flamingot globale.

Dhjetëra mijë protestues nuk janë hije virtuale, as robotë apo profile false. Janë njerëz prej mishi e gjaku. Po i dëshmojnë “të pagabueshmit” se llogaridhënia shtetërore nuk shmanget më me truke gjuhësore dhe ligjërime prej filozofi të rremë.

Mund t’i etiketosh “hajvanë” e “fashistë” sa të duash nga kolltuku i rehatshëm i pushtetit, por ata njerëz nuk zbritën në rrugë nga marazi për Trump-in dhe udhëzimet për “Lulin”.

Zbritën si prindër të shqetësuar, si pronarë të grabitur, si qytetarë që refuzojnë të pranojnë më tej teatrin e pështirë të një klase politike logoresh false që shtiret si rivale ditën dhe ndan ortakërinë e grabitjes së parasë publike, natën.

​Përballë këtij deti njerëzish, petkat e kuruara të Edit dhe Saliut duken më të ngushta e më qesharake se kurrë. Sheshi ua zhveshi përfundimisht kallajin, edhe ironisë bajate të njërit, edhe pozës prej shpëtimtari të tjetrit, që me atë shesh ka ende të hapur llogarinë e pashlyer të vrasjeve.

Nga sonte, të dy do udhëhiqen vetëm nga një ndjenjë. Ajo më fillestarja, më primitivja dhe më njerëzorja sigurisht: Frika!

Përballë të vërtetës.

As njëri, as tjetri, as të dy bashkë, nuk e kontrollojnë, nuk e paketojnë dhe nuk e manipulojnë dot më.