25 Maji 2024

“… oficerit të policisë që shoqëronte grupin që do të kryente arrestimin iu tha nga familjarët e atij që duhej të arrestohej “çkërkon këtu ti, ti ishte para ca ditësh dhe more lekët…”.

Gazetari Igli Çelmeta i pranishëm në një emision televiziv, duke komentuar operacionin e fundit të SPAK, tha se ai është iniciuar nga pertnerët francezë, belgë e holandezë pas çkodimit të aplikacioneve SKY ECC.

Çelmeta tha se dyshimet se operacioni është dekonspiruar është fakti se të paktën dy funksionarët e policisë që ishin në listën e personave që duhej të arrestoheshin, nuk janë paraqitur në punë.

“Dekonspirimi i operacionit duket nga numri i personave që janë arrestuar, janë vetëm 8 persona, ndërkohë që nuk janë arrestuar personazhet kyçe”, tha Çelmeta.
Në vijim ai paraqiti edhe një detaj, kur gjatë operacionit, kur është shkuar në banesën e një prej personave që ishte në listë, oficerit të policisë që shoqëronte grupin që do të kryente arrestimin iu tha nga familjarët e atij që duhej të arrestohej “çkërkon këtu ti, ti ishte para ca ditësh dhe more lekët…”.

Ai tha se për shkak se nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Emiratet e Bashkuara Arabe, personat e kërkuar në Shqipëri, shkojnë e strehohen në Dubai.

“Të paktën 7 personazhe të rëndësishme të botës së krimit janë strehuar pikërisht në Dubai”, tha Çelmeta.

Ai tha se bandat kanë një fuqi të madhe ekonomike, që sigurohej nga lojrat e fatit, por kemi edhe banda kriminale që siguronin të ardhura vetëm për shkak të vrasjeve, pra kemi vrasës me pagesë.

Referuar Vettingut në Polici, Çelmeta tha se ky proces të funksionojë duhet një bashkëpunim mes institucioneve.
“Duhet një bashkëpunim më i ngushtë mes SPAK dhe AMP-së, pasi SPAK është institucioni që ka të dhënat nga çkodimi i aplikacionit SKY”, tha Çelmeta.

Gazeta Sot