Fondet për artin e kulturën shkojnë për propagandë. Artistët i kërkojnë transparencë Veliajt për buxheti.

-Paratë për artin dhe kulturën shkojnë për të bërë propagandën Erion Veliaj. Të gjitha aktivitetet kulturore kanë në qendër kryetarin e Bashkisë, i cili, vend e pa vend, del në skenë, ekran, e kudo dhe jep “këshillat” e tij. Duket qartë se ai nuk është aspak i interesuar për artin e kulturën e kryeqytetit, por për imazhin e tij, për “bombardimin” e ekraneve me praninë e tij, duke shfrytëzuar hapur artistët e skenës dhe ekranit, duke i joshuar ata me projekte që i vendos vetë, pa u konsultuar me grupet e interest. Për të gijtha këto shqeëtsime, skena e Pavarur Kulturore kërkon transparencë nga Bashkia e Tiranës, përfshirje në konsultime për projektet dhe hartimin e buxhetit. Përmes një letre dërguar kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, SPK ku përfshihen artistët bën me dije se do të ketë vëmendje maksimale përcaktimin e prioriteve kulturore në qytet dhe transparencën e munguar të fondeve për artin dhe kulturën.  “Ne kemi kërkesën tonë për sa i përket buxhetit për artin dhe kulturën,  sepse bashkia e vendos vetë. Prioritet e kulturës në qytet, por bëhet vetë bashkia promotore e kulturës pa u konsultuar me grupet e interesit më parë, që në këtë rast është SPK. E dyta në bazë të prioriteteve do të diskutohet dhe shpërndarja e buxhetit për artin dhe kulturën. Nëse ata vendosin që do të financohet Rita Ora, pse? Pasi ato para mund të shkonin për projekte me artistët e rinj, etj, pra janë gjëra që kërkojnë diskutim dhe jo të vendosi vetë bashkia”, pohon Tepelena, perfaqesues i SPK.

Ja letra drejtuar Bashkisë Tiranë”

Drejtuar: Z. Erjon Veliaj, Bashkia Tiranë

Për dijeni: Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë

Subjekti: Integrimi në PBA i propozimit të Shoqërisë Civile

Skena e Pavarur Kulturore (SPK), në kuadër të Rritjes së Presionit Civil mbi hartimin Programit Buxhetor Afatmesëm dhe Buxhetit vjetor 2019, ka hartuar nje set propozimesh per tu diskutuar në Institucionin tuaj. Ky dokument do t’ju dergohet zyrtarisht per dijeni edhe MoFE.

Sipas LIGJIT ORGANIK TE BUXHETIT dhe Udhezimit Standart te Pergatitjes se Buxhetit, Insitucioni juaj duhet të dërgojë PBA në MoFE brenda dates 1 Qershor 2018. Për këtë arsye kërkojmë përfshirjen e Skenës së Pavarur Kulturore në proçesin e buxhetimit të fondeve të Kulturës.

Ju kujtojmë që më datën 24 Janar 2018, përfaqësues të Skenës së Pavarur Kulturore – SPK u takuan në Bashkinë e Tiranës me Nën-Kryetarin e Bashkisë, Z. Andi Seferi dhe me Drejtorin e Kulturës së Bashkisë, Z. Besim Petrela.

Takimi u fokusua në ndërtimin e një ure komunikimi të drejtëpërdrejtë dhe dialogu konstruktiv midis Skenës së Pavarur Kulturore dhe Bashkisë Tiranë, në çështje me interes reciprok të tilla si:

  • • Nevoja e takimeve periodike, të paktën një herë në muaj, me Këshillin e Kulturës, për të paraqitur sugjerime dhe shkëmbyer ide e platforma të zhvillimit kulturor të qytetit.
  • • Përcaktimi i prioriteve dhe ndarjen e buxhetit për fushat që do të mbështeten vit pas viti, të bazohet në një komunikim midis Këshillit të Kulturës dhe SPK-së.
  • • Përfshirja e ekspertëve të SPK-s në Komisionin Vlerësues të projekteve.
  • • Digjitalizimi i proçesit të aplikimit të projekteve, ku konkurruesit do të kenë mundësinë që të aplikojnë online për grante/subvencione.
  • • Duke qenë se numri i aplikimit të projekteve është rritur nga 27 në 93 në vitin 2014, u shtrua nevoja e rritjes së aftësisë të organizatave kulturore në shkrime projektesh sipas metodologjisë së duhur bashkëkohore. Për këtë qëllim, nevojiten trajnime nga ekspertë të fushës në mënyrë që të rriten kapacitet e organizatave për shkrime projektesh dhe ekspertë të SPK-s, mund të japin ekspertizën duhur në këtë drejtim.
  • • Të shihet mundësia e nxitjes së Sipërmarjes Kultutore nëpërmjet krijimit të inkubatorëve start-up, duke ofruar lehtësira fiskale për personat që do të angazhohen në këto inkubatorë.
  • • Të rishihet mundësia që organizatat e SPK-së të mos paguajnë qera në sallat/godina/kinema/teatro që disponon Bashkia.
  • • Të rishihet mundësia që subjekteve dhe organizatave kulturore t’u hiqet taksa e Bashkisë duke qenë se ato zhvillojnë aktivitet jo-fitimprurës në interes publik.
  • • Kalendari i eventeve të organizatave të SPK-së të përfshihet në kalendarin kulturor të Bashkisë së Tiranēs.
  • • Festivale dinjitoze të organizatave të SPK-së, të bëhen pjesë e axhendës kulturore mbështetëse të Bashkisë në një partneritet të paktën 3 vjeçar.
  • • Nxitja dhe rritja e cilësisë të kritikës artistike për ngjarjet artistike-kulturore në kryeqytet.
  • • SPK dhe Bashkia, të jenë aktivë në diskutimin mbi LIGJIN E ARTIT DHE KULTURES.

Sa më sipër SPK shprehet e gatshme të ndërtojë një bashkëpunimi dhe dialog të vazhdueshëm midis Bashkisë Tiranë dhe Skenës së Pavarur Kulturore për të diskutuar për planin e veprimit brenda një viti, hartimin e agjendës së përbashkët kulturore, mënyrën se si Skena e Pavarur Kulturore mund të ndihmojë Drejtorinë e Kulturës, krijimin e përbashkët të një dokumenti të politikave kulturore për Tiranën dhe organizimin e një grupi të përbashkët për politika kulturore. Qëllim i këtij takimi ishte vazhdimësia e bashkëpunimit dhe dialogut mes autoriteteve publike dhe kulturës së pavarur.

Duke shpresuar qe propozimet tona te merren parasysh, mbetemi te hapur per takime dhe diskutime te metejshme.

Skena e Pavarur Kulturore”