Filmi “Derë e hapur” shfaqet në Përrenjas, Pukë dhe Elbasan. (!)

12 mars 2020

Filmi “Open door” u shfaq gjatë këtyre ditëve (!) në disa qytete të vendit. Filmi me regji nga Florenc Papas, u shfaq në qytetet si Përrenjas, Pukë dhe Elbasan. Shfaqja e filmit u organizua nga organizata “UN Women Albania”, në kuadër të aktiviteteve që u zhvilluan për Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Në qytetet ku u shfaq filmi “Open door” (Derë e hapur) ishin të pranishëm edhe producenti Eno Milkani, si dhe aktorja e njohur Luli Birit. Ky aktivitet ishte i mbështetur nga Ambasada e Suedisë në Tiranë. Me skenar nga Florenc Papas dhe Ajola Daja, me producent Eno Milkani, filmi “Open Door” është shfaqur në konkurrim në disa festivale filmi jashtë vendit. Rolet kryesore në film interpretohen nga dy aktore, Luli Bitri dhe Jonida Vokshi, për të vijuar dhe me të tjerë emra, që regjisori i ka besuar rolet.

Filmi tregon historinë e dy motrave që do të ndërmarrin një rrugëtim, duke u ballafaquar hera-herës me forcën e sistemit tradicional-patriarkal. Personazhi kryesor është Elma, që është një vajzë e re shqiptare, e cila jeton ilegalisht në Itali. Ajo është shtatzënë dhe babai i fëmijës tashmë është në burg. Pas depërtimit nga policia italiane, duke mos ditur kujt t’i drejtohet për ndihmë, ajo vendos të kthehet tek motra e saj e madhe, Rudina. Të dy motrat do të nisin një rrugë të gjatë me veturë drejt shtëpisë së babait të tyre tradicional. Ndërsa Rudina nget veturën, Elma do bëj ç’të mundet për të mos shkuar atje.

Për filmin e tij “Derë e hapur” regjisori Florenc Papas ka pohuar se qëllimi është të tregojë një histori shqiptare, që ndikon shoqërinë tonë dhe që është prezent akoma sot. “Sot në Shqipëri jetojnë dy breza, ajo e prindërve tanë të cilët janë rritur në sistemin komunist dhe brezi i ri lindur në demokraci aty ku dhe unë bëj pjesë. Kjo përplasje midis këtyre brezave është aq e pranishme sot kudo edhe pse e vështirë ta pranojmë. “Derë e Hapur” merret me jetë tematike edhe pse nuk kërkon të thotë se e gjithë shoqëria jonë është tradicionale dhe hera- herës patriarkale, por kërkon të thotë se këto forma ekzistojnë akoma dhe janë të pranishme në shoqëri”, pohon ai.

Filmi shqiptar “Derë e hapur” u dha premierë botërore në Festivalin e Filmit në Sarajevë.

Gazeta Sot