FIGURA TË NDRITURA TË MJEKËSISË SHQIPTARE

– IN MEMORIAM – NË KUJTIM –

Prof. dr. SIMË GJON DOBRECI. (1934-16.06. 2020)

Mjek Dermatovenerolog, doktor i shkencave të mjekësisë. Profesor Univerteti. Atdhetar i shquar. Simë Gjon Dobreci lindi në Braticë, Ulqin, më 1934. Shkollën fillore tetëvjeçare e kreu në Braticë dhe Ulqin më 1953, gjimnazin klasik në Tivar më 1957, kurse Fakultetin e Mjekësisë në Beograd, më 1963. Punoi mjek në Tivar e Ulqin deri me 1967, kur kaloi në Spitalin e Përgjithshëm të Prishtinës ku e filloi edhe stazhin e specializimit për sëmundjet e lëkurës. Specializimin nga dërmatovenërologjia e kreu në Zagreb në vitin 1970. Pas përfundimit të specializimit kthehet në Prishtinë, në Repartin për Sëmundjet e Lëkurës. Më 1973 zgjidhet asistent i dermatologjisë në Fakultetin e Mjekësisë të themeluar më 1969. Në këtë kohë Reparti i Sëmundjeve të Lëkurës u shndërrua në Klinikë të Dermatovenerologjisë.

SIMË GJON DOBRECI

Më 1974 qëndroi një vit në ngritje të mëtejme profesionale në Klinikën Dermatologjike Universitare të Vankuverit, në Kanada. Gjatë punës në Klinikën e Prishtinës u mor me veprimtari shëndetësore, edukative dhe shkencore. Një kohë ishte drejtor i Klinikës. U doktorua në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë, në janar të vitit 1980, me temën: “HULUMTIMET EPIDEMIOLOGJIKE TË DERMATOFITISË ENDEMIKE NË KOSOVË”. Më 1984 u zgjodh docent i dermatologjisë, më 1989 – profesor inordinar dhe më 1994 – profesor ordinar. Për nevojat e studentëve të mjekësisë së përgjithshme botoi tekstin Dermatologjia, më 1980, i cili u ribotua i përmirësuar më 1984, dhe botimi i tretë, i ripunuar, më 1998. Për studentët e stomatologjisë botoi tekstin Sëmundjet e lëkurës, më 1989. Më 1990/91, regjimi serb e përjashtoi me dhunë nga puna për çështje etnike dhe politike. Prof. Dobreci pas largimit nga puna vazhdoi me punë në Fakulteti i Mjekësisë të Mëvetësisë (paralel) dhe kishte hapur një ordinancë private që e shndërroi në ushtrimore për studentët e mjekësisë dhe stomatologjisë. Procesi mësimor i dermatologjisë, si dhe të gjitha lëndët tjera mësimore, zhvillohej me mjaft vështirësi. Sa i takon veprimtarisë shkencore, kryesisht u mor me mikozat e lëkurës. Botoi një numër të madh të punimeve shkencore në revista profesionale (kryesisht në Acta Dermatologica Jugoslavica dhe në Praxis Medica), por edhe në revista prestigjioze ndërkombëtare. Me punime shkencore mori pjesë në Kongresin Botëror të Dermatologëve, Berlin, 1987, në Kongresin e Dermatologëve Evropianë, Bari të Italisë, 1987 dhe në Konferencën Internacionale të Dermatologëve, Athinë 1994. Dr Simë Dobreci është bartës i shumë mirënjohjeve për të arriturat në lëmin e mjekësisë. Ka marr Mirënjohjen për humanitet “Dr. Sami Beqiri”, në vitin 1998″ . Përveç punës dhe kontributit të tij shkencor në lëmin e mjekësisë, një kohë të gjatë ishte edhe kryeredaktor i revistës profesionale shkencore “PRAXIS MEDICA” (1994-2000).

SIMË GJON DOBRECI

Me shkrimet e botuara në revista të ndryshme, e posaçërisht në revistën” Buzuku” (është edhe kryeredaktor), dëshmon punën e tij prej intelektuali të përkushtuar. Në periudha me rëndësi për çështjen kombëtare, e veçmas gjatë dekadave të fundit të shekullit të kaluar, shquhej për guximin intelektual në mbrojtje te të drejtave të popullit shqiptar. Ai ishte nënshkrues edhe i peticionit, tanimë të njohur si Peticioni i 215 intelektualëve shqiptarë, kundër dhunës së pushtetit serb. Dr Dobreci është doktori i parë i dermatologjisë kosovare dhe më emrin e tij është i lidhur ngushtë puna dhe veprimtaria e kësaj dege të mjekësisë. Pas pensionimit jeton në vendlindje në Ulqin duke drejtuar Revistën “Buzuku”. Prof. dr. Simë Dobreci vdiq në vendlindje më 16. 06. 2020.

Literatura:

  1. Prof. dr. Isuf Dedushaj: “Enciklopedia e doktorëve të shkencave të mjekësisë shqiptare gjithandej globit (1445-2019) dhe mjekëve që lanë gjurmë të pashlyera në historinë e mjekësisë shqiptare, faqe, 80, OMK., Prishtinë 2019.
  2. Isuf Dedushaj, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Vol. 1, Tiranë, 2008. Fq.497.

Huazuar nga FB: Isuf Dedushaj