Falenderojme gjithe ato gazeta dhe Tv qe e pasqyruan Ceshtjen e mbrojtjes dhe dokumentimit te Pasurise Trashegimi te Teatrit Kombetar.

Jaho Brahaj: – Ministria e Kulturës të dokumentojë objektet e Teatrit Kombëtar që klasifikohen trashëgimi kulturore

20 MAJ 2020

Ministria e Kulturës ka përgjegjësi për pasurinë e trashëgimisë kulturore, për ruajtjen dhe regjistrimin e saj. Kështu shprehet studiues Jaho Brahaj, i cili përmes një letre të hapur drejtuar ministres së Kulturës Elva Margariti kërkon, që pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar të gjitha objektet e saj që i përfshin ligji për trashëgiminë duhet të regjistrohen. Në letrën drejtuar ministres Margariti, studiuesi Brahaj mes të tjerave shprehet se asgjë nuk duhet hedhur pa u parë më parë nga institucionet.

“Urgjent sipas ligjit, të regjistrohen objektet (dhe gjurmë objektesh) trashëgimi kulturore tek rrënojat e Teatrit Kombëtar. Pas prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar shumë personalitete të kulturës dhe qytetarë deklarojnë në Tv dhe në aktivitete publike, se poshtë rrënojave të kësaj godine janë objekte, që sipas ligjit “Për Trashëgiminë” klasifikohen “Objekte trashëgimi kulture”. Ju bije ju, detyrimi ligjor që të ndërhyni që rrënojat të mos lëvizen dhe të mos hidhen pa u parë (kqyrur) nga një komision i përbërë sipas urdhrit tuaj, ku të përfshihen specialistët e Institucionit të Inventarizimit të Pasurisë së Kulturës dhe Artit”, shprehet studiuesi Brahaj. I njohur në fushën e studimeve, Jaho Brahaj që dhe më parë ka reaguar për problemet në trashëgiminë tonë kulturore, i kujton ministres së Kulturës se ai që duhet ta bëjë është një institucioni shtetëror, që është në varësinë e Ministrisë së Kulturës me specialistë të kualifikuar për këtë proces. Për studiuesin e njohur Jaho Brahaj në rast se nuk merren masa për dokumentacionin e objekteve të Teatrit Kombëtar, është përgjegjësia e Ministrisë së Kulturës. Në letrën drejtuar ministres Margariti, Brahaj thotë se për pasurinë e trashëgimisë kulturore çdo gjë e përcakton ligji, që duhet të zbatohet. “Ju kujtoj zonja ministre, se në raste se ju si institucion me përgjegjësi ligjore për trashëgiminë kulturore nuk merrni masa për të dokumentuar këto objekte trashëgimi kulture përgjegjësia është në radhë të parë e juaja dhe institucionit tuaj, sipas ligjit “Për Trashëgiminë”. Ligji e përcakton saktësisht dhe pa ekuivoke se kush përcaktohet ligjërisht sipas “Ligjit për Trashëgiminë” objekt trashëgimi kulture. Ju kujtoj se për këtë detyrim ligjor dhe ndërmarrje keni një institucion, me detyra të përcaktuara, po ashtu ligjërisht. Ju a kujtoj këtë, se në mos marrje të masave dhe për mos veprim kryen një veprim antiligjor. Ju lutem mos e diskutoni me këshilltarët si çështje politike, por si detyrim ligjor kërkesën time”, vijon studiuesi Brahaj.

Ne studio me Enkel Demin

Rekuizita e teatrit

Në reagimin e tij studiuesi Jaho Brahaj thotë mes të tjerave se gjithmonë jemi shprehur se pushtimi shekullor ka shkatërruar pasuri historike, kulturore, arkiva dhe monumente kulture, kjo po ndodh edhe sot në vitin 2020. “Thirrja publike është: Të shpëtojmë atë, që është e mundshme edhe sipas detyrimeve ligjore”, pohon studiuesi Brahaj. Sipas studiuesit Jaho Brahaj, rekuizita e Teatrit Kombëtar ka qenë edhe me objekte të trashëgimisë kulturore, ka një pasuri me veshje tradicionale, mes tyre janë dhe skicat e skenografisë, që pjesë e kësaj pasurie. “Rekuizita dhe garderoba e Teatrit Kombëtar ka qenë e pasur, e trashëguar afërsisht për 100 vite. Ka qenë e përbërë më objekte të trashëgimisë kulturore, në fillimet e saj objektet kryesisht ato që bliheshin ishin origjinale. Ka një pasuri me veshje kombëtare tradicionale. Janë skicat skenografike, të kostumeve, në atë ambient është e gjithë kujtesa e teatrit. Nëse të gjithë këto objekte në do t’i humbim, do të humbim një pasuri të jashtëzakonshme. Ministria e Kulturës ka detyrimin ligjor t’i regjistrojë dhe katalogojë, këto vlera”, thotë studiuesi Brahaj. Gjatë këtyre ditëve specialistë të njohur i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës për përgjegjësitë, që ka për trashëgiminë kulturore, duke dënuar dhe shembjen e Teatrit Kombëtar.