Karrigia e Ramës dhe Ballukut mbrohet me dhunë barbare ndaj fëmijëve shqiptarë

19 Tetor 2026
Belinda Balluku, e cilësuar ndryshe si ‘Lubia”, një prej figurave më të kontestuara të qeverisë Rama, ka shpërndarë në Facebook një poster që glorifikon mercenarizmin e Policisë së Shtetit, në një kohë kur efektivët po përballen me akuza të rënda për dhunën brutale ndaj studentëve dhe të fëmijëve që protestojnë kundër qeverisë.
Ndërsa Edi Rama u premton efektivëve shpërblime prej 2500 eurosh, në një përpjekje për të forcuar radhët e policisë në mbrojtje të pushtetit të tij, Balluku shfaqet e ekzaltuar nga kjo qasje. Një polici që duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, po trajtohet si një forcë personale për mbrojtjen e karrigeve të pushtetit.
Për Ballukun, e cila vetë ndodhet në qendër të skandaleve dhe akuzave për korrupsion, duket se nuk përbën shqetësim fakti që të rinjtë shqiptarë përballen me gaz lotsjellës, shkopinj gome dhe dhunë policore. Përkundrazi, propaganda e saj vjen në një moment kur zemërimi qytetar po rritet përballë një pushteti që, në vend të përgjigjet për akuzat dhe të dëgjojë protestuesit, zgjedh forcën për të mbajtur pushtetin.
Një prej shkaqëve të revoltës studentore është pikërisht edhe Belinda Balluku të cilën Edi Rama e ka marrë në mbrojtje dhe drejtësia politike e SPAK nuk guxon ta prekë.
Mesazhi që përcillet është i qartë: mbrojtja e pushtetit mbi të drejtat e qytetarëve, bindja ndaj kryeministrit mbi detyrimin ligjor dhe uniforma e policisë si mburojë për qeverinë, jo si garanci për sigurinë e shqiptarëve.
Policia e Shtetit është kthyer tashmë në një instrument të një regjimi që kërkon të mbrojë karriget e veta me çdo kusht.

