4 Korrik 2023

Tirana ka numër me të lartë të të pavaksinuarve, më pas janë Elbasani, Durrësi dhe Delvina”, thekson Silva Bino.

Nisja e sezonit turistik rikthen frikën e shpërthimit të sëmundjeve infektive.

Autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik ngrenë alarmin për rrezikun që paraqet fruthi tek fëmijët e vegjël të cilët nuk janë të vaksinuar

Sipas të dhënave, rezulton se mbulesa vaksinale në vend ka rënë.

Shefja e kontrollit të këtyre sëmundjeve në ISHP, Silva Bino thotë se mbulesa vaksinale me një dozë e Fruth-Rubeolës ka rënë në 89% duke e vendosur Shqipërinë në rrezik potencial të përhapjes së kësaj sëmundje. Sipas saj, tek të pavaksinuarit, fruthi lë pasoja të parikuparueshme në shëndet duke shkaktuar deri edhe vdekje.

“Patjetër që sezoni turistik shton rrezikun për hyrjet e daljet për fruthin, rubeolën, dhe parotitin, dhe jo për sëmundjet e tjera për të cilat kemi një mbrojtje më të mirë vaksinale.

Fruthi shkakton dëmtime të pariparueshme të trurit. Sa më i vogël të jetë fëmija, 1 vjeç e pak, aq më të rënda janë këto dëmtime. Duke mos e vaksinuar, t’i e lë fëmijën tënd të përballet me këto pasoja të rënda. Ne ofrojmë vaksinën në moshën 12 muaj, sepse imuniteti i ofruar nga nëna ka mbaruar. Këto sëmundje përhapen shumë shpejt me rrugë respiratore. Tirana ka numër me të lartë të të pavaksinuarve, më pas janë Elbasani, Durrësi dhe Delvina”, thekson Bino.

E për të shmangur këtë, Bino u drejtohet prindërve që të mos shtyjnë kohën e vaksinimit, pasi në të kundërt po rrezikojnë jetën e fëmijëve të tyre.

Nënat kanë tendencë që vaksinën e fruth rubeolës e cila bëhet kur fëmija mbush 1 vjeç, ta shtyjnë më disa muaj pasi e lidhin me autizimin për të cilin studime ndërkombëtare ndër vite  nuk kanë gjetur asnjë lidhje. Po sa e rriskojnë këto nëna fëmijën?

Një fëmijë apo i rritur kur bie në kontakt me fruthin ,shfaq temperaturë të lartë, pneumoni, shurdhim, dëmtime të trurit të parikuperueshme deri dhe vdekje.