Ermal Nufi, “Raketa”

30 Shtator 2026

Nënkryetari i PD, Belind Këlliçi, në një postim në rrjete sociale ka reaguar pas shfaqjes publike të ministrit të Mbrojtjes, Ermal Nufi, të cilin e quan “Ermal Raketa”.

Këlliçi shkruan se prej tre javësh ministri ndodhet nën akuza të rënda, përfshirë pretendime për lidhje me Ron Yeffet dhe trafik ndërkombëtar armësh, ndërsa sipas tij nuk ka dhënë ende shpjegime publike.

Duke iu referuar daljes së Nufit në një rezervuar në Lushnje, Këlliçi akuzon ministrin se po shmang përballjen me çështjet e ngritura nga opozita dhe kërkon transparencë për raportet e tij me Yeffet dhe për armët që prodhohen në Shqipëri dhe shiten në zona lufte.

“Akuzat ndaj tij qëndrojnë dhe do të ndiqen nga PD deri në fund”, shkruan Këlliçi, duke deklaruar se as zhvillimet e tjera politike dhe skandalet e përmendura prej tij nuk do ta largojnë vëmendjen e opozitës nga kjo çështje.

Postimi i plotë:

Prej 3 javësh nën akuza të rënda, Ermal Raketa shfaqet pas skandalit të Vlora Hysenit në një rezervuar fshati…!

Prej fillimit të muajit, Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, i njohur si Ermal Raketa, është nën akuza të rënda, si ndihmës i koordinatorit të Edi Ramës për punët e pisëta, Ron Yeffet, dhe i dyshuar për trafik ndërkombëtar armësh.

Edhe pse kanë kaluar 3 javë, Ermal Raketa nuk ka dhënë asnjë shpjegim.

Por ai ka gjetur guximin të shfaqet sot në një rezervuar në Lushnje ku po ndodh një krim mjedisor. Dhe madje ka folur për masat që po merrte ushtria!

I fshihet akuzave për krime shumë të rënda, dhe nxjerr krye në një rezervuar fshati.

Asyeja pse Ermal Raketa u shfaq pas 3 javësh errësirë, është shpresa e tij se skandali i Vlora Hysenit do të ketë ndikuar që të harrohet skandali i armëve. Këto janë ato pak momente çliruese që provojnë bashkëpunëtorët e Edi Ramës të zhytur në afera, kur një gjë edhe më e rëndë ndodh. Ata marrin oksigjen dhe kurajo të dalin në publik.

Sidoqoftë, Ministri i Mbrojtjes duhet ta dijë mirë se akuzat ndaj tij qëndrojnë dhe do të ndiqen nga PD deri në fund. Ai duhet të bëjë transparencë se cilat janë raportet e tij me Ron Yeffet dhe çfarë armësh prodhohen këtu që shiten në zonat në luftë.

Nuk e shpëton dot Ermal Raketën as skandali i Vlora Hysenit, i Gys Agasit, i Belinda Ballkut, as ai që pritet në vijim nga regjisori austriak ku pritet të mësohen rryshfetet e mëdha të inceneratorëve.