Banalizimi i korrupsionit dhe kostoja e tij

30 Shtator 2026
Nga Zef Preçi
“Banaliteti i së keqes”, koncept i Hannah Arendt-it i zhvilluar në librin “Eichmann në Jeruzalem” (1963), shpjegon se krime shumë të rënda mund të kryhen jo domosdoshmërisht nga njerëz “demoniakë”, por edhe nga individë të zakonshëm që heqin dorë nga gjykimi kritik dhe përgjegjësia morale. Ky koncept gjen një aplikim mjaft tronditës kur transferohet në analizën e korrupsionit sistemik dhe institucional në shoqërinë e sotme shqiptare.
Korrupsioni nuk bëhet më pak i rrezikshëm vetëm sepse shoqëria mësohet me të apo se lidershipi ynë politik dhe media e ushqyer prej tij me paratë e buxhetit rreket të ndërtojë një Shqipëri sureale qe e nglizhon korrupsionin dhe pasojat e tij të tmerrshme. Përkundrazi, kur ai trajtohet si rutinë, si “nder”, “mik që të ndihmon” apo si pjesë normale e funksionimit të administratës dhe tregut, dëmi i tij zgjerohet: dobësohet besimi te shteti, shtrembërohet konkurrenca, rritet pabarazia dhe shoqëria e humbet aftësinë për t’u zemëruar me abuzimin.
Në këtë kuptim, banalizimi i korrupsionit nuk është thjesht problem moral. Ai është një mekanizëm i përditshëm normalizimi, përmes të cilit qytetarët, bizneset dhe vetë institucionet fillojnë të përshtaten me idenë se rregullat nuk vlejnë njësoj për të gjithë. Ky është momenti kur korrupsioni pushon së qeni përjashtim dhe kthehet në pritshmëri. Për fat të keq, kjo tashmë ka ndodhur në vendin tonë.
Si funksionon mekanizmi i normalizimit të korrupsionit?
Mekanizmi është relativisht i thjeshtë. Fillimisht, korrupsioni pranohet në gjuhën e përditshme si diçka e zakonshme: “pa mik nuk bëhet”, “kështu funksionon sistemi”, “duhet një shtysë e vogël”. Kështu ka ndodhur qysh nga ndryshimet sistemike të vitit 1991. Më pas, kjo gjuhë prodhon një pritshmëri të re: qytetari nuk pret më trajtim të paanshëm, por kërkon rrugën informale për të marrë atë që, në teori, i takon me ligj. Mbas vitit 2000, kjo lloj pritshmërie fitoi qytetarinë.
Në një fazë të tretë, vetë rregullat humbin besueshmëri, sepse duken të zbatueshme vetëm për ata që nuk kanë lidhje, pushtet apo para. Kjo ul gatishmërinë për të raportuar abuzimin, dobëson pjesëmarrjen qytetare dhe krijon një rreth vicioz ku mosbesimi ushqen edhe më shumë shmangien e rregullave. Në fund, korrupsioni nuk shihet më si shkelje që kërkon reagim, por si pjesë e zakonshme e jetës publike. Kështu ka ndodhur gjatë dekadës së fundit, paradoksalisht me vënien në punë të SPAK-ut, fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë dhe rritjen e besimit publik ndaj tij.
Ky proces i normalizimit të korrupsionit dëmton drejtpërdrejt legjitimitetin institucional. Kur qytetarët besojnë se një dokument, një leje, një vendim administrativ apo një kontratë publike varen më shumë nga lidhjet sesa nga ligji, atëherë institucioni nuk perceptohet më si arbitër i paanshëm, por si hapësirë negociimi informal. OECD e lidh besimin te qeverisja me perceptimin se ajo është e aftë, e drejtë, e hapur dhe e përgjegjshme; në matjet e saj të vitit 2023 vetëm 39 për qind e të anketuarve raportuan besim të lartë ose mesatarisht të lartë te qeveria kombëtare, ndërsa 44 për qind raportuan besim të ulët ose aspak besim.
Pasoja të prekshme
Pasojat e banalizimit të korrupsionit janë të dukshme dhe maten. Në Shqipëri, një nga treguesit më të fortë është prokurimi publik me një ofertues të vetëm ose me shenja të larta rreziku. Open Procurement Albania e përkufizon “red flag” si një fakt ose rrethanë që tregon ekspozim të mundshëm ndaj shkeljeve ligjore ose sjelljes joetike, sidomos në lidhje me praktikat korruptive. Sipas gjetjeve të publikuara nga AIS/Open Procurement Albania për vitin zgjedhor 2025, 17.69 për qind e fondit të vlerësuar të tenderuar lidhej me procedura me vetëm një ofertues, nga 12.76 për qind një vit më parë; po ashtu, 51 për qind e fondit të vlerësuar të tenderuar nga njësitë e qeverisjes vendore përkonte me tendera të shënuar me “red flag”.
Këto të dhëna nuk janë thjesht problem teknik i prokurimit. Ato tregojnë mungesë konkurrence, klientelizëm të shtrirë gjerësisht dhe përqendrim të fondeve publike në një numër të kufizuar operatorësh ekonomike. Vetë metodologjia e Open Procurement Albania identifikon si sinjale rreziku mungesën e konkurrencës, procedurat e negociuara, skualifikimin e ofertave më të favorshme, afatet e ngushta dhe anulimet e përsëritura. Raporti i Partneritet për Qeverisje të Hapur (OGP) për Shqipërinë shtonte se Autoriteti i Prokurimit Publik vijon të përqendrojë vlerësimet e rrezikut te kontratat me një ofertues të vetëm, të cilat përbëjnë rreth një të katërtën e të gjitha kontratave të prokurimit, si edhe te procedurat e anuluara, që po ashtu përfaqësojnë rreth një të katërtën e procedurave.
Në planin shoqëror, pasoja e parë është ndjenja e padrejtësisë. Kur qytetarët apo bizneset shohin se avantazhi nuk vjen nga rregulli, por nga afërsia me pushtetin, ata tërhiqen nga pjesëmarrja publike, nga besimi te ankesa administrative dhe, në fund, edhe nga vetë ideja e barazisë para ligjit. Kjo e bën më të vështirë zbatimin e reformave, sepse çdo ndërhyrje e re perceptohet me dyshim: jo si instrument i interesit publik, por si mjet që mund të shfrytëzohet sërish nga një pakicë e favorizuar.
Këto shqetësime përputhen edhe me gjetjet rajonale të rrjetit SELDI, ku ACER është partner kombëtar për Shqipërinë. Puna e SELDI mbi kapjen e shtetit, vlerësimin e korrupsionit dhe cenimin e konkurrencës në sektorë strategjikë e ka trajtuar vazhdimisht lidhjen mes kapjes së vendimmarrjes publike, klientelizmit ekonomik dhe dobësimit të besimit qytetar te institucionet.
Një ilustrim konkret
Një ilustrim domethënës i mënyrës si banalizimi kthehet në pritshmëri publike është episodi i bërë publik në dosjen hetimore ku përmenden komunikimet mes ish zëvendës-kryeministres Belinda Ballukut dhe zyrtarit Evis Berberit për biznesmenin R. Geci. Sipas raportimeve mediatike me burim materialet hetimore, në një komunikim të datës 24 Gusht 2021, Balluku i shkruan Berberit se “Kryeministri më kërkoi të takoj R.G.”, ndërsa më pas kompania “Geci” sh.p.k. rezulton fituese në procedurën për ndërtimin e rrugës Porto Romano, Durrës, Lot 3 (vazhdimi).
Edhe pa hyrë në vlerësimin penal të çështjes, ky shembull është i rëndësishëm për një arsye tjetër: në rastin më të mirë ai ushqen perceptimin publik se komunikimi informal me qendrat e pushtetit ndikon në shpërndarjen e kontratave publike. Kjo është pikërisht mënyra si banalizohet korrupsioni: jo vetëm përmes aktit të dyshuar, por përmes mesazhit të heshtur që i jepet publikut se biznesi dhe pushteti lëvizin në një hapësirë privilegji të mbyllur për shumicën.
I njëjti dëm perceptues prodhohet edhe nga rastet kur zyrtarë të lartë ose drejtues institucionesh mbeten në qendër të hetimeve për procedura publike me vlerë të lartë. Raportimet për hetimet rreth procedurave në sektorin e infrastrukturës dhe paralajmërimet e SPAK se qëndrimi në detyrë mund të komprometonte provat ose të ndikonte dëshmitarët, e thellojnë idenë se administrimi i fondeve publike është dukshëm nën kontrollin e qarqeve politike që qeverisin vendin.
Pasojat ekonomike
Korrupsioni i normalizuar vepron si taksë e fshehtë mbi ekonominë. Ai i bën investitorët të llogarisin jo vetëm kostot zyrtare, por edhe pasigurinë rregullatore, trajtimin selektiv dhe rrezikun e konkurrencës së shtrembëruar. Kjo shpjegon pse raportet e klimës së investimeve për Shqipërinë vijojnë ta lidhin mjedisin e biznesit me korrupsionin, konkurrencën e pandershme, informalitetin dhe pasiguritë në sundimin e ligjit. Kjo shpjegon gjithashtu edhe shkakun përse investime të rëndësishme strategjike nga vendet e BE , ShBA; Kanada, etj., janë zëvendësuar gradualisht me investimet turke, kineze, arabe, apo nga oligarkët vendas klientë të qeverisë, etj. Dmth me investime nga vende ku në një menyrë ose në një tjetër, është “normalizuar” korrupsioni, ku sundimi i ligjit është me i dobët dhe ku pak ose aspak referohet ligji dhe Kushtetuta…
Një ndër raportet e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri theksonte se vendi ka ndërtuar një kuadër për shqyrtimin e investimeve të huaja direkte në përputhje me standardet e BE-së, por raportimet për klimën e biznesit vijojnë të nënvizojnë se korrupsioni në sektorin publik dhe sfidat e sundimit të ligjit ndikojnë perceptimin e investitorëve të huaj për Shqipërinë si vend ku të bërit biznes mbetet i vështirë. Kjo do të thotë se dëmi ekonomik i korrupsionit nuk matet vetëm te ryshfeti i paguar, por te investimi që nuk vjen, te sipërmarrja që tërhiqet dhe te kapitali që zgjedh tregje më të parashikueshme.
Edhe pastrimi i parave dhe investimet e tepërta në pasuri të patundshme, qe po ndodhin intensivisht në ekonominë tonë vecanërisht gjatëe dekadës së fundit, mund të krijojnë përshtypjen e zhvillimit përmes ndërtimeve të reja dhe qarkullimit të kapitalit, por nuk mund të mos prodhojnë një rritje artificiale dhe të paqëndrueshme. Paratë me origjinë të paligjshme rrisin kërkesën për prona pa u lidhur me të ardhurat reale të familjeve apo nevojat e tregut, duke shtyrë çmimet lart dhe duke e bërë strehimin më të paarritshëm për të rinjtë dhe familjet me të ardhura normale. FMN paralajmëron se kapitali i paligjshëm i orientuar drejt pronave mund të krijojë flluska në tregun e banesave, të përjashtojë blerësit lokalë dhe të lërë prona luksoze bosh, të përdorura më tepër si strehë për pasuri të fshehura sesa si banesa ose investime produktive.
Nga ana ekonomike, përqendrimi i kapitalit te ndërtimi spekulativ eshte duke cvendosë burimet nga sektorë që krijojnë produktivitet, inovacion, eksporte dhe punësim të qëndrueshëm. Ndërtimi prodhon zakonisht punësim të përkohshëm, ndërsa bizneset që përdorin para të pista konkurrojnë padrejtësisht duke pranuar humbje ose çmime nën kosto, duke dëmtuar sipërmarrjet e ndershme që financohen me kredi dhe paguajnë taksa. Në këte mënyrë, pastrimi i parave deformon konkurrencën, cenon besimin te tregu dhe institucionet, ul investimet e shëndetshme dhe e dobëson rritjen gjithëpërfshirëse e afatgjatë. Heshtja e qeverisë ndaj ketij fenomeni nuk është gjë tjetër vecse një formë e banalizimit të korrupsionit dhe kapjes së shtetit.
Pasojat mbi konkurrencën janë po aq të rënda. Kur kontratat, lejet apo avantazhet tregtare fitohen nga ata që kanë lidhje më të forta me pushtetin, bizneset e ndershme orientohen jo drejt inovacionit dhe produktivitetit, por drejt sigurimit të aksesit politik. Në këtë mënyrë, tregu pushon së shpërblyeri eficiencën dhe fillon të shpërblejë afërsinë me vendimmarrjen. Mjerissht kështu ka ndodhur dhe po ndodh cdo ditë në ekonominë tone kombëtare. Gjetjet e SELDI mbi kapjen e shtetit dhe monopolizimin e sektorëve strategjikë, përfshirë energjinë, e kanë trajtuar pikërisht këtë lloj shtrembërimi të konkurrencës, ku përqendrimi ekonomik dhe ndikimi politik ushqejnë njëri-tjetrin.
Një tregues i qartë i kostos ekonomike është edhe përqendrimi i fondeve publike. Instituti Shqiptar i Shkencave/Open Procurement Albania ka raportuar se 42 për qind e vlerës së tenderuar në kuadër të Programit të Rindërtimit (ende i papërfunduar edhe mbas shtatë vjetësh) u fitua nga vetëm 15 kompani vendase, ndërsa raportet e këtij instituti nënvizojnë vazhdimisht përqendrimin e tenderave në duart e një numri të kufizuar operatorësh ekonomikë. Kur kjo shoqërohet me procedura me një ofertues të vetëm ose me “red flag”, dëmi nuk është vetëm financiar; ai bëhet strukturor, sepse krijon barriera për hyrjen e aktorëve të rinj në treg dhe rrit varësinë e ekonomisë nga një rreth i ngushtë përfituesish.
Normat shoqërore: çfarë janë dhe si ndryshojnë
Normat shoqërore janë pritshmëritë e përbashkëta për atë që njerëzit besojnë se bëjnë të tjerët dhe për atë që mendojnë se të tjerët e miratojnë. Në rastin e korrupsionit, problemi lind kur dy bindje përforcojnë njëra-tjetrën: se “të gjithë e bëjnë” dhe se “edhe të tjerët presin që ta bësh”. Kur këto bindje forcohen, korrupsioni nuk shihet më si devijim, por si sjellje e zakonshme që të ndihmon të mbijetosh në sistem.
Këto norma mund të ndryshojnë vetëm kur ndryshon përvoja reale e qytetarit me institucionet. Kjo kërkon më shumë se retorikë morale: kërkon ndëshkim të besueshëm për shkelësit, mbrojtje për ata që raportojnë, procedura më të thjeshta dhe më pak diskrecion administrativ, si edhe shembuj publikë se integriteti jo vetëm ekziston, por shpërblehet. Nëse qytetari sheh se shërbimi merret pa ndërhyrje, se tenderi fitohet me konkurrencë dhe se zyrtari abuziv mban përgjegjësi, atëherë norma e re fillon të zëvendësojë të vjetrën. Në të kundërt, banalizimi i korrupsionit vazhdon të riprodhojë vetveten. Koncepti i “banalitetit të së keqes” – korrupsioni është padyshim një e keqe e madhe e shoqërisë sonë të sotme – shërben si një paralajmërim i fuqishëm, sic shkruante Arendt se “e keqja më e madhe në botë nuk kryhet domosdoshmërisht nga njerëz të ligj në shpirt, por nga individë normalë që pranojnë të bëhen vegla të një sistemi të padrejtë pa e vënë kurrë atë në dyshim”.
Dmth përfshirja në veprimtari korruptive e zyrtarëve të lartë dhe politikanëve i prezanton ata në publik si njerëz të zakonshëm besnikë të verbër të shefit të vet politik dhe jo të ligjit e Kushtetutës, që e kanë dorëzuar ndërgjegjen e tyre të sistemi, dmth te makineria e madhe qeveritare pa marrë parasysh pasojat morale të veprimeve të tyre që shoqërojnë vjedhjen e buxhetit të shtetit dhe pasurive natyrore të vendit. E gjithë kjo, për fat të keq, shoqërohet me mungesën e mendimit kritik nga shoqëria në tërësi. Sipas Arendt-it, e keqja bëhet “banale” kur njerëzit ndalojnë së menduari në mënyrë të pavarur dhe kritike.
Ndoshta këtu, te banalizimi i korrupsionit, duhet kërkuar edhe mbështetja publike ende modeste ndaj “Revolucionit të Flamingove”, protestës qytetare që prej më shumë së katër muajve vazhdon në kryeqytetin shqiptar dhe jo vetëm dhe për të cilën qeveria vetëm hesht…
