“Elbasani në shekullin XX” në ekspozitë

25 Korrik 2026
Në një prej godinave më përfaqësuese të trashëgimisë kulturore të Elbasanit, oborrin e Muzeut Etnografik, është hapur ekspozita “Elbasani në Shekullin XX”.
Përmes fotografive, veshjeve tradicionale dhe objekteve muzeale, ekspozita ofron një udhëtim në historinë, traditat dhe jetën e përditshme të qytetit gjatë shekullit të kaluar.
Një pjesë e materialeve të paraqitura vijnë nga fondi i Muzeut Etnografik dhe prezantohen për herë të parë për publikun.
Ekspozita përfshin veshje autentike të krahinave të ndryshme të Elbasanit, si edhe kostume karakteristike të lagjes historike “Kala”. Krahas tyre, vizitorët mund të shohin fotografi dhe objekte që dëshmojnë zhvillimin e qytetit ndër vite, duke sjellë në kujtesë ndërtesa dhe elemente të trashëgimisë kulturore që sot nuk ekzistojnë më.
Për drejtorin e Qendrës së Artit, Kliton Kapaj, kjo ekspozitë ka si qëllim të rikthejë në vëmendje traditat, zakonet dhe identitetin e Elbasanit të hershëm.
Ekspozita “Elbasani në Shekullin XX” është pjesë e kalendarit të aktiviteteve verore të Qendrës së Artit.
