22 Gusht 2023

Fenomeni El Nino që nxit ciklonet tropikale në Paqësor po bëhet edhe më i rrezikshëm nga viti në vit sipas shkencëtarëve. Rreziku më i lartë janë përmbytjet në disa pjesë të Amerikës dhe në vendet e tjera.

Shkencëtarët janë të shqetësuar se ky fenomen mund të ndikojë ndjeshëm në ekonomi

Vendet në mbarë globin po përgatiten për një tjetër mot ekstrem këtë vit.

Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA ka bërë të ditur se në tre vitet e fundit ky fenomen është përhapur edhe më shumë. Shkencëtarët thonë se ky vit duket veçanërisht shqetësues.

Herën e fundit që një El Nino kishte një intesitet shumë të lartë ishte në vitin 2016 dhe bota në atë vit pa vitin më të nxehtë në histori. Meteorologët presin që ky El Nino i këtij viti, do të thellojë krizën e ndryshimeve klimatike dhe globi do të përballet me temperatura rekord të larta.

“El Nino nuk është si një stuhi. Ky fenomen ka të bëjë me ndryshimin e modeleve të motit. Pra, kur flasim për një ngjarje të moderuar ose të fortë, kjo në thelb do të thotë se El Nino ka një ndikim më të madh në ndryshimin e modeleve atmosferike që mund të qëndrojnë për një periudhë kohore. Pra, sa më i fortë të jetë El Nino aq më shumë do të ndihen ndryshimet klimatike.

Ekspertët janë gjithashtu të shqetësuar për atë që po ndodh në oqean. Një El Nino do të thotë që ujërat në Paqësorin Lindor janë më të ngrohta se zakonisht.

Por edhe përpara se ky fenomen të niste, në muajin Maj temperatura mesatare globale e sipërfaqes së detit ishte rreth 0.1C më e lartë se çdo tjetër në rekord. Kjo sipas ekspertëve mund të shfaqë gjithnjë e më shumë episode të motit ekstrem.

“Modelet e motit ekstrem nuk do i shohim vetëm këtë vit. 2024, mendoj se do të jetë viti kur fenomeni El Nino në shumë vende të globit mund të shkaktojë rekorde të temperaturave, dhe pikërisht 2024 do shkruhet në libra si viti edhe më  nxehtë se 2023. Në gjashtë vitet e fundit nxehtësia është rritur dhe El Nino e ka luajtur rolin e tij duke thelluar krizën e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu.”

El Nino i këtij viti mund të çojë në humbje ekonomike globale prej 3 trilion dollarësh, sipas një studimi të botuar muajin e kaluar në revistën Science, duke tkurrur PBB-në pasi moti ekstrem shkatërron prodhimin bujqësor dhe nxit përhapjen e sëmundjeve.

Qeveritë në vendet e cenueshme po marrin parasysh dëmet. Peruja ka ndarë 1.06 miliardë dollarë për ndikimet që ka El Nino dhe ndryshimet klimatike, ndërsa Filipinet që gjithnjë janë në rrezik nga ciklonet  kanë formuar një ekip të posaçëm qeveritar për të trajtuar pasojat e parashikuara. Këto efekte shkaktojnë dëme edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë dhe përkeqësojnë efektet e ndryshimeve klimatike.

“Në përgjithësi El Nino ka tendencë të shkaktojë episode të motit të thatë në të gjithë kontinentin kryesisht në Indonezi, Filipine dhe në Australi gjatë  periudhës së muajit Qershor, Korrik, Gusht, Shtator. Gjithmonë do të rrisë rreziqet për zjarret. Thatësira është gjithmonë një sinjal se globi duhet të përballet me të tjera dëme nga flakët.

Por si zhvillohet një fenomen El Nino. Ai formohet kur erërat që fryjnë nga lindja në perëndim përgjatë Paqësorit ekuatorial ngadalësohen ose kthehen mbrapsht ndërsa presioni i ajrit ndryshon, megjithëse shkencëtarët nuk janë plotësisht të sigurt se çfarë e nxit ekzaktësisht këtë cikël.

Për shkak se erërat ndikojnë në ujërat sipërfaqësore ato dobësohen dhe bën që këto ujra të ngrohta të Paqësorit perëndimor të zbresin përsëri në pellgjet më të ftohta qËndrore dhe lindore të Paqësorit.

Gjatë vitit 2015-2016,  El Nino shkatërroi gati një të tretën e koraleve në Reefin e Madh të Barrierës së Australisë. Në ujëra shumë të ngrohta koralet nxjerrin algat e gjalla, duke i bërë ato të kalcifikohen dhe të zbardhen.

Ky grumbullim i ujit të ngrohtë në Paqësorin lindor gjithashtu transferon nxehtësinë lart në atmosferë, duke gjeneruar stuhi.

“Ky El Nino po ndodh ndërsa oqeanet e botës pothuajse kudo janë më të ngrohtë se mesatarja. Zakonisht El Nino shfaqet më shumë në Oqeanin Paqësor dhe temperaturat e oqeanit kryesisht rreth tropikëve janë edhe më të larta. Por shqetësuese është fakti se ky fenomen po ndikon edhe në Atlantik duke e ngrohur atë gjithnjë e më shumë. Paqësori perëndimor është mjaft i ngrohtë. Oqeani Indian është vërtet i ngrohtë. Kështu që brenda dhe jashtë tij , edhe nëse nuk do të kishte një El Nino, do të thotë se ka një rrezik në rritje për shkatërrimin e koraleve në mijëra vende të ndryshme anembanë globit.

Ky ndryshim në aktivitetin e stuhisë ndikon në rrymën e ajrit e quajtur rryma e subtropikale që dëshmon mot të ngrohtë përgjatë të njëjtave gjerësi gjeografike. Këtë vit teksa El Nino ka nisur, jugu i Shteteve të Bashkuara po përjeton mot më të freskët dhe më të lagësht, ndërsa disa pjesë të perëndimit të SHBA-së dhe Kanadasë janë më të ngrohta dhe më të thata.

Aktiviteti i uraganit dobësohet pasi stuhitë nuk formohen në Atlantik për shkak të ndryshimeve të erës, ndërsa ciklonet tropikale në Paqësor po bëhen edhe më të cënueshëm drejt ishujve. Disa pjesë të Amerikës Qendrore dhe Jugore po përballen me reshje të dendura shiu, ndërsa pyjet tropikale të Amazonës po vuaJnë nga kushte më të thata.

“Afrika historikisht është prekur nga fenomeni. Por kriza e ndryshimeve kliamtike ka bërë që në këtë kontinent fenomeni El Nino po krijon një thatësirë afatgjatë duke ndikuar në ekonomi dhe në shëndetin e njerëzve.

Australia nga ana tjetër po përballet me nxehtësi ekstreme. Historikisht, si fenomeni El Nino ashtu edhe La Nina kanë ndodhur mesatarisht çdo dy deri në shtatë vjet. El Nino zgjat 9 deri në 12 muaj. La Nina mund të zgjasë një deri në tre vjet.

“Dallimi midis El Nino ose La Nina është se ne mund të kemi një ide më të mirë se ku është ai mot ekstrem dhe kur do të ndodhë. Ndonjëherë i takon Nënës Natyrë të kuptojë se ku mund të ndodhin ato ngjarje ekstreme të motit dhe kjo e bën të vështirë planifikimin paraprakisht.

Se si ndryshimi i klimës mund të ndikojë në El Nino është “një pyetje shumë e madhe kërkimore”, shprehet shkencëtari i klimës DiLiberto. Shkencëtarët nuk janë të sigurt nëse ndryshimi i klimës do të ndryshojë ekuilibrin midis El Ninos dhe La Nina, duke e bërë një model pak a shumë të shpeshtë.

Nëse temperaturat e oqeanit po rriten në të gjithë bordin, nuk ka gjasa që cikli të ndryshojë, deklarojnë shkencëtarët, pasi mekanika bazë pas fenomenit mbetet e njëjtë.