Ekspozita “Stina e bardhë” nga piktori Edi Kojani, 25 tablo me motivin e borës

15 DHJETOR 2020

“Stina e bardhë” titullohet ekspozita, që vjen këtë muaj të fundit të këtij viti për publikun. Veprat e punuara nga piktori i njohur Edi Kojani janë prezantuar në këtë ekspozitë, që u çel në hollin e teatrit “Petro Marko”, në Vlorë. Janë 25 tablo pikture me motive bore, në ekspozitën “Stina e bardhë”. Piktori Edi Kojani thotë se ekspozitat e fundit të tij janë konceptuara mbi bazën e një linje. “Në këtë muaj të fundvitit krijimtaria ime sjell një ekspozite vetjake në teatrin “Petro Marko” Vlorë. Titullohet “Stina e bardhë”, kjo pasi 25 telajot mbajnë borë. Borë nga Korça e Pogradeci, nga Gjirokastra e Berati, por dhe nga Vlora e Llogaraja. Të gjitha punët me motivin e borës. Ekspozitat e mia të fundit janë konceptuar mbi bazën e një linje, synojnë të sjellin një fenomen, një histori, diçka që i lidh një element i përbashkët”, pohon ai. Të tilla kanë qenë “Udhëtim në kohë” me monumentet e kulturës së rrethit Vlorë apo “Gjirokastra në penelin e Edi Kojanit”, etj. Piktori thotë se në aktivitetin e tij kjo është ekspozita e 16, ndërsa e para është hapur në vitin 1988, ku në vitet para’90 prirja e përgjithshme ishte gjinia e kompozimit me tema historike, si dhe jeta e përditshme. “Ngacmimi për “Stinën e bardhë” ka ardhur diku para 3 vitesh dhe pasi u binda se mund të bëhej dhe të ishte diçka interesante fillova punën. Një ekspozitë vetëm me motiv bore mendoj se përbënte një sfidë pikturimi, si dhe sjellje larmie imazhesh e situatash për të mos rënë në përsëritje. Kjo është ekspozita e 16 -të. Të parën e kam hapur në 1988 te galeria e artit Vlorë. Ndërkohë kam qenë aktiv në ekspozita kolektive. Në ato vite para ‘90 prirja e përgjithshme ishte gjinia e kompozimit me tema historike dhe nga jeta e puna e përditshme”, pohon Kojani. Kompozimi i parë ka qenë në 1986 frymëzuar nga puna në brezaret e agrumeve. Piktori thotë se më pas një tjetër ishte me motivin e nënave në ndihme të partizanëve dhe tjetri ka qenë nga ikja e ruseve nga baza e Vlorës. “Kjo prirje drejt kompozimit me shoqëroi dhe pas viteve ’90, pasi tashmë ishte krijuar laboratori me mjetet e mënyrën e prodhimit të këtij produkti artistik. Përmend kompozime si “Djegia e Voskopojës”, “Ardhja e Çamëve”, “Kalimi Vjosës i Ismail Qemalit”, “Masakra e kapedanëve shqiptar në Manastir”. Realizimi këtyre është bërë ndërkohë, që peizazhi kish marrë përparësi si gjini tek unë”, shprehet piktori Edi Kojani. Ekspozita “Stina e bardhë” u hap më datë 12 dhe do të qëndrojë deri më datë 16 dhjetor për publikun.

Një udhëtim artistik, me pikturën

Në hapjen e ekspozitës, që u çel duke respektuar dhe rregullat e pandemisë merrnin pjesë dhe miq e kolegë të artistit Edi Kojani. Arkitekti Pirro Stefa shprehet për ekspozitën se Kojani vjen ndryshe kësaj here për të na treguar një “udhëtim” tjetër artistik, për të na treguar se ka qenë me penelat, telajot e me ngjyrat e tij në vende ekzotike, shumë të veçanta. “Kojani vjen me ekspozitën “Stina e bardhë” pas 15 ekspozitave personale dhe akoma më shumë kolektive, duke theksuar edhe më shumë individualitetin e tij të spikatur artistik, duke mbetur besnik linjës së vet krijuese e duke sjellë në çdo punë të ekspozuar një lirizëm mjaft emocional. Por gjithashtu duke treguar me artin e tij se ai është vetvetja, një profil artistik që ndjek rrugën e tij, është unik, i ndryshëm nga të tjerët, një vlerë e shtuar në traditën e madhe të artit që solli shkolla vlonjate e pikturës”, pohon mes të tjerave arkitekti i njohur Pirro Stefa, për ekspozitën. Ish drejtor i teatrit të Gjirokastrës Stefan Arseni, shkruan se emri i piktorit Edi Kojani tashmë ka hyrë në numrin e zgjedhur të artistëve figurativë të vendit. “I pajisur me kulturë profesionale dhe me një vullnet të admirueshëm për punë e krijimtari, ai nuk rresht duke hapur ekspozita. Piktori Kojani është prezent kudo që është jeta me një krijimtari të pasur, që zhvillohet në dy linja: peizazhe dhe kompozime, me një shtirrje tematike të gjerë në arkitekturë, trashëgimi, në monumente të kulturës të natyrës dhe në ato të kultit. Pa harruar të katër stinët, duke bërë që piktura e tij të udhëtojë vazhdimisht me plot gjallëri, dinamikë, ekspresivitet dhe kolorit të fuqishëm.

Zgjedhja e peisazheve te “Stina e bardhë” është mjaft e kujdesshme, duke të zgjuar një kureshtje të paparë”, shprehet Arseni. Piktori Edi Kojani krahas ekspozitave vetjake ka qenë pjesëmarrës në ato kolektive të përvitshme si anëtar i grupeve artistike “Pranverë Art “dhe “Brezat” apo në galeritë e artit të Fierit, Korçës e Beratit. Gjithashtu pjesë e kolonive artistike organizuar nga Instituti i Librit dhe i Promocionit, si dhe pjesëmarrës në tre bienale ndërkombëtare. Edi Kojani është vlerësuar me çmime në Kosovë apo dhe Itali.

Gazeta Sot