Egjipti përfundon restaurimin e statujave gjigante të Kolosëve të Memnonit

Në Nekropolin e Tebës në Egjipt, restaurimi i Kolosëve të famshëm të Memnonit ka përfunduar dhe monumenti është tani i hapur përsëri për vizitorët.
Kolosët e Memnonit u dëmtuan shumë keq nga tërmetet rreth vitit 1200 para Krishtit, që shkatërruan edhe tempullin funerar të faraonit Amenhotep III dhe puna e restaurimit zgjati pothuajse 20 vjet.
Statujat gjigante binjake janë përkatësisht 14.5 metra dhe 13.5 metra të larta dhe përshkruajnë faraonin Amenhotep III, i cili sundoi Egjiptin e lashtë rreth 3,400 vjet më parë.
Një nga faraonët më të shquar, ai mbretëroi gjatë 500 viteve të Mbretërisë së Re, e cila ishte epoka më e begatë për Egjiptin e lashtë.
Në fund të viteve 1990, një mision egjiptiano-gjerman, i kryesuar nga egjiptologia gjermane Hourig Sourouzian, filloi të punonte në zonën e tempullit, duke përfshirë montimin dhe rinovimin e kolosëve.
Faraoni, mumja e të cilit është e ekspozuar në një muze të Kajros, mbretëroi midis viteve 1390-1353, një periudhë paqësore e njohur për prosperitetin dhe ndërtimet e mëdha.
Qeveria egjiptiane po shton përpjekjet për të tërhequr më shumë turistë, duke shfaqur pasurinë e madhe arkeologjike të vendit.
Muajin e kaluar u përurua Muzeu i Madh Egjiptian pranë Piramidave të Gizës dhe Sfinksit./ Euronews.
