Djegia e mandateve ishte një vendim historik dhe po ashtu qartësisht janë investuar…

10  gusht 2019

Nga: Preç Zogaj/ 

Opozita nuk ka dalë nga sistemi siç dëgjojmë të thuhet rëndom. Faktikisht, duke djegur mandatet e duke bojkotuar zgjedhjet vendore, ajo ka dalë nga pushteti legjislativ dhe ai vendor. Që është diçka krejt tjetër nga çfarë nënkupton dalja nga sistemi.

Në këtë periudhë PD, LSI dhe partitë e tjera të koalicionit opozitar në Shqipëri janë një opozitë jashtë pushtetit. Në kushtet kur po ndodh, besoj se ky është një eksperiment i rrallë, ndoshta unikal në historinë e demokracisë. Si i tillë ai meriton të studiohet hap pas hapi për të parë se çfarë rezultatesh mund të prodhojë – e çon këtë opozitë në fitore, e lë vendnumëro, e vendos në kursin e zvogëlimit?

Në bazë të deklaratave publike dhe synimeve të shpallura, krerët e opozitës qartësisht kanë besuar se djegia e mandateve ishte një vendim historik dhe po ashtu qartësisht janë investuar e kanë besuar se zgjedhjet vendore të 30 qershorit nuk do të bëheshin në rast se kushti i tyre për largimin e Kryeministrit Rama nuk do të plotësohej. Këto deklarata tregojnë se ata nuk e kishin parashikuar një situatë si kjo që po jetojmë, kur përfaqësuesit e Partisë Socialiste po instalohen në gjashtëdhjetë bashkitë e vendit. Nuk ka qenë e lehtë të kuptohet se ku mbështetej optimizmi i tyre për të marrë frytet e dy vendimeve ekstreme, për të cilët, siç e kanë thënë vetë, e dinin se partnerët ndërkombëtarë amerikanë e europianë jo vetëm nuk do të jepnin mirëkuptimin e tyre, por do të ishin vendosmërisht kundër. Mos e kishin menduar Ramën më të mirë sesa e tregojnë?

Mos e kishin menduar “rebel” në raport me ndërkombëtarët? Mos e kishin llogaritur tërheqjen e Uashingtonit, Brukselit dhe Berlinit përballë pamjeve të jashtme të krizës në Tiranë dhe skenarëve eventualë të përshkallëzimit të saj? Mos kishin bërë llogari të tjera të forcave në fushën e lojës nga ato që rezultuan përgjatë lojës? E vërteta në ngjarje të tilla ndriçohet nga zhvillimet në proces dhe nga e nesërmja. Kështu po ndodh e do të ndodhë edhe me ngjarjet për të cilat po flasim. Për këdo që analizon me realizëm ndërveprimin e faktorëve dhe ngjarjeve politike të kohës në Shqipëri ka qenë e qartë qysh në krye të herës se zhvillimet do të ndiqnin rrugën ku kaluan e po kalojnë. Këto mendime i kam shprehur e zhvilluar me kohë në komunikimet e mia me drejtues të opozitës dhe nënshkrimet që kam botuar në gazeta. Më ka ndodhur dhe herë të tjera, sikurse u ndodh shumë kolegëve, që disa opinione dhe parashikime të ndryshme t’i gjej të verifikuara nga zhvillimet. Po as më ka shkuar, as më shkon ndërmend t’i drejtohem ndokujt “ta pata thënë”.

Sot u takon vetë krerëve të opozitës në radhë të parë të analizojnë se ku çaloi projekti i tyre dhe mbi këtë bazë të reflektojnë për të ardhmen. Ka që tani zëra brenda opozitës që po e identifikojnë si një hallkë të dobët, madje të këputur të aksionit opozitar, mungesën e koordinimit dhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Kjo mua më duket e drejtë, por reflektimi këtu nuk mund të jetë semplicist – hajde t’iu trokasim meqë nuk u trokitëm apo t’iu çojmë një letër. Anashkalimi i partnerëve nuk ka ndodhur për mukajet, siç thotë një shprehje popullore. Në traditën tonë anashkalimi apo konfrontimi me partnerët ka ndodhur kur politikanët tanë kanë qenë të vetëdijshëm se qëndrimet e tyre, pavarësisht se çfarë kostumi u qep retorika, nuk janë në thelb të bashkëndashme me qëndrimet, vlerat, standardet, apo edhe logjikën perëndimore. Këtu edhe “arratisja” e tyre, në një sovranizëm të pakuptimtë në kontekstin e integrimit euroatlantik. Korrigjimi nis duke përshtatur qëndrime dhe politika që shkojnë në rrjedhën e kulturës dhe profesionalizmit të aleatëve.

Analiza brenda partive të opozitës mund të evidentojnë pika të tjera të dobëta të aksionit të tyre politik. E rëndësishme është që kjo analizë të institucionalizohet duke u shtrirë domosdoshmërish te gjetja e formave dhe mjeteve efikase të funksionimit si një opozitë jashtë pushtetit. Dihet se këtë lloj opozite e bëjnë në përditshmërinë e tyre mediat opozitare dhe organizatat antiqeveritare të shoqërisë civile. Ndryshimi i madh është se mediat dhe OJQ-të nuk luftojnë për pushtet, ndërkohë që opozita politike e ka qëllim ardhjen në pushtet, për këtë ekziston. Opozita jonë e kësaj periudhe propozon në këtë rrafsh një lloj fillimi nga viti zero, siç ndodh fjala vjen me subjektet politike që dalin në skenë në përmbysje të diktaturave. Por analogjitë nuk shkojnë.

“Solidarnos”, për shembull, qëndroj dhe u rrit si një subjekt politiko-sindikalist jashtë pushtetit në Poloninë komuniste, sepse nuk lejohej të merrte pjesë në zgjedhje. Në momentin që u vendos pluralizmi u fut në zgjedhje dhe fitoi. Historia, sipas mendimit tim, s’do të kishte asnjë gjasë të përsëritej nëse “Solidarnos” apo një parti që ka dalë nga kjo lëvizje do të provonte të kthehej në pikën e nisjes, pasi ka ardhur disa herë në pushtet dhe vendi është anëtarësuar në NATO e BE. Ja pse opozita jashtë pushtetit në kushtet kur vetë ajo ka qenë dhe është pjesë e sistemit shumëvjeçar tashmë është një e panjohur e madhe sa i takon perspektivës së saj.

Qeverisja në përgjithësi jep plot fakte dhe argumente për të dalë jashtë institucioneve. Por ka një pyetje tjetër që qëndron sipër: a ka të drejtë lidershipi politik të braktisë përfaqësimin e zgjedhësve pa i pyetur ata ashtu siç pyeten njerëzit e lirë përmes një konsultimi që vuloset me votim? Unë mendoj se nuk ka të drejtë. Mungesa e opozitës përfaqësuese në Kuvend dhe në pushtetin vendor është në dëm të zgjedhësve opozitarë dhe, më gjerë se kaq, të vetë demokracisë. Po të ishte ndryshe këtë do ta kishin bërë vendet perëndimore që kanë një histori shekullore të demokracisë. Partitë dhe krerët e tyre nëpër botë do t’ia kishin gjetur anën të dilnin nga institucionet po t’iu rezultonte se kjo është rruga që i rrit elektoralisht dhe i çon drejt pushtetit. Nuk e kanë bërë. Besoj se janë ndalur sa nga skrupujt, sa nga e panjohura dhe mbi të gjitha nga parashikimet negative.

Kryetari i PD-së, Basha, po përsërit shpesh në takimet e tij me demokratët se sakrifikuam pushtet për një gjë më të madhe. Fraza e projekton atë si një drejtues idealist, por tani që po vjen momenti i bilancit të parë të politikës së bojkotit të plotë, i cili në bindjen time të mbështetur në shumë sondazhe e të dhëna të tjera e privoi opozitën nga marrja e më shumë se gjysmës së bashkive, sentenca si këto do të tingëllojnë më shumë si justifikim i vendimeve të gabuara sesa si teza politike.

Por edhe si sentenca politike këto kanë nevojë të zhvillohen, të programohen, të konkretizohen. Liderëve të opozitës jashtë pushtetit do t’u duhet ta bëjnë dhe ta mbajnë bindjen e tyre shëlbuese të sakrificës për një gjë më të madhe, bindje të një shumice popullore. Kjo do të jetë sprova më e madhe e opozitës jashtë pushtetit për të shpresuar fitoren në kutitë e votimit. Në këtë sprovë, opozita ka kundër pushtetin e plotë qendror e vendor të PS-së, pushtet i cili vepron si një turbinë interesash jetike dhe pragmatike të shumë njerëzve që kanë nevojë për një rrogë apo për shërbime që u jepen në formë nderesh. Bashkitë e PS-së nuk do të mungojnë ta bëjnë këtë në funksion të votës.

Opozitat në Shqipëri, zakonisht, kanë përdorur si kalë beteje antikorrupsionin, ndëshkimin e të korruptuarve në qeveri dhe rreth saj, kthimin e parave të vjedhura në arkën e shtetit, e tjerë e tjerë. Nga ky lajtmotiv, për herë të parë opozita shqiptare nuk mund të nxjerrë përfitimet elektorale të opozitave të mëparshme, për arsye se së shpejti do të fillojnë të funksionojë SPAK-u dhe Gjykata Speciale që do të kenë në fokus pikërisht krimin dhe korrupsionin në sferat e larta pa përjashtim. Opozita dhe qeveria kanë padyshim hapësirat e tyre ekskluzive, ku mund të zhvillojnë luftën kundër korrupsionit e krimit, por ndëshkimin në gjykatë të këtyre dukurive e merr në dorë drejtësia e re, gjë që përbën një zhvillim të madh me efekte domino në gjithë funksionimin e jetës politike në vend.

Opozita jashtë pushtetit ka ndërkaq në favor skandalet dhe dështimet e qeverisë. (Që do t’i kishte edhe po të kishte qëndruar në Kuvend, apo të merrte pjesë në zgjedhjet vendore. Por duke qenë jashtë mund të ndihet më e papërfshirë). Asaj i duhet të mos ndodhë asgjë tjetër, veç rrokullisjes së qeverisë. E ardhmja e afërt do të sugjerojë prognoza më të qarta dhe zgjidhje të reja në lidhje me këtë eksperiment të panjohur deri më sot.

/Liberale.al