Deputeti i Bundestagut pas takimit me Berishën: – Sistemi gjyqësor të jetë transparent! Do të punojmë së bashku për integrimin në BE

10 Mars 2026
Deputeti i Bundestagut gjerman Peter Beyer, pas takimit me kreun e Partisë Demokratike Sali Berisha, deklaroi se vizita e tij në Shqipëri është pjesë e një misioni paraprak në kuadër të një vizite të ardhshme të një ministri gjerman në vend
Ai theksoi se një opozitë e fortë është element kyç për funksionimin e demokracisë në çdo vend.
Sipas Beyer, në takim u diskutua gjithashtu për perspektivën e Shqipërisë dhe për forcimin e sistemit politik dhe institucional në vend. Ai theksoi rëndësinë e një sistemi transparent dhe të një sistemi gjyqësor të besueshëm.
“Ne kemi ardhur që të dielën dhe do largohemi nesër. Ky është një takim paraprak i vizitës së ministrit gjerman në Shqipëri. Unë nuk jam pjesë e qeverisë gjermane, por ne i përkasin familjes së Partive Popullore Evropiane dhe kemi marrëdhënie të shkëlqyer.
Në e vlerësojmë PD për parimet që ajo ndjek, kjo ka qenë një nga çështjet që kemi diskutuar. Një PD e fortë është shumë e rëndësishme për demokracinë e një vendi. Ne kemi diskutuar se çfarë mund të bëjmë për një të ardhme dhe perspektivë për shqiptarët, por edhe për sistemin politik në këtë vend. Kjo bëhet me një sistem transparent, sistemi gjyqësor duhet të jetë transparent. Do të punojmë së bashku për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian”, tha deputeti i Bundestagut gjerman.
Deklarata e plote
Faleminderit shumë për mikpritjen mesdhetare, zoti kryetar, doktor Berisha.
Sapo patëm një bisedë shumë frytdhënëse dhe konstruktive. Diskutuam për procesin e integrimit europian të Shqipërisë, një vend që shpeshherë përmendet si një nga vendet kryesuese në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Europian. Megjithatë, nga këndvështrimi i Berlinit, ne shohim gjithashtu disa sfida dhe zhvillime të fundit në këtë vend, veçanërisht sa i përket çështjeve që lidhen me sistemin e drejtësisë.
Unë personalisht e kam shoqëruar ministrin e Jashtëm të Gjermanisë gjatë vizitës së tij në Shqipëri në muajin nëntor. Gjatë asaj vizite ne vizituam edhe SPAK-un dhe zhvilluam biseda me disa përfaqësues të tij, si edhe me anëtarë të qeverisë.
Kjo vizitë që po zhvillojmë këto ditë, unë kam mbërritur këtu të dielën në mbrëmje dhe do të largohem nga ky vend i bukur, Shqipëria, nesër, është në fakt një mision zyrtar vijues pas vizitës së ministrit të Jashtëm gjerman në këtë vend.
Në diskutimet tona kemi trajtuar disa nga sfidat që ekzistojnë. Si qeveri gjermane, edhe pse unë personalisht nuk jam pjesë e qeverisë, por i përkas partisë së kancelarit, ne gjithashtu i përkasim familjes politike të Partisë Popullore Europiane (EPP). Kjo do të thotë se kemi një marrëdhënie të gjatë bashkëpunimi.
Unë përgëzoj Partinë Demokratike të Shqipërisë që qëndron fort për vlerat dhe parimet themelore, si dhe për kriteret e Kopenhagës. Këto kritere nuk janë shpikur për të detyruar apo për të ushtruar presion mbi askënd, por për të qenë shumë produktive dhe shumë të dobishme për shoqërinë dhe për qytetarët e Shqipërisë.
Këto ishin disa nga pikat kryesore të diskutimit që patëm. Një Parti Demokratike e fortë dhe një opozitë e fortë janë thelbësore për të ardhmen e demokracisë në këtë vend.
Prandaj ne shtrijmë një dorë bashkëpunimi dhe ofrojmë mbështetjen tonë. Diskutuam gjithashtu se çfarë mund të bëjmë më shumë për të siguruar një perspektivë shumë të mirë dhe një të ardhme të mirë për Shqipërinë, për popullin shqiptar dhe për sistemin politik të këtij vendi.
Kjo, sigurisht, lidhet edhe me nevojën për një qasje shumë të qartë, transparente dhe të hapur sa i përket sistemit të drejtësisë në këtë vend. Për këtë kemi folur dhe kemi shqyrtuar se çfarë mund të bëjmë më shumë së bashku për përmirësimin dhe për të mirën e qytetarëve shqiptarë.
Unë jam gjithmonë i lumtur të jem në këtë vend dhe do të rikthehem përsëri.
Jam gjithashtu shumë i lumtur që javën e ardhshme do të mirëpres dhe do të pres në Berlin disa nga deputetët e Parlamentit të Shqipërisë, mes tyre edhe zonjën Jorida Tabaku. Ku jeni, Jorida? Miq të mirë. Ju jeni këtu.
Kemi një marrëdhënie të gjatë bashkëpunimi dhe miqësie dhe punojmë së bashku drejt integrimit europian.
Dhe kjo është baza, themeli mbi të cilin mbështetet miqësia jonë.
Faleminderit shumë.
